Robert Mundell dhe eurozona

Robert A. Mundell, që ka ndërruar jetë pak kohë më parë në Itali, ka qenë një ekonomist kanadez i njohur sidomos për studimet e tij teorike lidhur me zonat valutore optimale, të shprehura në një artikull të famshëm të vitit 1961 me titull “A Theory of Optimum Currency Areas”. Bashkë me ekonomistin Arthur Laffer, ai qe edhe frymëzuesi ideologjik i së ashtuquajturës supply-side economics, një teori makroekonomike që e ka vënë theksin gjithmonë reduktimin e presionit fiskal, derregullimin dhe shkurtimet e shpenzimeve publike, duke lehtësuar kështu “peshën” ekonomike e qeverive me qëllim ndjekjen dhe promovimin e një prosperiteti të bazuar përfundimisht mbi efikasitetin e mekanizmave të trgeut. Domethënë një teori në kundërshtim të hapur me ekonominë e kërkesës (së agreguar) të markës keynesiane.

Megjithat, janë pikërisht studimet e tij mbi Zonat Valutore Optimale (ZVO) që i interesojnë analizës tonë lidhur me monedhën unike (Euro). Disa premisa të autorit do të jenë të dobishme për të inkuadruar dhe kontekstualizuar gjithçka, lidhur me bashkimin monetar europian: “Do të ishte një gabim i rrezkshëm të besohej se bashkimi ekonomik dhe monetar mund të ndodhë përpara bashkimit politik, pasi nëse krijimi i bashkimit monetar dhe kontrolli i Komunitetit ndaj financave kombëtare shkaktojnë tensione që çojnë në rënien e sistemit, bashkimi monetar do ta pengojë zhvillimin e një bashkimi politik në vend që ta favorizojë” (Nicholas Kaldor, 1971).

Në kohëra më të vonshme edhe ekonomistët Rudiger Dornbusch (1996) e Paul Krugman (1998) kanë mbështetur respektivisht kritika të forta ndaj bashkimit monetar pasi kishin nuhatur se braktisja e përqindjes fleksibël të këmbimit do ta transferonte tek tregu i punës detyrën e rregullimit të konkurrencës dhe çmimet relative, si edhe humbjet e prodhimit e të punës do të përfundonin duke mbizotëruar; veç kësaj, që rreziku i rrëshqitjes në deflacion do kishte qenë vërtet konkret. Ajo që ka ndodhur realisht më pas në Europë praktikisht i ka transformuar në profeci ato që disa ekonomistë kishin shkruar: “Rregullimet ndaj goditjeve të jashtme (si kriza e subprime) janë transferuar në tregun e punës (dhe, nëpërmjet rritjes së papunësisë, tek rrogat), gjë që ka vënë nën presion ekonomitë kombëtare dhe ka larguar perspektivat e ngritura mbi një bashkim politik”. (A. Bagnai, 2016)

Duke u kthyer tek Mundell, qysh nga viti 1965 ai kishte parashikuar një zonë monetare europiane paralele me atë të dollarit e të stërlinës dhe në dhjetorin e 1969 paraqiti një dokument në favor të krijimit të një monedhe europiane që, i përpunuar, u bë “Plani për një monedhë europiane” i tij, që e lançoi në marsin e 1970 në Konferencën e Madridit për zonat valutore optimale.

Në procesin historik e bashkimit monetar europian, që shkon nga Plani Werner tek Traktati i Maastricht, ka pasur gjithmonë një lloj konflikti të brendshëm midis “ekonomistëve” e “monetaristëve” dhe në këtë skenar Mundell u rreshtua fuqimisht nga ana e “monetaristëve”, të cilët besonin se fiksimi i koeficentëve të shkëmbimit dhe adoptimin e një monedhe të përbashkët do të siguronte një konvergjencë të mjaftueshme të ekonomive që synojnë të bashkohen në një “bashkim”, sidomos referuar përqindjeve të inflacionit dhe të interesit (të tyre). Siç doli në debatin akademik, e rëndësishme ishte të kuptohej se “duhej të hiqej dorë në mënyrë të besueshme nga ideja e pasjes së një politike monetare kombëtare të pavarur dhe krijuar institucionet e nevojshme për menaxhimin e një politike monetare të përbashkët”. Nga ana tjetër, “ekonomistët” mendonin se vetë nëpërmjet një procesi të gjatë konvergjence të ekonomive mund të shkohej, si kurorëzim, në futjen e një monedhe të përbashkët. Midis këtyre të fundit gjermanët, që imponuan kushtet më rigoroze të mundshme për krijimin e monedhës së përbashkët, ashtu siç u deduktua më pas nga kriteret e Maastricht dhe nga Pakti i Stabilitetit.

Sot Eurozona, një zonë që qysh nga 2015 përfshin 19 vende anëtare të Bashkimit Europian që kanë pranuar euron si valutën e tyre zyrtare, prej strukturës juridiko – monetare të veçantë të saj është subjekt krizash të vazhdueshme që nga shumë ekonomistë janë interpretuar si një realizim i munguar apo i keq i një zone valutore optimale (ZVO, në anglisht OCA, Optimum Currency Area). Në realitet një analizë e kujdesshme e krizave (ose më mirë e goditjeve) bën që të mendohet se teoria e Zonave Valutore Optimale (ZVO) nuk jep shpjegime të vlefshme, përkundrazi.

Le të shikojmë shkurtimisht se në çfarë konsiston një teori e tillë. E përpunuar nga ekonomisti kanadez R.A. Mundell (1961), quhet zonë valutore optimale ajo që karakterizohet nga një fleksibilitet dhe mobilitet i përsosur faktorësh prodhimi. Në këtë mënyrë goditjet asmetrike, që godasin një ose më shumë shtete anëtare, mund të absorbohen nëpërmjet moblitetit të përsosur të faktorëve prodhues, sidomos të faktorit punë dhe të kapitaleve, që për pasojë mundësojnë një aftësi automatike axhustimi të tregut. Prandaj për një grup vendesh, për të cilët ekziston një integrim i ngushtë lidhur me shkëmbimet ndërkombëtare dhe lehtësie në lëvizjen e faktorëve prodhues, do të konvenionte të krijohej një zonë shkëmbimesh fikse apo një bashkim monetar.

Teoria e Zonave Valutore Optimale thekson se bashkimi monetar favorizon mobilitetin e faktorëve prodhues (kapital dhe punë), si edhe një integrim më të madh financiar midis vendeve që i përkasin të njëjtës zonë. Në idenë e ekonomistit kanadez, mobiliteti i punës mundëson që të mund të përballohet një goditje asimetrike nga ana e një rajoni që i vuan paosjat. Mobiliteti i kapitalit, për t’u nënkuptuar praktikisht në mënyrë identike me integrimin financiar, mundëson konvergjencën midis përqindjeve të interesit në vendet që i përkasin të njëjtë zonë falë edhe mungesës së rrezikut të shkëmbimit (në zonën euro konvergjenca në përqindjet e interesit e titujve publike është mundësuar falë politikës monetare të BQE).

Megjithatë, duke ecur me radhë, lidhur me mobilitetin e punës (për më tepër një koncept derivimi të drejtpërdrejtë i ekonomise neoklasike, sipas të cilit në vende ku mbizotërojnë rroga reale më të larta duhet të asistohet në një emigracion të përmbajtur në hyrje) nuk duket aspak se ai është një faktor i verifikuar në mënyrë të vendosur në euro, përkundrazi; nuk mendohet se ai ka qenë një faktor përcaktues në riekuilibrimin e goditjeve asimetrike, pikërisht sepse baza konceptuale e tij mbështetet mbi një impiant teorik gjerësisht i kritikuar dhe i përgënjeshtruar.

Le të japim një shembull për ta sqaruar më mirë çështjen. Për çfarë motivi të papunët italianë do të duhej të transferoheshin në vende të tjera europiane për të gjetur punë? Presupozimi është se në këto vende ekziston e gjithë puna që nuk është në Itali (e gjithë papunësia europiane është papunësi friksionale e thjeshtë). Do të mjaftonte të emigrohej për të gjetur në tregun e përbashkët europian të punës mundësi të pafundme punësimi. Realiteti është se bëhet fjalë për një vizion të deformuar të mënyrës sesi funksionon ekonomia dhe arësyet themelore janë si vijon: ky vizion mbështetet pasi mobiliteti i punës është jashtëzakonisht funksional për kapitalin. Ky model i Europës është strukturalisht i konceptuar në mënyrë të tillë që bëhet e pamundur të ndiqen politika punësimi funksionale. Në projektin europian papunësia është norma (të mendohet për shembull për Output-gap dhe për NAIRU). “Mundësia e garantimit të punësimit të plotë zhduket nga horizonti programatik i çdo qeverie: për këtë Europa nuk ngre as problemin sesi të krijohet punë në Itali, por në fakt ngre problemin sesi të spostohen të papunët italianë jashtë vendit të tyre. Konsiderohet se i papuni duhet të largohet, duke marrë për të mirëqenë faktin se shteti nuk do të preokupohet kurrë për të krijuar punë atje ku nuk ka, nuk do të veprojë kurrë për ta luftuar varfërinë dhe zhvillimin e pakët.

Faktikisht masat e të papunëve në lëvizje do të vepronin si një forcë që i shtyn për poshtë rrogat në zonat më të zhvilluara, ku këta të papunë i bëjnë konkurrencë të punësuarve nga një pozicion dizavantazhi: sepse pa punë, sepse të huaj, sepse rrënjëshkulur, sepse të fundit. Ideali europian i mobilitetit të punës përputhet përsosshmërisht me kategorinë analitike e “ushtrisë industriale rezervë” të shpikur nga Karl Marx.

Lidhur me lëvizjen e kapitaleve opinioni është se nuk është një faktor pozitiv siç përshkruhet shpesh. Realisht, fakti që disa biznese private mund të vendosin lirisht ta delokalizojnë prodhimin jashtë kufijve kombëtarë, mund ta ashpërsojë konfliktin shpërndarës midis klasave shoqërore brenda vendit, duke e drejtuar në favor të klasës së biznesit. Kështu që nuk duket se në perspektivë liria e lëvizjes së kapitalebe prodhon ato efkete të shpresuara ndaj rritjes së prodhimit. Një fuqi kontraktuese më e ulët e klasës punëtore herët a vonë mund të shkaktojë rroga reale më të ulëta dhe, për pasojë, në nivel më të ulët të kërkesës së agreguar dhe të prodhimit. Pastaj është edhe aspekti që ka të bëjë me politikën fiskale. Teoricienët e ZVO nënvizojnë se me qëllim që një zonë valutore të quhet optimale është e nevojshme ekzistenca e një bashkimi monetar e fiskal, domethënë i një bilanci publik të përbashkët në të gjithë zonën, në mënyrë që goditjet eventuale asimetrike të mund të përballohen me stabilizues të duhur automatikë, domethënë nëpërmjet transferimesh fiskale në favor të rajoneve që shfaqin një humbje prodhimi dhe punësimi.

Kjo është një pikë delikate e problemit, pasi në Eurozonë, ndryshe nga sa ndodh në Shtetet e Bashkuara, nuk është i pranishëm një bashkim fiskal. Me euron, politika monetare është bërë e përbashkët, ama vendimet e politikës fiskale merren veçmas nga vendet e veçanta (megjithëse të detyruar nga Traktati i Maastricht). Mungon një sistem i centralizuar transferimesh, në gjendje të “mbështesë” aftësinë shpenzuese e vendeve në vështirësi. Në rast se vërejmë kontekstin europian, sidomos tregun e përbashkët, kuptojmë më së miri se këto kapacitete “axhustimi” nuk janë të pranishme, siç nuk janë edhe ato atuomatizma të natyrës fiskale dhe/ose financiare që do të mundësonin të absorbohej goditja, me qëllim përcaktimin e një rialokimi të “zakonshëm” të resurseve. Goditje që, fatkeqësisht, janë manifestuar me një forcë të tillë sa të bëjnë të shfaqen të çara të mëdha në arkitekturën monetare, të tilla sa të bëjnë të bjerë e gjithë Eurozona në një situatë ku krizat ekonomike – herëpasëhere të shkaktuara prej faktorësh si endogjenë, ashtu edhe ekzogjenë (nga kriza financiare e periudhës 2007 – 2 008 deri në këtë të fundit shëndetësore) – janë normaliteti, mund të themi thuajse “endemike”.

Në tërësi, kemi parë sesi vendet që aderojnë në monedhën e vetme, duke i dhë jetë Eurozonës, faktikisht nuk kanë krijuar një Zonë Valutore Optimale, edhe në dritën e goditjeve të vazhdueshme që, siç e kemi thënë, kanë bërë të shfaqen kritikat e sistemit monetar europian dhe të vetë kornizës së Bashkimit Europian, me institucionet e tij. Thënë këtë dhe duke konkluduar përtej spekulimeve të thjeshta teknike, në teorizimin e Optimum Currency Area ka mundësi që Mundell kishte idealizuar që ta vendoste monedhën e vetme edhe në një perspektivë më të gjerë respektivisht me projektin “lokal”, duke nënkuptuar me këtë projektimin drejt një sistemi monetar ndërkombëtar, prej vetë atij i analizuar gjerësisht. Ekonomisti kanadez ishte fuqimisht i bindur se ekzistenca e “një spirance monetare të qëndrueshme” ishte esenciale.

Por teoritë e tij kanë shkaktuar jo pak probleme dhe dëme. Euro nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka sjellë në Europë derregullimet e Reagan dhe Thatcher. Siç shkruan Jude Wanniski në “Wall Street Journal”: “Pa influencën e Mundell, Ronald Reagan nuk do të ishte zgjedhur”. Ekonomia e ofertës (supply-side economics), e teorizuar nga vetë Mundell, qe modeli ekonmik i të ashtuquajturës “Reaganomic” (ose, sipas përkufizimit të dhënë nga George Bush baba, “ekonomia voodoo”): “Një besim magjik në ndërhyrjet prej sharlatani të ekonomisë së tregut që ka frymëzuar edhe politikën e zonjës Thatcher”. Siç thotë vetë Mundell si euro, ashtu edhe Reaganomic, frymëzohen nga e njëjta “filozofi”: “Disiplina monetare u imponon politikanëve edhe një disiplinë fiskale”. Dhe akoma “Euro do të  përshtatet plotësisht me funksionin e saj vetëm kur do të ndodhin situata krize. Eliminimi i kontrollit të ushtruar nga qeveritë lidhur me monedhën e tyre do t’u pengojë tersave të zgjedhur nga populli që të përdorin karburantin keynesian, fiskal ose monetar, për ta nxjerrë vendin e tyre nga reçisioni”.

Është krejtësisht e qartë se mbi bazën e premisave të tilla, me shfaqjen e një krize, vendet që aderojnë në euro, të neutralizuara në planin financiar dhe ekonomik, nuk kanë zgjedhje të tjera përveç atyre të zbatimit të politikave të orientuara ndaj derregullimit, privatizimit të shërbimeve publike, deflacionit të rrogave, duke braktisur braktisur idenë e ndjekjes së politikave të mbështetjes ndaj prodhimit, punësimit, me reperkursione të rënda ndaj shtetit social dhe rritjes ekonomike.

(nga CSEPI)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakHumbi jetën nga Covid-19 gazetari sportiv  
Artikulli tjetërDetaje të reja, kush ishin dy personat që u vranë në Elbasan (Foto)