Bojkoti i përsëritur i PS, Alibeaj: Nuk duan që të thirret Edi Rama dëshmitar

Enkelejd Alibeaj: Kërkesat tona për hetimin e patronazhistëve, shpërdorimin e fondeve publike, blerjen e votave me fondet e rindërtimit dhe punësimeve elektorale

DEKLARATË E KRYETARIT TË KOMISIONIT HETIMOR PËR ZGJEDHJET, ENKELEJD ALIBEAJ, NË KRYESI9NË E KUVENDIT

Ikën prapë. E treta herë që ikin. E treta herë që bojkotojnë, pa arsye, pa shkak, duket me një trategji tashmë të demaskuar nga kushdo, për të penguar punët e Komisionit, veprimtarinë e Komisionit për të hetuar.

Ju e patë edhe incidentin tjetër që gjatë veprimtarisë së Komisionit, kjo seli vendosi edhe të ndërpresë sinjalin televiziv që sipas rregullores, ligjit dhe traditës, ndërpritet atëherë kur përfundojnë punimet e Komisionit.

Seanca u çek në mënyrë të rregullt. Vazhduam me rendin e ditës. E mbani mend, mbledhjen e kaluar, teksa ne kishim miratuar në parim rregulloren, kishim miratuar madje 12 nga 17 nene, nen për nen në mënyrë të beftë u çuan dhe ikën. Dukej qartë strategjia e tyre për t’u larguar.

Në ushtrimin e detyrës sime dhe në atë se çfarë ligji imponon, mbledhja e rradhës u caktua për ditën e sotme në ora 11.00 me dakordësinë e shprehur, të shkruar dhe të dokumentuar edhe të palës socialiste, vazhduam me kërkesën e tyre e cila është kërkesë e ligjit dhe komisionit Hetimor për të hetuar. cilat ishin këto?

Ishte kërkesa për të hetuar të gjithë veprimtarinë e patronazhistëve.

Deputetët tanë, z.Bardhi, paraqiti një panoramë të plotë të gjithçka çfarë ka ndodhur me patronazhistët, përdorimin e tyre në kundërshtim me ligjin, për të shantazhuar njerëzit, përkundrejt zhvatjes së votës.

z. Çollaku parashtroi të dhënat e mbledhura lidhur me shpërdorimin e fondeve publike, tenderat, koncesione, prokurime, bash para zgjedhjeve për të joshur dhe për të blerë me paratë e buxhetit të shtetit votat e shqiptarëve.

z. Bylykbashi për çështjen e mirënjohur të shpërdorimit të parasë publike për shkak të rindërtimit në Durrës, Lezhë.

Z. Xhaferraj, po ashtu edhe ai lidhur me shpërdorimin e shumave të mëdha të buxhetit të shtetit për blerjen e votës të atyre që kishin dy dimra që rrinin jashtë, sepse qeveria nuk ua jepte.

Z. salianji, për punësimet. 63 milionë euro për punësimet e përkohshme para masakrës së 25 prillit.

Z. Bardhi për të famshmen tashmë proces të legalizimit. Kishte mbledhur të dhëna, foto, burime provash, e cila ishte veprimtari reale hetimore.

Sot Komisioni ka kryer, edhe pse në terr informativ ju nuk lejoheni të merrni pjesë tashmë fatkeqësisht, sinjali televiziv nuk shpërndahet, jo vetëm kaq por edhe administrata me një histerizëm prej kamikazi futet në mënyrë të vrazhdë, antiligjore për të ndërprerë punën e Komisionit.

Kjo është situata me të cilën pushteti, qeveria, mazhoranca, kërkon të vendosë pengesa për hetimin e Komisionit Hetimor.

Të drejtën e çdo deputeti për të marrë prova.

Ne e ezauruam këtë në fakt. Kemi vendosur ta çojmë deri në fund.

Pati një kërkesë nga mazhoranca, që çështja e paezauruar për shkakun e tyre se pse e braktisën dhe ikën, miratimin e rregullores dhe emërimin e sekretarit të përfshirë në rendin e ditës.

E propozova, të përfshihej në rendin e ditës. E hodha edhe në votë. Ishin ata të cilët përsëri votuan kundër rregullores, emërimit të sekretarit dhe më pas ikën.

Kjo është situata, e qartë. Siç duket kanë frikë nga këto të dhëna të sjella nga deputetët tanë të opozitës që duam të hetojmë dhe që sot i administruam të gjitha kërkesat për të katër çështje objekt hetimi, patronazhistët, shpërdorimi i fondeve publike, punësimet e paligjshme dhe çështja e legalizimeve. Kemi mbledhur material voluminoz në zbatim të ligjit që thotë: Çdo kërkesë për të dhëna dhe fakte, për prova e bërë nga një deputet i vetëm, pranohet pa votim.

Pikërisht këtë gjë duan ta pengojnë të mazhorancës. Duan ta stimulojnë një votim, ata kanë shumicën, është e kuptueshme, që të pengojnë çfarëdo lloj kërkese për prova që të marrin deputetët e opozitës. Pra, të minojnë poçesin e hetimit. Nuk kanë për t’ia dalë. Dokumentat do të merren, sipas ligjit, dëshmitarët duke filluar nga kryeministri, ministrat e me rradhë, do të thirren në bazë të ligjit.

Pyetje: Znj. Gjylameti tha se do të kërkohen sanksione ndaj kryetarit të Komisionit, sepse pretendon se ju keni shkelur rregulloren e Kuvendit dhe ligjin. A keni një përgjigje për znj. Gjylameti?

Enkelejd Alibeaj: Unë në cilësinë e Kryetarit i propozuar nga minoranca, nga ajo që ka propozuar Komisionin Hetimor, drejtoj Komisionin bazuar në ligjin për komisionet hetimore i cili thotë fare qartë: Rendi i ditës është i përcaktuar nga ligji. Deklarimi i komisionit, objekti i hetimit, plani hetimor paraprak, sepse këtu qëndron “Thembra e Akilit”. E kam depozituar që në mbledhjen e parë, e kemi diskutuar në unison, madje kemi rënë dakord edhe me veprimet që do të kryhen, edhe me kalendarin e veprimeve që do të duhej të realizojë Komisioni. Për rregulloren ku ligji është fare i thjeshtë. E drejta e çdo deputeti për të kërkuar prova, dokumenta, shkresa, të dhëna, dëshmitarë, pranohen pa votim.

Me rregulloren që ata kërkojnë dhe për të cilën nuk patëm dakordësi sepse në mbledhjen e parë ramë dakord që të caktonim nga dy përfaqësues, një nga ne dhe një nga ata, që të binin dakord. Nuk ramë dakord sepse kërkonin një gjë e cila është totalisht e papranueshme për mendjen më minimale logjike. Të bëjnë një rregull në rregullore ku të thonë pikërisht këtë gjë, do të kërkosh prova, do të kërkosh dëshmitarë? Do të marrësh dëshmitarë? Duhet ta pranojë shumica e socialistëve. E kuptoni fare mirë, ata s’dua të lejojnë që të thirret si dëshmitarë shtetasi Edi Rama.

S’duan ata të lejojnë që të thirren dhe të merren dokumenta për patronazhistët, dokumentat e të cilave ndodhen në PS. Ata me shumicë nuk duan që të merren të dhëna për shpërblimet e dhëna, 120 milionë euro pak kohë para zgjedhjeve, për rindërtimin. Kanë marrë para nga buxheti i shtetit edhe ata të cilët nuk kishin probleme me tërmetin, përkundrejt votës.

Ata nuk kanë se si të duan të japin të dhëna zyrtare për punësime zyrtare. Janë bërë 13 mijë punësime të përkohshme. 63 milionë euro, vetëm para zgjedhjeve, me një synim fare të thjeshtë, për t’u marrë votën.

Është fare e thjeshtë qëllimi i tyre, pengesa e tyre. Për këtë arsye unë do të zbatoj ligjin se s’kam ç’bëj ndryshe. Më kërkoni që të votojmë rregulla që bien ndesh me ligjin. Është e kundërta e asaj që zonja Gjylameti tha. Unë jam për zbatimin e ligjit. Ligji është zbatuar në 2002-shin, me rregulla që caktojnë 15 anëtarë komisioni për të kthyer mbrapsht 140 anëtarët e kuvendit që kanë miratuar ligjin. Kjo nuk ndodh dhe s’ka për të ndodhur.

Për administratën që hyn furishëm në kundërshtim me rregullat për të penguar veprimtarinë e Komisionit, me administratën që heq sinjalin, mendoni ku jemi kthyer. Heqin sinjalin që media dhe publiku të shohë se çfarë, ku dhe si po hetojmë. Është detyrim i çdo deputeti, e imja po e po për të paraqitur kërkesë për procedim disiplinor edhe kallzim penal për shpërdorim detyre, për pengim të punimeve të Kuvendit sepse Komisioni Hetimor është pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

Artikulli paraprakMashtrimi i turpshëm i Prokurorisë me helmimin e ujit në Krujë
Artikulli tjetërDeputeti i Elbasanit, Lefter Gështenja: Qeveria asnjë plan për rrugët ndonëse financimi nuk ka munguar