Nga Luçiano BOÇI
Supozohet që Komisioni i medias dhe edukimit të jetë komisioni ku fjala shpaloset me gjithë fuqinë e saj, ku argumenti prevalon para gjuhës së drunjtë politike, ku nivelet e ligjërimit konkurrojnë hapur e ku në fund të ditës qytetari merr mesazhin për atë çka ndodh me të, jetën e tij fatin e tij.
Fuqia e fjalës këtu është në habitatin e vet.
Por mos harrojmë jemi në vendin e propagandës.
E përkundër lirisë së fjalës “propaganda” është shformim, burgosje e kanosje.
Dhe propaganda para se të prodhojë kundërfjalën (parrullën) nga paniku pikë së pari godet habitatin e fjalës, auditorin e saj dhe kërkon t’i vendos pengesa e ta vrasë lirinë e saj!
Këtë po bën Rama me Parlamentin, me komisionet.
Qëllimi është i qartë mbytje, asfiksim, vrasje e fjalës.
Vrasësit janë gjithmonë tinzarë.
Ata të fjalës akoma më shumë.
Prita e tyre është gjithmonë pas shpine.
Qoftë si online, qoftë si procedurë, qoftë si kufizim kohor apo ambiental!
Fjala vret më shumë se plumbi – është shprehja e famshme.
Kush vret me plumb, vret jetë njerëzore e konsiderohet kriminel.
Kush vret fjalën, vret njerëzimin.
Është shumë pak ta quash kriminel ordiner!