PS ka vendosur në mënyrë të njëanshme të kufizojë kohën e opozitës në seancen e sotme, në shkelje të Rregullores së Kuvendit.
Megjithëse sot janë në diskutim (mos)ngritja e komisioneve hetimore dhe disa dekrete të rëndêsishme të Presidentit për kthim ligji, PS e kufizoi në më pak se 2 orê kohën për Grupin Parlamentar të PD dhe opozitën.
Kryetari i Grupit Parlamentar Alfred Rushaj kërkoi shfuqizimin e vendimit, bazuar në të drejtën e përcaktuar në Rregullore.
“Rregullorja e Kuvendit në mënyrë të qartë ka parashikuar të drejtën e çdo deputeti që të flasë 10 minuta me përjashtim të rasteve kur Rregullorja kur parashikon ndryshe dhe i vetmi rast kur Rregullorja parashikon ndryshe është kur kemi kohën e diskutimeve të lira, kohën e replikës, apo kohën e procedurës.
Në të gjitha rastet e tjera deputeti ka të drejtë që të flasë 10 minuta. Ajo çfarë është vendosur në Konferencën e Kryetarëve në mënyrë të njëanshme është në shkelje të hapur të Nenit 48, pika 1 dhe pika 3 e Rregullores.
Parashikohet që vetëm kur quhet e nevojshme për çështje konkrete koha e diskutimeve mund të caktohet paraprakisht në Konferencën e Kryetarëve.
Këtu nuk ka asnjë çështje konkrete.
Kjo është një seancë normale e zhvilluar në mënyrë normale e normuar nga Rregullorja dhe për rrjedhojë çdo deputet ka të drejtë të flasë 10 min.
Ne e kuptojmë që ju nuk doni të na lini të flisni, e keni problem që ne të themi ato gjëra që duhet të themi këtu, por kjo nuk është diçka që mund dhe duhet ta vendosni ju.
E ka vendosur Rregullorja e Kuvendit dhe unë ju ftoj që tani të mund ta shfuqizoni atë vendim dhe t’i jepni fjalën sipas Rregullores çdo deputeti 10 minuta”, tha zoti Rushaj.