Nga Hamit TAKA
– Një vit më parë, natë e tërmetit…-
Alarm në kryeqytet.
As pushkë as sirena as trumpeta.
Kush e urdhëron këtë alarm?
S’ju pyet kush! I plotfuqishmi! Binduni! Të gjithë në këmbë! Presiednt e ish-presidentë, Kryeministër e ish-kryeministra, ministra, kryetarë partishë, deputetë, të rinj, fëmijë, të moshuar, të urtë e të marrë, të mënçur e injorantë, trima e frikacakë… të gjallët, të gjithë:
Duart lart!
Të gjithë të barabartë!
Në doni të shpëtoni, vraponi! Nga sytë këmbët!
Vetëm një emocion: panik.
Vetëm një kujtesë: telefonat.
Vetëm një heroizëm: fëmijët në duar, të pamundurit në krah, prindërit e moshuar nga krahët.
Vetëm një veprim: zbritje shkallësh, vrapim drejt lirisë, drejt jetës.
Jashtë shtëpive e pallateve, në oborre e sheshe para banesave: frymëmarrje, konfuzion turmë, lëvizje kaotike dhe telefonat:
Dialogje dhe monologje:
– Alo! …Alo! …Alo!… pse nuk përgjigjet?! Mos ka ndodhur gjë!…Ah, nuk ka valë… Alo!… Alo!… Erdhën valët…Mirë jeni të gjithë?… Lavdi Zotit!… Keni dëme?… Njerëzit shëndosh!… Alo!…
– Alo!… Alo!… Alo!… Pse nuk i vete zilja?… Ah! Ah!… Më ka mbaruar oferta. Më vjen t’i bie kokës me grushta. Per këto raste duhet telefoni, jo të rri mbi të si klloçka që ngroh vezët në Facebook!…
Vjen zilja nga krahu tjetër…
– Alo! Ti je, mama?… Kujdes, shumë kujdes! Po vij…
Një djalë apo burrë, rreth 35-40 vjeç, sa zbret nga makina, plot ankth:
– Alo!.. Alo!.. – Thërret kunatën, një nënë e re me dy binjakë, në katin e tetë. Burrin e ka në punë.
– Alo, vëllai im!
– Si jeni, motra?
– Mirë, kam mbështjellë fëmijët në gjoks dhe i mbuloj me trup, kam frikë.
– Mos ki frikë, motra! Erdha!… Motra, motra!… kujdes, zbrit nga shkallët, jo me ashensor! … më dëgjove?… Mos u tremb, ja mbërrita edhe unë…
Prapë:
– Alo!… Alo!… Mami, babi, si jeni? … Zbrisni avash-avash, kujdes, erdha unë…
Telefonat kanë punë e janë të dobishëm si kurrë ndonjë herë…
Ne shqiptarët jemi edhe te ndjeshëm edhe shumë zemërgjerë. Jemi po aq të dashur e të kujdesshëm edhe me kafshët shtëpiake, sidomos me qentë e macet. Ata kishin kujdesin e merituar sipas mirëqënies ekonomike. Të bënte shumë përshtypje një djalosh, i cili mbante në sup një mace, shumë e bëshme dhe e mirëmajtur. Macja dukej delikate, shumë e trembur dhe mjaullinte sikur lutej e kërkonte përkujdesje, të cilën djaloshi nuk ia kursente.
Edhe ky një dimension njerëzor…
Pas 5-6 minutash, fillojnë lëkundjet e dyta. Përsëri panik. Pallatet lëkunden si plepat e rrugëve, xhamat lëshojnë tinguj të frikshëm, duket sikur do të thyhen e bien mbi turmën e çekuilibruar. Dikush, sa gjen shteg, largohet me vrap, sa më tutje pallateve lëkundëse. Por, veç panikut, ka dhe kureshtje, njerëzit shikojnë me sy çfarë ndodhte. Bile flitet dhe për ndërtuesit. Thuhen fjalë të mira, pasi shumë pak pallate te larta 8-9-15-20 katshe, kishin fare pak kricje apo çarje, gati të padukshme. Një inxjinier ndërtimi, afër meje, shpjegon se asnje firmë ndërtimi nuk ka kurajo të bëj hile me kolonat e pallateve, se… Në muret e brendshme edhe mund të tolerojë ndonjëri.
– E çfarë ndodh pastaj?
– Mund te shkëputen muret e brendshme, të ndahen nga skeletet e të bien.
Ajo që shpjegoi inxhinieri u provua ne raste shumë të pakta, pra, shkëputja e mureve të brendshme. Që do të thotë të mos guxohet më, se hilja verifikohet shpejt.
Pas valës së dytë, turma, e përqëndruar në sheshe e rrugë para banesave, niset si vargan ikanakësh në kërkim të hapsirave më të lira, larg pallateve të larta. Një polic, para meje, bën çështë e mundur të administrojë qarkullimin e makinave, për t’i hapur rrugën turmës amorfe, që s’pyet për sinjalistika e rregulla qarkullimi.
Dhe në këtë lëvizje pa krye del në pah nevoja e hapsirave të lira, rrugëve më të gjera e shesheve më të mëdha për nevojat e përditshme dhe për urgjencat e kryeqytetasve. Projekte të pamirëmenduara e jo largpamëse. Po kush pyet tani… Të kalojmë këtë fatkeqësi sëbashku, pastaj i ndreqim…
Më në fund situata qetësohet, mbushemi me frymë dhe duket paqja. Me kë? Me vetveten, me gjitonin, me të njohurin e të panjohurën, me bashkëqytetarin, kushdo qoftë ai, pa paragjykime. Njerëzit dalin nga vetja, ndihen të lirë, shohin në sy njëri-tjetrin dhe i buzëqeshin. Jemi gjallë. Dhe sa të dhimbshur e të dobishëm paskemi qënë për njëri-tjetrin, por ende
s’e kemi vënë re!
Ka ngjyra besimesh politike këtu? Jo. Ka ndasi fetare apo krahinore? Jo…. Atëherë, le të triumfojë respekti, puna, dashuria!
Sytë përqëndrohen tek nënat me fëmijë të vegjël në krahë. Ata që janë afër tyre, u buzëqeshin, i prekin, i puthin, u japin kurajo. Dikush edhe i merr në dorë, për ta liruar pak mamin apo babin. Çfarë solidariti njerëzor, çfarë humanizmi! Sa të bukur jemi, sa të dashur, sa të mirë! Ah, të ishim kështu gjithmopnë, në paqe e dashuri!
Bashkë me të afërmit e mi mezi gjetëm një tavolinë të lirë në një lokal të hapur, para një vile private. Citen tavolinat me qytetarë. Kamarieri fluturon: kafe, makiato, salep, patatina për fëmijë, çekollata, byreqe…Një djalosh bën edhe humor, aq i nevojshëm për këto raste, paçka se pak i hidhur: “Këta pronarët me këto lloj lokalesh jashtë duan tërmete çdo ditë, se kaq xhiro s’e realizojnë as për një muaj. Ha-ha-ha!”
Sot, duke bërë lëvizjen e mëngjesit, pashë në sheshe çadrat e emergjencave. U ndjeva mirë kur pashë vogëlushë që flinin në freskinë e mëngjesit. Uroj solidaritet dhe mbështetjen e shtetit për t’i hequr ato çadra sa më shpejt!
Çdo e keqe, ka edhte të mirën e vet, përshëmbëll, bashkimin, humanizmin.
I plotfuqishmi tërmet, forca e parë shkatërruese e natyrës, para zjarrit e ujit, qetësohet:
– Tani… Duart poshtë! Jeni të lirë… Por kujdes, se po u zemërova, u vura para të gjithë. Mos harroni: të gjithë jeni të barabartë para natyrës e Zotit! Si të doni, por ju këshilloj e uroj: në punë, në mësime e në gëzime! Me krah të lehta e bashkë me njëri-tjetrin!
Dhe ne lusim Natyrën apo Zotin të mos kemi më tërmete e fatkeqësi të tilla!