Protestuan kundër bllokimit të rrugës, banorët ndalohen nga policia

Policia e Elbasanit ndalon disa qytetarë pse protestuan dje kundër bllokimit nga ARRSH të rrugës së tyre që i lidh me qendrën e qytetit dhe rrugën kombëtare.

Dhjetëra familje të lagjes Belebe të Elbasanit gjatë protestës hoqën barrierat dhe hodhën thirrje në drejtim të Bashkisë së Elbasanit, që ta zgjidhë problemin jo duke i bllokuar atyre atë rrugë që e përdorin prej më se 30 vjetësh.

Por sot, në vend të reagimit nga ARRSH dhe bashkia, ka reaguar Policia e Shtetit, e cila procedoi penalisht në gjendje të lirë tre nga banorët protestues, L.B, 50 vjeç, B.H, 58 vjeç dhe J.Xh, 46 vjeç.

Sipas Policisë,  të tre ata në aksin rrugor Elbasan – Librazhd  kanë penguar qarkullimin e mjeteve dhe kanë hequr barrjerat e rrugës të vendosur nga ARRSH-ja, duke i dëmtuar ato.

Policia tha se po vazhdon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë organizim të paligjshëm.

Dosjet për këtë çështje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ditën e djeshme, dhjetëra familje të lagjes Belebe në periferi te qytetit të Elbasanit pas bllokimit të hyrjes së rrugës në Unazën Jugore në drejtim të zonës ku ata jetojnë prej 30 vitesh janë irrituar dhe janë organizuar për të protestuar sot në mëngjes.

Sipas tyre situata e krijuar është e paprecedentë dhe askush nga autoritetet nuk kishte paralajmëruar bllokimin e hyrjes së rrugës kryesore që e lidh lagjen e tyre me rrugën kombëtare dhe qendrën e qytetit.

Banorët protestues kanë shkatërruar barrierat e vendosura në hyrje të rrugës që të çon në lagjen Belebe dhe kanë kërkuar zgjidhje urgjente të situatës.

“Nuk dimë se kush ka urdhëruar dhe as se kush e ka bllokuar hyrjen e rrugës e cila është e vetmja që ekziston për qarkullimin me automjete në këtë lagje”, thanë protestuesit. Komuniteti i lagjes “Emin Matraxhiu” pjesë e të cilës është “Belebe” kërkon që bashkia t’i japë zgjidhje dhe jo të qëndrojë në heshtje.

Artikulli paraprakShqipëria bën hapa prapa në Indeksin e Inovacionit Global për vitin 2021
Artikulli tjetërDjegia në Zubin Potok, reagon Kurti: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar