Përfaqësuesja e Izraelit ka shumë ndryshime për përgatitjet për përballjen me Shqipërinë në Elbasan. Trajneri Elisha Levy sikurse kishte premtuar ka bërë 10 ndryshime në listën e të grumbulluarve krahasuar me sfidat me Lihtensteinin dhe Maqedoninë. Portieri 20-vjeçar i Maccabi Haifas, Omri Glazer, David Kletjens i Beitar Jeruzalem dhe Miachael Ohana o Hapoel Beer Sheba mund të debutojnë ndaj kuqezinjve.
Levy ka rikthyer në kombëtare disa elementë, si Neta Lavi, Taleb Tawantha dhe Eliran Atar, me dy të fundit që nuk janë grumbulluar që nga viti 2013. Mes të munguarve janë emra të rëndësishëm si Manus Dabbur, Kenny Sayef dhe Tal Ben-Haim.
Gjithsesi nga formacioni titullar i ndeshjeve me Lihtensteinin dhe Maqedoninë mungojnë vetëm 2 lojtarë për arsye dëmtimi, Eyal Golasa dhe Ofir Davidzada. Ka patur kritika në Izrael për përzgjedhjet e trajnerit Elisha Levy, i cili është shprehur se ndaj Shqipërisë i nevojitet një skuadër e fortë fizikisht.
“Unë mendoj për grupin dhe jo për individë të veçantë. Ndaj Shqipërisë do të jetë një përballje e fortë fizike. Duhet të sulmojnë dhe të bëjmë presion në çdo pjesë të fushës. Nuk jemi inferiorë, përkundrazi do të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv në këtë transfertë. Kritikat? Secili ka mendimin e tij, jetojmë në një botë të lirë. Vendimet e mia janë profesionale dhe me me integritet dhe synojnë më të mirën për Izraelin. Ato duhen respektuar”, u shpreh Elisha Levy.
Mediat në Izrael shkruajnë se futbollistët izraelitë janë paralajmëruar që të mos lëvizin nga hoteli ku do të jenë të grumbulluar në Shqipëri për arsye sigurie.
Ndërkohë, mbrojtësi i kombëtares tonë, Berat Gjimshiti ka thënë se kundër Izraelit do të kërkojnë vetëm tre pikë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti ka thënë se kundër Izraelit do të japin maksimumin dhe duan vetëm tre pikë.
“Me Izraelin është një ndeshje e vështirë, pasi është një kundërshtar i fortë. Do të japim maksimumin dhe është normale që ndaj izraelitëve do të kërkojmë vetëm fitoren. A është barazimi i pranueshëm? Do të luajmë për fitore, jo për barazim”, ka thënë Gjimshiti. Kujtojmë se ndeshja kundër Izraelit luhet më 12 nëntor dhe zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.