Bujar Leskaj
Komisioni Evropian publikoi ditën e djeshme Progres Raportin për Shqipërinë
(https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/albania-report-2021_en; file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
Të 136 faqet e këtij raporti përbëjnë provën e shkruar se qeverisja e sotme e sektit Rama nuk i ka plotësuar të 15 parakushtet e vëna për integrimin, nga ana e Bashkimit Evropian. Sikurse e kanë theksuar edhe eurodeputetë, përfaqësues të lartë të vendim-marrjes në komisionet e Parlamentit Evropian, besueshmëria e vetë BE-së varet nga përmbushja e 15 parakushteve të BE-së nga Shqipëria, para se të vazhdohet me procesin e pranimit në BE. Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një nga kërkesat që synojnë garantimin e demokratizimit, modernizimit, sundimit të ligjit dhe garantimit të stabilitetit. Nëse anëtarët e rinj bashkohen pa respektuar plotësisht vlerat thelbësore të BE-së, do të minonin besueshmërinë e Bashkimit Evropian në tërësi. Progres Raporti 2021 për Shqipërinë i Komisionit Evropian, përfaqëson një akt-akuzë serioze dhe të mirë-argumentuar të dështimit të sektit në organizimin e zgjedhjeve të 25 prillit, në reformën në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, në integrimin e vendit në BE, në ekonomi dhe në reformën e decentralizimit të pushtetit vendor.
I.BE dhe zgjedhjet e 25 prillit
Në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, Progres Raporti i Komisionit Evropian cilëson se “Shqetësimet mbeten në lidhje me keqpërdorimin e burimeve publike ose funksioneve zyrtare, me pretendimet për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve” (Progres Raporti 2021, fq.4, paragrafi i parë. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
Ai vijon në faqen 29, paragrafi i parë, duke theksuar se “Rrjedhja e të dhënave të ndjeshme personale, duke përfshirë preferencat politike u shfaq gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit”.
Në faqen 26, paragrafi i katërt, Raporti paraqet indiferencën e plotë të qeverisjes së sotme ndaj rekomandimeve zgjedhore të Bashkimit Evropia. Ai nënvizon se “Rekomandimet e jashtëzakonshme të BE -së për përmirësimin e financimit të partive politike dhe reformën zgjedhore, të cilat nuk janë pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ende duhet të adresohen. Incidentet, të cilat ndodhën gjatë fushatës zgjedhore, veçanërisht në lidhje me blerjen e votës, kanë treguar se ka nevojë për financa transparente të partive politike”.
II.Integrimi evropian
Sekti i liderit global dështoi thekshëm dhe me procesin e integrimit evropian, jetësor për shqiptarët. Në faqen 11, paragrafi i fundit, Progres Raporti shprehet se “Sidoqoftë, integrimi në BE shfaqet me profil të ulët në prioritetet e përcaktuara në programin e qeverisë së re të paraqitur në shtator 2021”. Ne programin qeverisës të shpalosur me bujë pak javë më parë, strategjia e integrimit 2021-2025 dhe plani i veprimit për zbatimin e saj nuk shfaqet asgjëkundi. Çfarë, papritmas e harruam integrimin, për megalomaninëe liderit global që preferon të kritikojë si dritëshkurtër BE-në?
Më tej, Progres Raporti vazhdon:”Konsultimi mbi politikat dhe legjislacionin duhet të jetë më thelbësor në mënyrë që të rrisë më tej përfshirjen dhe transparencën e procesit të reformës, veçanërisht në çështjet që lidhen me reformat e orientuara drejt BE –së”.(Progres Raporti 2021, fq.12, paragrafi i parë. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
III.Reforma në drejtësi
Për reformën në drejtësi, për të cilën qeverisja e sotme shfaqet si kampione e mbështetjes, Progres Raporti i BE-së e thotë troç se “Efikasiteti i sistemit gjyqësor është ndikuar nga kohëzgjatja e procedurave, shkalla e ulët e pastrimit dhe ngarkesa e madhe. Gjykatat e apelit kanë një numër të madh të çështjeve të trashëguara dhe vende të lira gjyqësore, me vetëm 40 nga 78 gjyqtarët e apelit në detyrë. Një hartë e re gjyqësore duhet miratuar dhe zbatuar urgjentisht, për të rishpërndarë gjyqtarët dhe burimet brenda sistemit gjyqësor. Kohëzgjatja mesatare për një çështje në nivelin e apelit është 998 ditë(rreth 3 vjet) për çështjet penale dhe 1742 ditë (rreth 5 vjet) për çështjet civile dhe tregtare”.(Progres Raporti 2021, faqja 22, paragrafi i katërt. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
IV.Antikorrupsioni
Është në luftën ndaj korrupsionit që qeverisja Rama “shkëlqen” me ngjyrën më të zezë të saj. “Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, duke nxitur një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të Shtetit … Në përgjithësi, korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze”, cilëson Progres Raporti i BE-së në fq. 5, paragrafi i tretë.
Me tej, ai vazhdon: “Ndikimi i masave kundër korrupsionit në zonat veçanërisht të cenueshme (doganat, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia, prokurimi publik, kontratat PPP, etj.) mbetet i kufizuar. Kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit brenda administratës publike mbeten të dobëta dhe joefektive”. Komentet ndaj këtyre konsideratave të BE-së janë të tepërta.
V.Ekonomia
Komisioni Evropian, në Progres Raportin 2021, në Klasterin e Tretë të raportit, me titull “Konkurreshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, cilëson:
1. “Humbjet e larta të të ardhurave dhe shpenzimet e jashtëzakonshme, të cilat çuan në rritjen e deficitit fiskal dhe borxhit publik në vitin 2020, duke fshirë përpjekjet disavjeçare të konsolidimit fiskal” (Progres Raporti 2021, faqja 53, paragrafi i dytë. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
2. “Borxhi dhe deficiti publik i Shqipërisë u rritën ndjeshëm për shkak të pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe do të mbeten në nivele të larta në vitin 2021”(Progres Raporti 2021, faqja 51, paragrafi i dytë”. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
3. “Reformat social-ekonomike duhet të ndiqen me përparesi, për të ndihmuar në adresimin e dobësive ekzistuese strukturore, konkurrencën e ulët, papunësinë e lartë dhe ndikimin e pandemisë” (Progres Raporti 2021, faqja 8, paragrafi i parë. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
4. “Boshllëqe të konsiderueshme mbeten, në krahasim me vendet partnere rajonale dhe evropiane. Konkurrueshmëria e Shqipërisë pengohet nga mungesa e njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike, nivele të konsiderueshme të informalitetit, nevoja të paplotësuara për investime në kapital njerëzor dhe fizik dhe shpenzime të ulëta për kërkim dhe zhvillim. Boshllëqet para-ekzistuese dhe të rëndësishme në aftësitë dhe arsimin ndoshta janë zgjeruar, për shkak të bllokimeve të lidhura me COVID-19 dhe mësimit në distancë, i cili nuk është i arritshëm për të gjithë. Integrimi rajonal dhe eksportet u rritën, por mbetën nën potencialin. Mungesa e produktit dhe diversifikimi gjeografik në eksportet e Shqipërisë e shtojnë cenueshmërinë e tyre ndaj goditjeve të jashtme”(Progres Raporti 2021, faqja 7, paragrafi i tretë. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
6. “Rënia e eksporteve të shërbimeve dhe remitancave zgjeroi deficitin tashmë të lartë të llogarisë rrjedhëse në mënyrë të konsiderueshme në vitin 2020” ”(Progres Raporti 2021, faqja 52, paragrafi i dytë. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ).
7. “Planet për konsolidimin fiskal dhe zgjerimin e rekomanduar të bazës tatimore janë shtyrë” (Progres Raporti 2021, faqja 53, paragrafi i tretë. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf ), si dhe
8. “Rreziqet fiskale vazhdojnë, ndërsa reformat në menaxhimin e investimeve publike kanë ngecur” (Progres Raporti 2021, faqja 53, paragrafi i katërt. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf).
VI.Pushteti vendor dhe reforma administrative
Bashkimi Evropian në Progres Raport vë theksin edhe në dështimin e qëndrueshmërisë financiare të reformës së decentralizimit të pushtetit vendor. Ai cilëson se “Ndërsa bashkive u janë dhënë kompetenca më të mëdha për bërjen e politikave, njësive të qeverisjes vendore u mungojnë ende burimet e mjaftueshme financiare dhe kapaciteti administrativ për t’i ushtruar ato në mënyrë efektive … Situata e tyre financiare është bërë gjithnjë e më e komplikuar nga pandemia, me burimet në dispozicion të NJQV -ve duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë… Reforma administrative territoriale duhet të konsolidohet si pjesë e agjendës më të gjerë të decentralizimit. Nevojitet një monitorim dhe vlerësim sistematik i zbatimit të strategjisë kombëtare të decentralizimit dhe qeverisjes vendore 2015-2022” (Progres Raporti 2021, faqja 12, paragrafi i tretë dhe i katërt. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf
xx
Progres Raporti 2021 i Komisionit Evropian për Shqipërinë rrëzon një herë e përgjithshmonë përrallat që kërkon të shesë sekti Rama, se gjoja është vetë Bashkimi Evropian me problemet e tij të brendshme, që po e bllokon ose ngadalëson integrimin e Shqipërisë(problemet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, qëndrimi refraktar i disa vendeve të tjera anëtare, etj., etj.).
Shpreh besimin se, pavarësisht ndonjë simpatie personale që kthehet lehtë në favorizim klientelist, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Tiranë do të dinë të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të kërkojnë plotësimin e të 15 para-kushteve të BE-së për anëtarësim, pasi kështu ndihmojnë realisht qytetarët shqiptarë dhe forcojnë kulturën e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies në vend. Ata nuk duhet ta anashkalojnë këtë devijim të shëmtuar të problemeve reale të qeverisjes së sotme të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në familjen e madhe të përbashkët evropiane, duke shitur mos-plotësimin e 15 para-kushteve të BE-së për problematikë zgjerimi të BE-së.
Ndryshe nga sa pretendon qeverisja e sotme, se detyrat e shtëpisë për integrimin evropian i ka bërë më së miri, sipas gjetjeve dhe rekomandimeve të Progres Raportit 2021 për Shqipërinë të Komisionit Evropian, sekti Rama jo vetëm nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë si duhet, por edhe ka ngelur në klasë.
Opozita e vendit ka për detyrë madhore, përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë që të çmontojë të plotë mekanizmin 3D të gënjeshtrës virtuale që qeverisja Rama ka perfeksionuar gjatë këtyre 8 viteve, për ta nxjerrë liderin global, kryeministrin tone, lakuriq në mashtrimet e tij të përsëritura.