Bylykbashi: Komisionet online, videokraci e Ramës. E papranueshme për opozitën
DEKLARATA E NËNKRYETARIT TË KOMISIONIT TË LIGJEVE, OERD BYLYKBASHI
Sot ishte mbledhja e parë e një komisioni të Parlamentit për t’u konstituuar dhe sot ishte prova e parë që Edi Rama ka vendosur videokraci. Ai do të qeverisë nëpërmjet mjetesh të cilat mohojnë demokracinë.
Deputetëve të opozitës iu mohua sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, pjesëmarrja në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe iu mohua e drejta e fjalës.
Është qartazi mënyrë për të hequr totalisht transparencën që iu duhet qytetarëve për të kuptuar kush janë aferat korruptive që Edi Rama i kthen në ligj.
Ne jemi këtu që kjo të mos lejohet.
Ne do të vazhdojmë të respektojmë Kushtetutën me mandatin që na ka dhënë populli, për t’i përfaqësuar ata siç përcakton Kushtetuta dhe Rregullorja. Do të garantojmë transparencën mbi çdo shkelje që sjell Edi Rama për t’i vënë vulën nga ky Parlament ilegjitim. Nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që nëpërmjet këtyre mjeteve, nën gjoja pretendimin që për arsyet e pandemisë, nuk duhet të zhvillohen mbledhjet fizikisht, ne do ta refuzojmë, do të jemi këtu për të përfaqësuar shqiptarët dhe për të ndaluar Edi Ramën në përpjekjen e tij që ta kontrollojë këtë shtet në të gjitha qelizat e tij.
Pyetje: Si do të reagoni nëse e njëjta situatë në mbledhjen e parë, do të vijojë edhe në mbledhjet e tjera?
Oerd Bylykbashi: Qëndrimi ynë është i qartë, ne do të marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve jam i sigurt. Opozita do të vazhdojë me të njëjtin qëndrim.
Pyetje: Nëse nuk ju jepet fjala, a quhet një “bojkot”?
Oerd Bylykbashi: Ne ishim prezent në mbledhjen e Komisionit dhe bojkoti nuk mund të jetë kurrë një vendim i Edi Ramës. Ne jemi prezent për të kundërshtuar…
Pyetje: Si do t’ia bëni?
Oerd Bylykbashi: Ky është problemi që duhet të merret media dhe duhet ta nxjerrë me transparencë të plotë. Mazhoranca, Edi Rama po i mohon opozitës që të marrë pjesë dhe të kundërshtojë në Parlament të gjitha aferat që ai përpiqet t’i kthejë në Ligj dhe në këtë mënyrë të zhvasë shqiptarët ditë për ditë.