Surprizë me listën!

Surprizon Gianni de Biasi me listën e futbollistëve për ndeshjen me Izraelin në “Loro Boriçi”. Nga 26 të grumbulluarit mungojnë emra të rëndësishëm si Sokol Cikalleshi, Ergys Kaçe dhe Shkëlzen Gashi, ndonëse futbollisti i Colorado Rapids nuk do të mund të ishte i gatshëm për eliminatoren e radhës për shkak të dëmtimit që pësoi në kavilje në MLS.
Trajneri kuqezi për të tre rastet ka shpjeguar se bëhet fjalë vetëm për zgjedhje teknike, duke anashkaluar diskutimet për arsye të tjera. “Mungesa e Kaçes është për arsye teknike. Futbollistët e tjerë në mesfushë i shoh më mirë sesa ai. Cikalleshi nuk po luan në ekipin e tij. Shpresoj të gjejë skuadër tjetër, për të nuk është moment i mirë. Ndoshta unë besoj më shumë tek ai sesa ai vetë te cilësitë tij. Edhe Gashin nuk e kam grumbulluar për arsye teknike. Nuk është e thënë që një lojtar që shkëlqen me skuadrën e tij të përshtatet në të njëjtën mënyrë edhe në kombëtare, janë dy gjëra të ndryshme”, u shpreh De Biasi.
Përfshihet në listë edhe Armando Sadiku, me shpresën se me të do të ndodhë një mrekulli dhe do të jetë gati për ndeshjen e 12 nëntorit. “Sadiku po punon prej 15 ditësh në Torino në qendrën mjekësore të Juventusit. Shpresojmë ta rikuperojmë sa më shpejt, qoftë për ndeshjen tonë, qoftë për ekipin e tij, pasi është një futbollist shumë i rëndësishëm”, tha De Biasi.
Rikthehet në kombëtare pas një mungese disamujore Arlind Ajeti, tashmë i rikuperuar nga dëmtimi që pësoi te Torino para nisjes së sezonit të ri.
De Biasi foli edhe për Lenjanin. “Lenjani ka ardhur sepse kemi më pak zgjedhje në sulm. Ai gjithnjë ka bërë mirë kur i është kërkuar të ndihmojë. Në këtë moment ka probleme me ekipin e tij, por shpresoj të lëvizë diku tjetër në janar. Edhe për Cikalleshin kam konsideratë të madhe dhe ndoshta besoj te aftësitë e tij më shumë se ai vetë. Shpresoj që ai të lëvizë gjithashtu në janar, sepse te ekipi ku është nuk ka shanse të luajë”, tha ai.
I grumbulluar në momentin e fundit para takimit me Spanjën, Edgar Canit i jepet një tjetër mudësi për t’u riintegruar me grupin, ndërkohë që pjesë e listës është edhe Rey Manaj, që mbeti jashtë ndaj la Rojas për arsye dëmtimi.
Nga ekipi shpresa janë afruar gjithashtu portieri i Lazios, Thomas Strakosha duke e çuar në katër numrin e “gardianëve” kuqezi, si dhe mesfushori me tipare sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit, Eros Grezda.
De Biasi vazhdon t’i besojë Ermir Lenjanit, edhe pse 27-vjeçari nuk po luan te Rennes, pasi alternativat në krahun e majtë të mesfushës janë më të pakta. Kjo është lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Berisha, Hoxha, Strakosha, Shehi.
Mbrojtës: Aliji, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Agolli, Veseli, Ajeti.
Mesfushorë: Memushaj, Lila, Basha, Grezda, Roshi, Kukeli, Lenjani, Hyka, Xhaka dhe Abrashi.
Sulmues: Bekim Balaj, Edgar Cani, Armando Sadiku, Azdren Llullaku e Rey Manaj.

Artikulli paraprakGashi supergol në SHBA, De Biasi nuk e merr në kombëtare
Artikulli tjetërBalaj kërkon golin edhe me kombëtaren