Pas paralajmërimit për bojkot të mësimit, tërhiqet Qeveria: Nga e hëna hiqen turnet në shkolla

Një ditë pasi prindërit përmes një peticioni paralajmëruan ministren e arsimit se do të shkonin deri në bojktotimin e mësimit në rast se nuk kthehej shkolla në normaliet, Evis Kushi ka dalë me një deklaratë të fundit.

Përmes një videomesazhi në Facebook, Kushi njofton se nga e hëna mësimi kthehet në normalitet, duke hequr turnet.

Ajo thotë se orët e mësimit do të jenë të plota dhe nuk do të ketë turne. Kujtojmë se mësimi nisi në date 27 dhe gjatë kësaj jave nxënësit kanë shkuar në shkollë me dy deri në katër turne.

Kjo solli pakënaqësi tek prindërit, të cilët kundërhstuan një urdhër të tillë, duke e konsideruar tepër të padreëjtë dhe jo efektiv.

“Nisur nga shqetësimet tuaja të drejta, por sidomos nga përgjegjësia jonë për të garantuar cilësinë në sistemin arsimor, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me MSHMS, Komitetin e Ekspertëve dhe Institutin e Shëndetit Publik për të rivlerësuar edhe njëherë së bashku të gjitha protokollet anti-COVID që zbatohen aktualisht në shkolla, e në mënyrë të veçantë me ruajtjen e distancës mes nxënësve, çka na ka detyruar që të aplikojmë mësimin me turne në disa shkolla të qyteteve më të mëdha të vendit”, tha Ministrja Kushi në video-mesazh, ndërsa shpreh mirënjohjen ndaj ekspertëve:

“U jam mirënjohëse ekspertëve, të cilët duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të vaksinimit të mësuesve, tashmë mbi 88% të vaksinuar, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”.

Duke falënderuar veçanërisht prindërit dhe mësuesit për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe për çdo shqetësim të ngritur në lidhje me cilësinë e zhvillimit të procesit mësimor, Ministrja Kushi nënvizon edhe përgjegjësinë e përbashkët për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve:

“Përgjegjësia jonë e përbashkët është edhe më e madhe për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: vazhdimi i procesit të vaksinimit; mbajtja e maskave; dezinfektimi i mjediseve; ruajtja e higjienës – në mënyrë që mos të jemi të detyruar t’i rikthehemi më skenarit të mësimit me turne. Faleminderit të gjithëve dhe suksese!”

Artikulli paraprakDita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Leskaj: Të moshuarit janë ndër kategoritë më të varfra
Artikulli tjetërNjë krahasim dashakeq