Provokimet e Ramës ndaj shtetit grek kanë dhënë efektin e tyre tek emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Bëhet e ditur se, brenda 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës, pala greke ka kthyer mbi 100 shqiptarë. Argumenti i përdorur kësaj here ka qenë mungesa e dokumentave dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimum 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen. Qytetarët shqiptarë të kthyer në kufi janë shprehur të irrituar për këtë qëndrim të palës greke në kufi. “Jemi kthyer pa arsye, dokumentat i kemi të rregullta, nuk po marrim vesh asgjë”, janë shprehur ata.
Mjaft emigrantëve u janë vënë kryqe në pasaportë, duke i detyruar ata që të mos shkelin më në tokën greke. “Më damkosën pasaportën, duke vendosur dy kryqe. Tani unë nuk mund të kthehem më në Greqi”, shprehet i dëshpëruar një emigrant.
“Gjejnë mënyra të ndryshme thjesht për të na kthyer. Unë isha me makinën time, ishim tre vetë dhe dy u kthyem, njëri iku”, shprehet një nga shtetasit shqiptarë të kthyer nga autoritetet greke. “Nuk bëhet fjalë të kalosh. Kaq thonë, asnjë shpjegim tjetër. Janë kthyer shumë persona, të gjithë këta që shihni këtu”, u shpreh një tjetër shtetas shqiptar.
Po ashtu, policia greke nuk lejon shtetasit shqiptarë të futen në Greqi. Mësohet se gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kakavijës nuk janë lejuar të kalojnë në anën tjetër të kufirit 60 qytetarë.
Edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, policia greke ka shtuar masat e kontrollit për shtetasit shqiptarë, të cilët kërkojnë të kalojnë nëpërmjet kësaj pike doganore për në vendin fqinjë. Burimet thanë se, masat e kontrollit janë shtuar një ditë pas fjalimit të kryeministrit Rama lidhur me çështjet që duhen zgjidhur mes dy vendeve.
Policia Kufitare bëri të ditur se, këto kontrolle janë shtuar së tepërmi ditën e premte, ku dhe janë kthyer mbrapsht më shumë se 70 shtetas shqiptarë kryesisht të moshave të reja, të cilët sipas autoriteteve greke të kufirit kanë pasur mangësi në dokumentacionin e kërkuar për zonën Shengen. Argumenti i përdorur ka qenë mungesa e dokumentave dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimumi 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen.
Gjatë ditës së premte autoritetet tona të kufirit kanë pasur disa takime me homologët helenë për të gjetur një zgjidhje për kthimet e shtetasve shqiptarë, kthime që në ditët në vijim priten të jenë në rritje.