Zëvendësimi i Messit pati reagime, trajneri i PSG: Jam këtu për të vendosur…

Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino ka mbrojtur veten pasi shkaktoi reagime të shumta kur vendosi ta zëvendësojë Lionel Messin gjatë fitores dramatike të ekipit të vet kundër Lyonit në Ligue 1, duke thënë se trajnerët janë aty për të marrë vendime.

Messi, i cili po debutonte në shtëpi për PSG-në, u duk i mllefosur pse u zëvendësua në minutën e 75-të.

Rrugës duke dalë nga fusha për t’i lënë vend Achraf Hakimit, 34-vjeçari i tha diçka Pochettinos dhe refuzoi t’ia zgjaste dorën për ta përshëndetur.

Ndeshja ishte baras 1:1 kur Messi u largua, por Mauro Icardi doli në sipërfaqe me një gol të vonshëm për t’ia siguruar të tri pikët PSG-së.

Megjithëse ishte një fitore dramatike, i gjithë përqendrimi pas ndeshjes ishte në vendimin e Pochettinos për ta larguar Messin nga loja kur ekipi i tij kishte nevojë për një gol për ta fituar ndeshjen.

34-vjeçari është ende në kërkim të golit të parë në fanellën e Parisit, megjithatë ai ishte i pafat sepse golin ia mohoi shtylla pas një goditjeje të mrekullueshme nga gjuajtja e lirë në pjesën e parë.

I pyetur pse vendosi ta zëvendësojë bashkatdhetarin e vet, Pochettino tha: “Të gjithë e dinë se ne kemi lojtarë të mëdhenj në ekip. Ne e kemi një skuadër të pasur me 35 futbollistë”.

“Ne duhet të marrim vendime. 11 lojtarë e nisin ndeshjen, pastaj ne duhet të marrim vendime gjatë ndeshjes. Ne qëndrojmë pranë bankës duke menduar se çfarë të bëjmë. Dhe vendimet duhet t’i marrim, pavarësisht se a shkojnë mirë apo keq gjërat. Pavarësisht se a ju pëlqejnë apo jo ato vendime”, shtoi ai.

Ndeshja e radhës e PSG-së është kundër Metz në Ligue 1 të mërkurën.

Artikulli paraprakÇmimet e larta, Eurostat: 13.5% e shqiptarëve nuk plotësojnë nevojat për ekzaminim mjekësor
Artikulli tjetërProtesta në kufirin Kosovë – Serbi, situata po monitorohet edhe me helikopter