Kurbini bie në tentakulat e oktapodit të inceneratorëve!

Nga Elton LASKA

Një situatë e paprecedentë është prej ditësh në Kurbin ku mbetjet urbane digjen në kurorën e gjelbërt të qytetit, duke u kthyer në një bombë kancerogjene dhe epidemiologjike, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të qytetit.

Ky krim i shëmtuar mjedisor dhe njerëzor, faturën e rëndë të të cilit e paguajnë me shëndetin e tyre banorët e Kurbinit ndodh me bekim shtetëror që qytetarët të paguajnë në fund edhe faturën financiare, për llogari të bosëve të inceneratorëve që tashmë kanë shtrirë tentakulat në mbarë Shqipërinë, duke nisur nga Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Vlora e Saranda.

I njëjti skenar kudo, vetëm se në Kurbin po djegin mbetjet e akomuluara më parë, rëndësi ka efekti! Pastaj del shpëtimtari Klodian Zoto dhe firma e tij dhe me strategjitë napolitane, firmosin kontratat me bashkinë.

Kurbini është ndër bashkitë me të ardhura më të vogla në rang kombëtar dhe pjesa e luanit me urdhër të Edi Ramës, do kalojë për inceneratorët, në një kohë që këto para mund të përdoreshin për investime publike, për ndihma sociale për shtresat në nevojë.

Sa për rikujtesë, janë ende më dhjetëra familje që nuk kanë marrë bonusin e qerasë nga Bashkia Kurbin dhe që prej tërmetit të 26 nëntorit jetojnë në çadra e kontejnerë, e pavarësisht kësaj Bashkia Kurbin detyrohet që pjesën më të madhe të buxhetit t’ia dedikojë menaxhimit të mbetjeve. Ka ardhur koha për një reagim të madh, pasi keqqeverisja po na çon drejt shpopullimit masiv të trevës sonë dhe mbarë Shqipërisë.

Artikulli paraprakVideo/ Helmimi nga uji, Grida Duma: Vuajtjet e sotme të krutanëve janë përgjegjësi e shkaktarëve të qeverisjes
Artikulli tjetërBerisha-Ramës: Protestat do të përfundojnë me largimin tënd përfundimtar