Nga Bujar LESKAJ
Është për të ardhur keq që shumica parlamentare dekretet e Presidentit për kthimin për shqyrtim të ligjit “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i shqyrton ende me sy partiak, me një miopi të theksuar, kur në fakt dekretet e ndihmojnë qeverinë, maxhorancën dhe opozitën. Mbi të gjitha, ato ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.
Kthimi për shqyrtim i këtyre dekreteve duhet të na bëjë ne si deputetë të Kuvendit, që të reflektojmë për pasojat e ndryshimeve, të propozuara në dy aktet normative të Këshillit të Ministrave, të cilat shkojnë negativisht në këto drejtime:
1. Ulje të qëndrueshmërisë financiare të vendit.
2. Përkeqësim të parametrave të borxhit publik zyrtar, i cili llogaritet 80% zyrtarisht, por të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm që është 100% e PBB-së, po të përfshihen detyrimet e papaguara, vendimet gjyqësore të paekzekutura, vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar dhe kostot e pareflektuara në bilancin e shtetit të projekteve të dhëna në formën e koncesioneve PPP.
3. Ulje të kredibilitetit të financave publike.
4. Mungesë të garantimit të qëndrueshmërisë fiskale dhe shtim të risqeve fiskale.
5. Dobësim të menaxhimit me përgjegjshmëri të fondeve publike.
6. Mungesë të planifikimit dhe programimit të rregullt të shpenzimeve publike dhe nxitje të vendimmarrjes për të financuar programe dhe projekte mbi baza klienteliste.
Nga 3 akte normative në vitin 2015 dhe 2 të tilla në vitet 2016-2019, tashmë këto 3 vjetët e fundit, sekti Rama e ka bërë zakon që të vijnë 4 akte normative nga qeveria. Me miratimin nga ana e maxhorancës të dy akteve normative të kthyera për shqyrtim nga Presidenti, duke parë dhe nga sa u diskutua në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, në thelb Kuvendi shndërrohet në një noter të vullnetit dhe dëshirave të qeverisë. E bën këtë, pa marrë parasysh faktin se ky vullnet dhe këto dëshira prezantohen në një kohë tepër të vështirë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, në përballje me emergjencën dhe krizën energjetike në nivel europian dhe botëror, e cila u deklarua edhe nga lideri global 1 javë më parë.
Le të marrim një shembull në propozimin e aktit normativ të ndryshimit të investimeve, të shtimit me 3 miliardë lekë të financimit për Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Në fakt, ky fond këto para i përkthen në projekte, në rifinitura dhe kozmetikë, në projekte e fasada me pak ose aspak vlerë të qendrave të qyteteve tona. Sjell në vëmendje shembujt skandalozë të gjoja rivitalizimit të Sheshit të Flamurit dhe të Sheshit të Skelës në Vlorë, me vlerë përkatësisht 6,7 dhe 5,3 milionë euro, të cilat janë shpenzime jo me efiçiencë, ekonomicitet dhe efikasitet të fondeve publike. Për më tepër, në fondin e Sheshit të Flamurit është një dëm ekonomik i pastër prej 1 milionë eurosh, për të cilin Partia Demokratike e Vlorës ka bërë kallëzim penal në prokurori në fillimet e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.
Së dyti, Ministria e Infrastrukturës, e cila mund të përkthehet lehtësisht në ministria e keqmenaxhimit, në garën për tunelin e Llogarasë zgjodhi ofertën me vlerë më të lartë, 170 milionë euro, nga 158 milionë euro që ishte oferta e dytë. Me të drejtë deputeti i Shkodrës Helidon Bushati e denoncoi këtë fakt, duke denoncuar ministrinë dhe duke e paralajmëruar në emër të PD-së për kallëzimin penal prej 12 milionë eurosh, që është diferenca e ofertës së shpallur fituese me atë që është me vlerë më të ulët.
Dua t’ju kujtoj deputetëve, por edhe qytetarëve vlonjatë, që në mars të vitit 2021, për këtë prokurim, ministria, si autoriteti përgjegjës, ka refuzuar një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një konsorciumi, me të përbërje një kompani turke dhe një shqiptare. Pra, në rast se do të bëjmë llogaritë dhe pa dyshim, Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund kësaj, si dhe unë dhe të gjithë deputetët e Vlorës, dëmi ekonomik dhe abuzimi nuk del 10 milionë euro, por është 60 milionë euro!
Ne faktet do të vazhdojmë t’i prezantojmë, pasi të kërkojmë edhe zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës dokumentet përkatëse të refuzimit të ofertës në mars të vitit 2021, si dhe çfarë ka ndryshuar dhe çfarë përfitojnë më shumë qytetarët shqiptarë në tunel, me vlerën më të lartë 170 milionë euro të ndërtimit të tij.
E njëjta gjë mund të thuhet për shtimin e financimit të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, me 1 miliardë lekë, për sigurinë e informacionit të digjitalizuar, në një kohë kur buxheti i shtetit është i detyruar, për shkak të emergjencës, që të pezullojë investimet në OST dhe OSHEE. Fare lehtë mund të pezullohej edhe ky investim dhe të kalonte në vitin tjetër.
Nuk po përmend shpërdorimet e akumuluara në infrastrukturë, të cilat i kapërcejnë të 4,8 miliardë eurot. Mes tyre, prokurimet e zhvilluara për Unazën e qytetit të Tiranës, përmes një rrjeti të sofistikuar, kanë kaluar në atë, që mediat me të drejtë e kanë denoncuar si megaskandal.
Kjo nuk është gjetja ime, por e mediave kurajoze dhe të vëmendshme, që kompanitë futen në garë dhe kompania x që fiton një prokurim apo një lot të caktuar, me të njëjtat kritere konkurron te loti i dytë dhe, kur e ka ofertën e ulët, nuk i plotëson kriteret dhe s’kualifikohet.
Ndryshimet e propozuara në aktin normativ për investimet shkojnë në kundërshtim flagrant me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore. Vetëm 2 ditë më parë, misioni i FMN-së theksoi: “Rritja e shpejtë e stokut të detyrimeve nga koncesionet e formës PPP, i cili pritet të arrijë në 50% të PBB-së për këtë vit, nga 33% në vitin 2018, kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike”( https://www.imf.org/en/News/Articles/2021/10/12/mcs101221-albania-2021-article-iv-consultation-concluding-statement ).
Nëpërmjet këtij akti normativ realizohet pikërisht e kundërta: mungesa e plotë e përgjegjshmërisë dhe e disiplinës në përzgjedhjen e investimeve publike. FMN cilësoi po ashtu se “Investimet publike të financuara me burime të brendshme dhe që nuk lidhen me tërmetin janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020”.
Për FMN-në, sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme.
Miratimi i këtyre akteve normative nga maxhoranca në thelb zeron respektimin pikërisht të rekomandimeve të mësipërme të FMN-së.
Ky institucion na këshillon të punojmë për të bashkërenduar përpjekjet, për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë risqet fiskale në rritje, ku mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore, është një sfidë për të gjithë ne, edhe për qeverinë, por edhe për opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët.
Nëse i miratojmë këto akte normative (veçanërisht këtë të dytin që ka të bëjë me investimet), rrezikojmë shndërrimin e investimeve publike dhe jetike për vendin në një aventurizëm pa cak e pa rregulla të asfaltit dhe të betonit elektoral, të fasadës të shtrirë edhe në këto vite të qeverisjes së tretë të socialistëve, të cilat uroj të jenë sa më të shkurtra, pse konsumohen në mohim të plotë të qasjes së buxhetimit afatmesëm dhe të respektimit të ligjit organik të buxhetit të shtetit.
Skema kriminale e Autoritetit Rrugor Shqiptar, që u jep tendera me rotacion oligarkëve për të fituar 100 milionë euro nga tenderat e Unazës së Madhe, një gjetje e mediave kurajoze, do të thellojë tunelin e korrupsionit të qeverisë Rama 3, së bashku me shkeljet dhe abuzimet që deklarova për tunelin e Llogarasë.
Dua ta mbyll këtë shkrim, duke cituar reflektimin e gjerë dhe të thellë të problematikave të sjelljes ndaj sipërmarrjes, nga raporti zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit i vitit 2021 për klimën e investimeve në vend “Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, mungesën e transparencës në prokurimet publike, konkurrencën e padrejtë, ekonominë joformale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka zvogëluar mundësinë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me subjektet politike dhe private, përfshirë disa që shkuan në arbitrazhin ndërkombëtar” (Raporti “Deklaratat e klimës së investimeve. Shqipëri 2021”, fq. 7, https://www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/albania/) .