Nga Xhelal MZIU
Kriza që ka kapluar sot Shqipërinë është mbi të gjitha krizë e qeverisë dhe me kryeshkaktarin Rama, e cila ka mbërthyer prej 8 vitesh edhe Qarkun e Dibrës. Qarku Dibër është më i varfëri në Republikë, pavarësisht resurseve të mëdha natyrore, minerare, bujqësore dhe turistike.
Në këto 31 vite demokraci kemi dy kryeministra që kanë ndjellë krizë, ish-kryeministrin Bufi, i fundit i PP që futi në krizë vendin me 7 ditë bukë (për fat të mirë ndodhi rotacioni politik) dhe Rama i rilindjes që mbjell frikë pa arsye dhe është i vetmi KM që lumturohet kur ka fatkeqësi natyrore dhe kriza për t’i shfrytëzuar për propagandë.
Por dhe i vetmi KM që krijon kriza nëpërmjet rritjes së taksave, emigracionit, oligarkëve, drogës, krimit dhe korrupsionit dhe i bindur që shumë shpejt do të ndodhë rotacioni i tij.
Miniera e Bulqizës është kthyer në “makth” për minatorët dhe në “Ar” për qeverinë dhe oligarkët, por ende asnjë hap për miratimin e statusit të minatorit.
Në minierën e Bulqizës, vetëm para pak kohësh humbi jetën një minator, por qeveria dhe institucionet vendore nuk morën asnjë masë parandaluese.
Për të mos folur më pas për fëmijët që punojnë duke mbledhur gurë kromi për bukën e gojës, por cfarë bën kryeministri jonë, rrit edhe cmimin e bukës?!
Por ky shtet nuk ka as informacionin sesa galeri janë në punë, sa prej tyre kanë leje shfrytëzimi, e sa e sa pa liçensa, duke mos pyetur për sigurinë e punëtorëve ku janë të gjithë pothuajse pa sigurime shoqërore. Sigurisht kjo ndodh kur “Mafia e kromit” e ka kapur për fyti qeverinë. Sektori minerar është më fitimprurësi, por lidhjet e fshehta të pushtetarëve me botën e “krimit” nuk e lejojnë të sjellë të ardhura për buxhetin e shtetit por për njerëz me prapavijë të “errët” të lidhur me qeverinë.
Kriza e kësaj qeverie për fat të keq tashmë po u faturohet qytetarëve të varfër, me rritjen e çmimeve, për shkak të një pakete fiskale progresive, informaliteti të lartë nga oligarkët dhe mungesës së një platforme të qartë të zhvillimit të ekonomisë prodhuese per të rritur punësimin dhe eksportin, por tek sektori i ndërtimit për shkak të parave të krimit, drogës, korrupsionit dhe të remitancave.
A është normale në një vend ku janë larguar mbi 70% e të rinjve, ku 97% e familjeve janë në varfëri ekstreme, ku paga mesatare është 69% më e ulët se vendet e BE? Ku të ardhurat për frymë janë më të ultat në rajon?
Pjesa dërrmuese e qytetarëve jetojnë me një ndihmë ekonomike 4 mijë lekë në muaj ose pa asnjë të ardhur mujore, si mund ta përballojnë rritjen e cmimit të bukës, të produkteve të shportës, të energjisë elektrike dhe të naftës?!
Mbi 170 mijë banorë në Dibër vuajnë furnizimin me dru zjarri, ku një metër kub kushton 80 mijë lekë ndërkohë bashkia nuk ka kontraktuar kompani për furnizimin me dru për ngrohje.
Edhe pse ky qark ka resurse në bujqësi, asnjë investim nuk është bërë në sistemin e vaditjes, ku me mijëra hektarë tokë është lënë djerrë.
Fermerët për shkak të mungesës së fuqisë blerëse dhe të një tregu formal janë detyruar të groposin me tonelata frutash dhe perimesh.
Energjia elektrike është dyfishuar në këto 8 vite, por asnjë investim nuk është bërë në rrjetin energjitik në këtë qark.
Shqipëria siguron gati 100% të energjisë ndërkohë çmimi i saj është mbi koston reale, më e shtrenjta në rajon e Europë.
Ne prodhojmë mbi 70% të nevojave për naftë por sa është kosto reale e saj, sa paguhet në shtet, pse mbi 65% e cmimit të naftës është taksa, tatime, aksiz dhe taksa Rama 240 lekë/litër?
Pse qytetarët e Dibrës dhe të Bulqizës shkojnë në Dibrën e madhe dhe furnizohen me naftë që është 500 lekë/litër më pak se në Shqipëri, pavarësisht transportit të saj nga Durrësi?
Pse bizneset kanë falimentuar në këtë qark dhe shkojnë në Dibër të madhe per tu furnizuar me produktet e shportës?
A keni informacion që çdo ditë në doganën e Bllatës kalojnë mesatarisht 100 mijë Euro naftë, produkte ushqimore dhe veshmbathje?
Pra 36 milionë Euro import në vit për shkak të politikës diskriminuese fiskale rajonale që ka qeveria e Rilindjes?!
Qeveria Rama premtoi uljen e borxhit publik në 60% në këto 4 vite, por kërkesa për marrjen e eurobondit prej 700 milionë euro e çon atë në mbi 90% të GDP duke e rritur më tej barrën e qytetarëve shqiptarë.