Prokuroria sekuestron në ILDKPKI dosjet e deklarimit të pasurive

Lindita ÇELA

Dy oficerë të Policisë Gjyqësore, me një urdhër sekuestrimi të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës u paraqitën mesditën e së hënës në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Misioni i tyre ishte sekuestrimi i të gjitha dosjeve të pasurive të deklaruara nga zyrtarë të lartë, që kur në krye të ILDKPKI-së është emëruar Shkëlqim Ganaj. Grupi i Taks-Forcës së Prokurorisë së Tiranës ka dyshime se kreu i këtij institucioni ka shpërdoruar detyrën, pasi në tre vjet nuk ka konstatuar dhe nuk ka denoncuar asnjë rast konflikti interesi të zyrtarëve të lartë.
Më herët, Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar procedimin penal kryesisht dhe pa autorë, me dyshimin se ILDKPKI nuk ka vepruar në hetimin dhe denoncimin e rasteve të përfshirjes në konflikt interesi të zyrtarëve të lartë.
“Regjistrimi penal është nisur kryesisht, pasi ka indicie dhe fakte të njohura publikisht për përfshirje të zyrtarëve të lartë në konflikt interesi, të cilat nuk janë hetuar dhe denoncuar nga  ILDKPKI”, tha për BIRN, Albi Serani, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Si raste të njohura publikisht, ku zyrtarë të lartë janë akuzuar për konflikt interesi për pasuritë e tyre, Serani përmend dosjet e deputetëve Rakip Suli, Valentina Leskaj dhe të ish-deputetit Koço Kokëdhima. Për shkak të konfliktit të interesit, Kokëdhima humbi mandatin e deputetit në Gjykatën Kushtetuese.
“Për të hetuar nëse kemi të bëjmë dhe me raste të tjera, organi i akuzës ka vendosur sekuestrimin e të gjitha dosjeve të zyrtarëve të lartë që nga shkurti i vitit 2014”, shtoi Serani.
Kryeinspektori Ganaj nuk ishte i arritshëm për një koment të hënën, dhe një kërkesë e drejtuar nga BIRN zyrës së shtypit të Inspektoriatit të Lartë nuk mori përgjigje.
Hetimi kundër kreut të Inspektoriatit të Lartë vjen në momentin, kur institucioni i drejtuar nga Ganaj është i përfshirë në procesin e marrjes në sitë e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si pjesë e procesit të vetingut që pritet të ndjekë miratimin e ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ky ligj, i cili është ankimuar nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese kundërshtohet me forcë nga Unioni i Gjyqtarëve dhe një pjesë e prokurorëve.
Prej kohësh, marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe ILDKPKI-së kanë qetë të tensionuara, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mbylljen e dosjeve të zyrtarëve të lartë.
Sipas një investigimi të publikuar më parë nga BIRN, ILDKPKI ka paditur në Prokurori 158 zyrtarë të lartë dhe të mesëm gjatë viteve 2014-2015; ku përfshihen gjyqtarë, deputetë, diplomatë, ish-ministra, të zgjedhur vendorë apo punonjës në tatime dhe dogana – dy sektorë të administratës publike me një nivel të lartë korrupsioni.
Në kallëzimet e bëra, ILDKPKI pretendon se zyrtarë të ndryshëm kanë bërë deklarime të rreme në mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar pasurinë e deklaruar.
Sipas ILDKPKI-së, nga të gjitha rastet që Inspektoriati ka denoncuar në vitet e fundit, gati gjysma ose 70 kallëzime janë hedhur poshtë nga Prokuroria.
Vetëm në pak raste, Prokuroria ka ngritur akuza dhe ka dërguar për gjykim zyrtarë që akuzohen për fshehje pasurie–kryesisht zyrtarë të nivelit të mesëm.

BIRN

Artikulli paraprakTë blesh votën në SHBA dënohesh me burg
Artikulli tjetër10 miliardë lekë për rehabilitimin e Teatrit!