Basha: Në Parlament dhe jashtë tij, do jemi gardianët e interesit publik

Basha: Në Parlament dhe jashtë tij, do jemi gardianët e interesit publik, dhe instrumenti në duart e qytetarëve për ta realizuar bashkë ndryshimin qe duan të gjithë

Që Shqipëria të dalë nga ky udhëkryq, që shqiptarët të shpëtojnë nga armiqtë e qeverisjes së mirë, kërkohet një zgjidhje politike.

Natyrisht ajo nuk mund të vijë vetëm nga ne, as nga ai që i ka shpallur luftë demokracisë dhe bashkëjetesës demokratike, por duhet të vijë si një bashkëpunim i ngushtë me shoqërinë shqiptare, që prej kohësh ka shprehur dëshirën e ngutshme për ndryshim.

Prandaj ne, në Parlament dhe jashtë tij, nuk do të jemi vetëm gardianët e interesit publik kundër kësaj skote të korruptuar, por duam të jemi instrumenti në duart e qytetarëve për ta realizuar bashkë këtë ndryshim.

Ne i kemi marrë mësimet tona nga gabimet e të shkuarës, i kemi hapur dyert tona për këdo që kërkon të kontribuojë për përmirësimin e jetës politike të vendit. Sado të pakënaqur dhe të mërzitur me politikën apo me ne, për cfarë nuk kemi bërë apo për cfarë mund të bëjmë më mirë, sado të largëta t’i kemi pikëpamjet, fati i një shoqërie ngrihet mbi bashkëpunimin forcave të saj të gjalla dhe politikës.

Dhe në këtë rast, bashkëpunimi nuk është një opsion, por është një detyrë. Një detyrë e nxitur nga ajo që na ka bashkuar përballë krizave në dukje të pakapërcyeshme: aspirata për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Sepse përpara se të jetë një mision partiak, i yni është një mision patriotik.

Dhe kthimi i demokracisë dhe legjitimitetit në Shqipëri është një kushtrim në këtë stinë të re që ka trokitur në dyert e politikës shqiptare, ku asgjë nuk ka për të qenë më si më pare.

Ndaj sot, nga kjo foltore dua të përësëris këtë ftesë në emër të Partisë Demokratike për mbarë shoqërinë shqiptare, për intelektualët, studentët, pedagogët, sipërmarrësit, artistët, gazetarët, profesionistët, të rinjtë e të rejat për të ndërtuar bashkarisht një platformë për rikthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend do të jetë guri i themelit i një aleance të sinqertë dhe jetike për t’iu kundërvënë partisë-shtet, të lidhur me krimin, korrupsionin dhe oligarkinë.

Të dashur bashkëqytetarë, ne duam të punojmë me ju, për t’i dhënë jetë një debati që nuk mund të zhvillohet vetëm brenda kësaj salle, ku zëri i qytetarëve të dëgjohet për t’i dhënë jetë një reforme zgjedhore që të jetë në lartësinë e kërkesës së shoqërisë për një demokraci përfaqësuese sa më pranë standarteve të vendeve që ne kemi nderin t’i quajmë partnere, një reformë territoriale që të jetë në shërbim të qytetarëve, jo të partisë politike, prandaj zëri juaj duhet të jetë i pranishëm në këtë diskutim.

Për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, për platforma që clirojnë ekonominë nga oligarkët dhe garantojnë garën dhe konkurencën, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimin, duke i dhënë fund damkës së pashlyeshme që ka marrë përsipër kjo pakicë.

E pasi të kemi forcuar bashkëpunimin tonë dhe t’i kemi dhënë zë dhe jetë propozimeve të shoqërisë, do të jetë detyra jonë që t’i sjellim në këtë sallë, ku me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, do të luftojmë për t’i bërë realitet në shërbim të cdo shqiptari.

Artikulli paraprakBasha: Pandemia tregoi natyrën e grabiqare të pushtetit tuaj, braktisët qytetarët dhe pasuruat veten e klientët tuaj
Artikulli tjetërBasha: Në betejën mes të shkuarës dhe të ardhmes PD ka zgjedhur aleancën me qytetarët, Rama krimin dhe klientët e tij