Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau dje nënkomisarin Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës. I riu qëlloi veten me pistoletë në fyt, në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së efektivit të policisë.
Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e së martës (28 shtator) në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve.
Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal.
Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Ndërkohë policia thekson se ka arrestuar dy persona në flagrancë për ngjarjen e rëndë.
NJOFTIMI ZYRTAR
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë S. H., në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 26 vjeç dhe K. Sh., 27 vjeç, banues në Lezhë.
Ndërkohë, rreth orës 05:35 të mëngjesit të sotëm, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama.
Ekspertët mjeko-ligjorë, në prezencë të grupit hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po kryejnë autopsinë dhe gjithë veprimet e tjera ligjore.
Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.