Vrasja në Sarandë, vendi nën sundimin e krimit

44-vjeçari Artan Hoxha, baba i dy fëmijëve, vrarë nga maskat të dielën në një pikë karburanti në Sarandë është përcjellë dje në banesën e fundit mes lotëve dhe dhimbjes, por për familjarët tronditja është mjaft e madhe. I dashuri i tyre mbeti i vrarë në vendin e punës, një pikë karburanti në Sarandë, gjatë një grabitjeje me armë.
Të gjithë kanë mbetur të shokuar nga ngjarja, familjarë, miq e shokë. 44-vjeçarin ata e përshkruajnë si njeri të qetë, punëtor e të dashur. Gruaja e tij, Zana Hoxha rrëfen mes dhimbjes, se bashkëshorti i saj i ndjerë punonte shumë për të siguruar para për familjen, dhe përpiqej të mundësonte blerjen e ilaçeve për vajzën e sëmurë, 15 vjeç. Ndërsa, djalin 21-vjeçar e kishte marrë me vete tek puna, për të nxjerrë edhe ai sadopak të ardhura. Jeta për ta nuk ishte e thjeshtë, pasi kushtet në të cilat jetojnë janë të vështira.
Vëllai i Artan Hoxhës, i cili ka marrë me qira një lavazh pranë karburantit ku mbeti i vrarë 44-vjeçari, i bën apel organeve të drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Ndërsa në të kundërt, ai thotë se do të ketë vetëgjyqësi. “Nëse drejtësia nuk flet siç duhet, atëherë do bëj vetëgjyqësi”, shprehet i vëllai i viktimës mes lotësh.

Viktima punonte natën për ilaçet e vajzës

Artan Hoxha, i cili mbeti i vrarë ditën e dielë gjatë grabitjes së karburantit ku punonte, nuk ka patur një jetë aspak të lehtë. 44-vjeçari nga fshati Gjashtë i Sarandës, punonte për të mbajtur familjen e tij, e cila jeton në kushte të vështira. Nisur nga kushtet e vështira ekonomike dhe sëmundja e vajzës së mitur, Hoxha ishte detyruar të punësonte në lokalin e këtij karburanti edhe djalin e tij 21 vjeç, Denisin.
Të dy, babë e bir, ata duhet të siguronin të ardhura për të bërë të mundur blerjen e ilaçeve dhe trajtimin mjekësor të të voglës në familje. Por, gjatë grabitjes së mbrëmshme të karburantit, Artan Hoxha mbeti i vrarë, ndërsa disa orë më pas Policia e Sarandës bëri të mundur arrestimin e autorit, Arqile Koçi, 27 vjeç. Nga hetimet paraprake rezulton fatale për 44-vjeçarin. Ka qenë ndonjë lëvizje e momentit e tij, gjë që ka trembur autorin e grabitjes. Pasi ka marrë lekët dhe ka tentuar të largohet, grabitësi është kthyer dhe ka goditur punonjësin e karburantit, i cili qëndronte ulur nën një tavolinë.

Vendi nën sundimin e krimit

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD, Flamur Noka, ka bërë përgjegjëse qeverinë për situatën e rënduar të krimeve. Ai tha se, viktima në Sarandë punonte për të siguruar ilaçet e vajzës së sëmurë. Sipas tij, Ramës i ka përfunduar kontrata me qytetarin dhe se ata duhet të marrin situatën në dorë për të sjellë një qeveri të re për të ofruar rend dhe siguri.
“Vrasja e 44-vjeçarit në Sarandë, një dramë e madhe që tregon gjendjen e rëndë në vend, pasigurinë e sundimin e krimit. Ja ku e çoi Edi Rama vendin, duke e ndarë në dy botë. Një qytetar i ndershëm që punon roje natën në karburant për të siguruar ilaçet e së bijës të sëmurë, dhe në botën tjetër, njeriun e drogës që kalon gjithë Sarandën me çifte në dorë, pa asnjë pengesë dhe vret me gjakftohtësi për të marrë 600 mijë lekë. Edi Rama ka hequr dorë nga detyra e tij për të siguruar rend dhe ka krijuar parajsën për drogën e drogmenët, grabitësit e banditët me armë. Pak kohë më parë u tha karburanteve të sigurohen vetë se shteti nuk bën dot detyrën e tij. Ky është fundi i kontratës. Qytetarët nuk kanë zgjedhje tjetër, të marrin situatën në dorë e të sjellin në krye një qeveri që bën detyrën, që ofron rend e shtyp krimin pa mëshirë”, shprehet Noka.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:55 të së dielës, kur një person që drejtonte një motor të kuq dhe me skafandër në kokë ka hyrë në lokalin e karburantit ku punonte Artan Hoxha, 44 vjeç, banues në fshatin Gjashtë. Në ato momente në lokal ndodheshin dy punonjësit e lokalit dhe punonjësi i karburantit, Artan Hoxha. Vrasësi, pasi mbërrin me motorin e tij dhe pushkën që e mban të hedhur pas krahëve, zbret nga mjeti dhe ia drejton armën 44-vjeçarit Artan Hoxha dhe qëllon drejt tij. Më pas, grabitësi futet brenda karburantit ku merr edhe shumën prej 600 mijë lekësh dhe me qetësi largohet me motorin e tij.

FRPD Sarandë: Vetëm këtë vit janë bërë 4 vrasje

Forumi Rinor i Partisë Demokratike Sarandë ka reaguar pas vrasjes së punonjësit të karburantit në Qafë Gjashtë. Kreu i FRPD Sarandë, Jolio Dine tha në një deklaratë për mediat, se në Sarandë është rritur frikshëm krimi, duke numëruar për këtë vit 4 vrasje, ndërsa nga 2013, 8 vrasje në total.
Ai iu bëri thirrje oficerëve të ndershëm të policisë të bëjnë maksimumin e tyre për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve, pasi sipas tij, thirrja për uniformat e inkriminuara ka kohë që po bie në vesh të shurdhët. “Duke shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit Artan Hoxha, fatkeqësisht po denoncojmë sërish atë çka prej kohësh po ndodh në Sarandë. A mund të mjaftojnë imazhet e aksionit të shpejtë të arrestimit të vrasësit të babait të dy fëmijëve, për të mbuluar këtë pamje?!
Një vrasës gjakftohtë që vjen nga rruga nacionale, me armë në krahë, e pas vrasjes largohet po me çifte në dorë, duke përshkruar pothuajse gjithë Sarandën deri sa strehohet në lagjen nr.4, thua se jemi në vitin e mbrapshtë 1997, kur njerëzit lëviznin lirisht me armë nëpër duar pa u shqetësuar nga askush. Kush mban përgjegjësi që në Sarandë qenka kaq lehtë të lëvizësh i armatosur dukshëm gjatë orëve të natës? Po për jetën e një njeriu, prindit që punonte natën për të blerë ilaçet e së bijës së sëmurë, a përgjigjet kush? Po nëse ai vrasës do të përballej rrugës me qytetarë të tjerë, a do të mbante njeri përgjegjësi për krimin e radhës?”, thuhet në deklaratën e kryetarit të FRPD Sarandë.
“Në fakt, askush nuk mban përgjegjësi, sepse në Sarandë kriminaliteti po arrin kulmin. Ende pa u mbyllur viti 2016, janë shënuar 4 vrasje me armë zjarri, dy prej të cilave të ndodhura me motiv grabitjen, shifra më e lartë kjo e 10 viteve të fundit për këtë rreth. Për periudhën shtator 2005-shtator 2013, kur qeveriste Partia Demokratike, Saranda numëronte mesatarisht 1 vrasje në vit, ndërkohë që prej shtatorit 2013, pra, në pak më shumë se tre vjet qeverisje të Rilindjes së famshme, janë shënuar 8 vrasje, njëra prej të cilave ende e pazbardhur.
Në fakt nuk mund të presim asgjë më shumë nga drejtimi policor i të emëruarve të Rilindjes që nga mavi ka marrë ngjyrën e zezë të mafies, pasi tashmë roli i policisë pas sigurimit të kultivimit të drogës është kthyer në garantimin e trafikimit të saj, duke shpërthyer kufijtë tokësorë e detarë, saqë krismat e armëve po terrorizojnë kufirin shqiptaro-grek.
Partia Demokratike Dega Sarandë i bën thirrje oficerëve të ndershëm të Policisë së Shtetit, të bëjnë maksimumin e tyre për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve, pasi thirrja për uniformat e inkriminuara ka kohë që po bie në vesh të shurdhët”, përfundon deklarata.

R.POLISI

Artikulli paraprakEurodeputeti kundër ndërtimit të HEC-it në Vjosë
Artikulli tjetërNë tri vite asnjë kallëzim, Prokuroria nis hetimet ndaj ILDKP-së