Ndonëse rezultonte një nga personat më të kërkuar nga Interpoli pasi gjykata italiane e kishte dënuar me 7 vjet e katër muaj burg për trafik droge, qeveria e ka punësuar në Doganën e Durrësit.
42 vjeçari Julian Mandija, banues në Durrës, u arrestua para dy ditësh nga Policia lokale për llogari të Interpolit. Mësohet se 42-vjeçari është arrestuar në vendin e tij të punës (në pikën kufitare) nga agjentët e Policisë. Policia e Durrësit në komunikatën për shtyp deklaroi se 42-vjeçari u arrestua për llogari të drejtësisë italiane, ndërsa mbajti të fshehur faktin që Mandilja jo vetëm që nuk fshihej, por haptazi punonte në një sektor mjaft të rëndësishëm siç është pika kufitare e portit më të madh në vend.
Arrestimi
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin drejt Italisë të shtetasit Julian Mandija, 42 vjeç, banues në Durrës. “Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 42-vjeçari i dënuar për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin drejt Italisë të shtetasit Julian Mandija, 42 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Aquila, Itali, e ka dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, parashikuar nga Kodi Penal italian”, deklaroi Policia. Sipas një burimi në Policinë e Durrësit, vetëm pak kohë kishte që Interpoli kishte sjellë dokumentacionin që 42-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar.
Kapja e 15 kg Heroinë
Doganieri i arrestuar një ditë më parë në portin e Durrësit rezulton të jetë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e drogës në Itali. Në vitin 2014 Policia italiane sekuestroi 15 kg heroinë, 158 mijë euro, tri automjete dhe disa telefona celularë. Policia italiane arrestoi disa shqiptarë të tjerë gjatë operacionit, përkatësisht Orges Abazajn, Klodian Gjuzin, si dhe Endri Pezën, si dhe shtetasin italian Sergio Morelli. Gjykata e Apelit në Aquila, Itali, e ka dënuar Mandinë me 7 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Skandali
Absurd është fakti se si ka mundur të siguronte vendin e punës në Doganën e Durrësit Julian Mandilja, i cili kërkohej nga Interpoli. Mësohet se Mandilja kishte disa vite (më shumë se katër vjet) doganier dhe konkretisht ne sektorin e importit të kontejnerëve. Ndonëse ishte një person i kërkuar dhe dënuar nga drejtësia italiane, që e konsideron pjesë të një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, Mandilja vazhdonte të punonte i qetë dhe kishte ndërtuar familje në qytetin e Durrësit, shkruan panorama.al.
Nuk dihet se si ka mundur ta sigurojë këtë vend pune, duke marrë parasysh faktin që kriter kryesor për vende të tilla pune (në pikën kufitare që është zonë e rëndësisë së veçantë) është edhe një dëshmi nga Ministria e Drejtësisë, e cila përcakton nëse je apo jo i dënuar në vendet e BE-së apo edhe më tej. Ky fakt tregon fare qartë problematikën e mënyrës së punësimit në administratën shtetërore. Tashmë Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.