Ndëshkohen 2 oficerët që kapën drogën në Rrëshen

Dy oficerë të Policisë së Lezhës që organizuan rrethimin e fabrikës së drogës në Rrëshen janë shkarkuar nga detyra. Lajmi u publikua dje në mesditë nga ish-Kryeministri Berisha, pas marrjes së një mesazhi nga një qytetar nga Lezha. Shkarkimet e dy oficerëve janë bërë me urdhër të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
“Qytetari dixhital informon: Saje qorri shkarkon nga detyra oficerët, Ilir Sula, shef i Krimit të Organizuar dhe Agron Çullhaj, shef i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, të cilët organizuan rrethimin e fabrikës së drogës në Rrëshen. Shtoj këtu, se operacioni i Rrëshenit ditën kur Edi Rama kishte thirrur 62 ambasadorë, për t’i paraqitur, sipas tij, trillimet e opozitës dhe mediave sociale për kanabisin në Kanabistan, ishte një goditje që përgënjeshtroi fatalisht ekspozenë idioteske të Ramës para trupit diplomatik! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Lezha.
“Përsh dr. Më thonë që me urdhër të ministrit u shkarkuan nga detyra oficerët e Drejtorisë që morën pjesë në rrethimin e magazinës së drogës në Rrëshen. Shefi i Krimit të Organizuar, Ilir Sula dhe shefi i Antidrogës Agron Qullhaj. Sula transferohet në Elbasan”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Lezha.
Shkarkimi i dy oficerëve të Policisë së Lezhës që zbuluan fabrikën e drogës tregon se pas tonelatave të drogës qëndrojnë zyrtarë të lartë të policisë. Oficerët janë shkarkuar për hakmarrje, pasi zyrtarëve të lartë iu hoqën nga duart miliona euro me sekuestrimin e 7 tonë droge.
Që ditën e operacionit, Policia e Rrëshenit jo vetëm që nuk mori pjesë në aksion, por tentoi të mos lejonte edhe Policinë e Lezhës për të sekuestruar drogën. Përplasja mes policëve të Rrëshenit dhe atyre të Lezhës ka degjeneruar deri në sharje të rënda dhe gati sa nuk u përdorën armët. Më pas, kanë ardhur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA për të bërë të mundur bllokimin e fabrikës së drogës dhe sekuestrimin e 7 tonë kanabis që ishte gati për t’u  trafikuar. Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit.
Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda nën mbikëqyrjen e drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër Komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, ndërsa pjesë e këtij grupi të rëndësishëm përveç kryetarit të Bashkisë ishte edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Lazder Beci. Fabrika monitorohej edhe nga policia vendore.

Policia e Shtetit konfirmon pushimin e dy oficerëve

Policia e Shtetit konfirmoi dje pushimin e dy oficerëve në Policinë e Lezhës. Pas denoncimit nga Partia Demokratike të pushimit të dy oficerëve si hakmarrje për zbulimin e fabrikës së drogës në Rrëshen, Policia e Shtetit me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat ka konfirmuar pushimin e oficerëve, por deklaron se ata janë dërguar në një detyrë tjetër. Policia ka deklaruar lëvizjet e kryera në Policinë e Lezhës vetëm, pasi Partia Demokratike denoncoi publikisht pushimin nga puna të dy oficerëve të enjten, ndërsa policia nuk njoftoi si në çdo rast kur kryen emërime të reja apo transferime oficerësh dhe punonjësish policie.
Ky fakt tregon më së miri se pushimi i dy oficerëve që rrethuan fabrikën e drogës ku u kapën 7 ton kanabis të tharë gati për t’u trafikuar është për hakmarrje, pasi droga ishte në pronësi të kreut të Bashkisë dhe drejtuesve të Policisë së Rrëshenit.
Ndonëse kanë kaluar katër ditë nga bllokimi i tonelatave të drogës në Rrëshen, policia nuk ka arrestuar asnjë nga pronarët e vërtetë të drogës, por vetëm disa punëtorë. Pronarët e drogës janë zyrtarë të lartë të policisë dhe kanë mbrojtjen e vetë Ramës dhe Tahirit dhe ata janë lejuar që të kultivojnë kanabis.
Banorët tregojnë se kanë parë se si para syve të tyre kalonin furgonë e kamionë të ngarkuar me hashash dhe e shkarkonin në mes të ditës në magazinën e tharjes dhe përpunimit. Për ta përpunuar dhe tharë lëndën narkotike të mbledhur nga parcelat në mbarë zonën, pronari i kësaj magazine kishte punësuar më shumë se 30 punëtorë. Burra, gra, të rinj, madje edhe gra shtatzëna vinin çdo ditë këtu.

PD: Rama ndëshkon oficerët që zbuluan drogën dhe vihet në krah të trafikantëve

Partia Demokratike reagoi dje, ndaj pushimit të dy oficerëve të policisë që zbuluan fabrikën e drogës në Rrëshen, duke akuzuar kryeministrin Rama se, po vihet në mbrojtje të trafikanëve të drogës. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një deklarate për mediat, deklaroi se, me Edi Ramën, trafikantët dhe baronët e drogës kanë mbrojtje deri në fund.
“Ngjarje tronditëse, që dëshmojnë rreshtimin e Ramës në krah të biznesit të kanabisit kanë ndodhur pas aksionit të fundit të kapjes së sasive të mëdha me hashash në Rrëshen. Të dy agjentët kryesorë të policisë që gjurmuan dhe bënë të mundur kapjen e drogës, janë ndëshkuar, janë transferuar. Ilir Sula, shefi i Sektorit të Krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe Agron Çullhaj, shefi i Antidrogës në Lezhë, në vend që të shpërbleheshin e të promovoheshin në detyrë nga Edi Rama, janë degdisur në role periferike, pa asnjë motiv”, deklaroi Alibeaj.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD tha më tej se, Edi Rama edhe një herë qëndroi në anën e trafikantëve, dhe kundër oficerëve, burrave e grave me integritet që luftojnë drogën. “Këtë rrugë ai e shtroi edhe më parë, duke dërguar në krye të Policisë së Lezhës, një ushtar të konfirmuar të Shullazit, një njeri të kontestuar publikisht, të përfshirë në ngjarje kriminale, siç është Ermal Muça”, tha ai.
Alibeaj tha më tej se, droga, kanabizimi i vendit, lidhja e trafikantëve me qeverinë, janë një shqetësim kombëtar, i shprehur nga qytetarët, nga përfaqësuesit më në zë të opinionit publik, nga partnerët ndërkombëtarë. Shqiptarët, në shumicë dërrmuese kundër kësaj të keqeje, nuk mund të lejojnë që droga e trafikantët të mbrohen, të ruhen, të rriten nga kryeministri i vendit. Eshtë koha për t’i treguar vendin atyre, e për ti dhënë Shqipërisë, zhvillim e punë të ndershme, rend e siguri”, përfundoi Alibeaj.

Gjykata le të lirë punëtorët e hashashit: Punonim për bukën e gojës

Gjykata e Lezhës la të lirë nëntë nga 22 të ndaluarit në magazinën e drogës në Rrëshen. Të dielën do të jepet masa e sigurisë për personat e tjerë. “Nuk kishim asnjë mundësi tjetër punësimi dhe u detyruam të punojmë në magazinën e drogës”. Kështu janë shprehur të 11 nga 22 personat e arrestuar në Rrëshen, ku u sekuestruan më shumë se 7 ton kanabis.
9 prej tyre u liruan nga Gjykata e Lezhës, duke caktuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa dy të tjerë u lanë në burg. Punëtorët e punishtes së hashashit kanë sqaruar se i transportonte një furgon çdo ditë. Më pas, punonin nga 6 deri në 8 orë, në këmbim të 2 mijë lekëve të reja. Ata merreshin më pas me procesin e ndarjes së boçes nga bima dhe tharjen e saj më pas.
Gjovan Ndoj, një nga 22 të arrestuarit i lënë i lirë nga Gjykata, në magazinën e drogës tregon arsyet se përse filloi punë aty. 47-vjeçari sqaron se e kishte ditën e parë të punës, kur u arrestua nga policia. Ai shpjegon edhe procesin e punës që kryente dhe sa para përfitonte nga punëdhënësi. “Kam qenë pa punë dhe jetoj me një përkrahje sociale. Ditën e parë që shkova, ditën e parë më kapën. Pastronim me kilogramë, një kilogram ishte 20 mijë lekë”, thotë Ndoj.
Suela Bulica, edhe ajo punëtore në punishten e kanabisit po hetohet në gjendje të lirë. Ajo tregon se i kishin thënë se, në magazinë përpunohej bima e sherebelës. “Kam punuar edhe unë, për bukën e gojës. Më ka thënë se do punoja me sherebelë. Morëm vesh që kishte një punë, thamë shyqyr, për të punuar për copën e bukës së gojës, se kam 3 fëmijë të vegjël”, thotë Bulica.
Ndërsa familjarët e të ndaluarve të tjerë kërkojnë lirimin e të afërmve të tyre. Ata thonë se të gjithë të ndaluarit janë punëtorë dhe nuk kanë lidhje me pronarët e drogës. “Jemi njerëz hallexhinj, njerëz fukarenj, të pastrehë, ku thërret qameti”, thotë një nga familjarët. “Unë kam dy çunat, dhëndrin, kanë shkuar të punojnë atje edhe i kanë thënë është lule. Kanë shkuar për një copë bukë për të punuar”, thotë një tjetër.
Pavarësisht se të gjithë të ndaluarit, sipas hetuesve kishin disa muaj që punonin dhe paguheshin 2 mijë lekë të reja në ditë në magazinë, ata thonë se nuk njohin pronarin e lëndës narkotike.

Denoncimi: Policia po kërkon të shpallë pronar të fabrikës së drogës një të vdekur

Policia po kërkon të shpallë pronar të fabrikës së drogës në Rrëshen një të vdekur për të shpëtuar pronarin e vërtetë të saj. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital informon: Një akt i shëmtuar i mafies së drogës. Duan që të shpallin pronar të fabrikës së drogës në Rrëshen, me falsifikime, të vdekurin për të shpëtuar pronarin e vërtetë, Kastriot Reçin që fshihet nga Kryetari i Bashkisë, i cili i kërcënon se do dëshmojë për të gjitha lidhjet e bandës shtetërore me fabrikën! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Mirëmëngjes doktor! Për nipin e Zef Brozit, Kastriot Reçi, pronari i magazinave, pushtetarët dhe policia po tentojnë që kontratën e qirasë së magazinave të drogës në Rrëshen t’ia kalojnë në emër të djalit që u vra në Qender të qytetit, Sajmir Jaku (klani Ndrec Dedës, ish-drejtor i OSHEE për Veriun). Pra, po tentohet t’i lihet atij që nuk është më në jetë”, shkruan qytetari.
Ndonëse kanë kaluar katër ditë nga bllokimi i 7 tonë drogë në një magazinë në Rrëshen që ndodhej në mes të qytetit, policia nuk ka arrestuar asnjë nga pronarët e vërtetë të drogës, por vetëm disa punëtorë. Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda, nën mbikëqyrjen e drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi.
Burime nga policia bënë të ditur se, Reçi është një biznesmen që ka privatizuar këto magazina nga shteti dhe ka nisur biznesin e tij. Para se të falimentonte mësohet se ai merrej me mobilie. Pikërisht magazinat e mbushura me hashash përdoreshin më parë për të stazhionuar dërrasat dhe mobiliet që bëheshin aty. Por para pak vitesh ai kishte falimentuar. Këtë vit kishte vendosur që magazinat e mobilieve t’i kthente në magazina të drogës, të mbushura me kanabis.

R.POLISI

Artikulli paraprakDeliri i të Sëmurit, Greqia nis “fshesën”
Artikulli tjetërDo të kemi një program shumë të mirë ekonomik