Basha: Propozimi i Vettingut në politikë është propozim i miratuar sipas të gjitha rekomandimeve të Venecias

NDËRHYRJA E TRETË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË SEANCËN E KUVENDIT

Zoti Xhaferri e kam për detyrim të ju tërheq vërejtjen, krahasoni një krijesë punëtore që çohet pa gdhirë dhe shkon në shpi pasi perëndon dielli, siç janë fermerët socialist të Lushnjës dhe Divjakës me një krijesë që mungesën e gjumit e ka për patologji të tjera politike dhe mjekësore. Meqë i pëlqen rima sepse poezia është fjalë e madhe, ti thjeshtë i kishe thënë që të paktën cilësinë e diellit krahasova dhe jo cilësinë e miellit dhe kaq e mbyllje. Por, të lutem herë tjetër mos ofendo as militantët socialist të Divjakës apo Lushnjës dhe as militantët socialist ku do që janë sepse të siguroj që e kanë hallin dyfish më të madh.

Pse? Se tanët e kuptojnë, ka ardh banda i heq nga puna, kur shkojnë në gjykatë i thotë gjyqtarëve po i dhatë të drejtë do të thërrasim këta të vettingut që i kontrollojmë ne dhe do i themi do të heqim gjyqtarin. Këta e kanë kapur shtetin, demokratët e kanë të qartë. Por, hallin më të madh e kanë socialistët sepse nuk kane kujt ti qahen. Sigurisht detyra dhe sfida jonë është që të na qahen me, me kusht që tua zgjidhim problemet. Pra që ti japim fund trekëndëshit të 30-vjeçarit. Dhe ty nëse reflekton. (Drejtuar Braçes).

Unë seç kam një mendim. Kurrë nuk të kam pas simpati për qëndrimet politike që ke mbajt. Po për koherencën e qëndrimeve nuk mund të ankohem, në përjashtim të rastit të fundit kur me vullnet tëndin bëre dezhurnin. S’duhet të ishe dëzhurn, o e merrje dhe bëje zëvendës kryeministrin, por dezhurnin s’duhet ta pranoje të ishe. E ka gjet zëvendësimin ai ashtu siç e ka midenë. I diskutojmë më vonë këto.

Ndoshta shkojmë i diskutojmë dhe tek fermerët e Lushnjës dhe Divjakës në qoftë se i ndan hallet e tyre ti ashtu siç i ndaj unë, sepse unë kam qenë dhe kohët e fundit ndoshta më shpesh se ti, por ky nga piramidat e Gizës nuk na sheh, ky qe ka takuar më shumë sheik dhe investitor strategjik sesa qytetarë këto 4 muajt e fundit. Dhe që e ka hallin se më dhëmb mua dhëmbi. Mua nuk më dhemb asnjë dhemb e para e punës. I kam dhëmbët e mi ta dish dhe gjenetikisht i kam goxha të fuqishëm edhe kujdesem për to. Kështu që mos e qaj hallin e dhëmbëve të mi sepse njëherë që të kafshuan u zhduke 3 javë, nuk i the as partisë se ku shkove. Apo jo? Apo e ke harruar?

Një herë që të kafshuan dhëmbët e mi 3 javë u zhduke fare. Vetëm ti dhe unë e dimë se ku shkove, nga burime të ndryshme. Ajo të dhemb ty, bankomati i 2011 të dhemb më shumë se asgjë tjetër. Ai të dhemb më shumë se çdo gjë tjetër. Shenjat i ke, s’të ikin, s’të del e keqja. Tani meqë këto nuk i kemi për llafe, por i kemi për vepra. Meqë the se nuk do të diskutojmë për vettingun politik, por diskutove 10 minuta për vettingun politik. Ç’ke ti? Pse trembesh nga vettingu politik? Kujt do ti drejtohesh ti? Venecia e ka shprehur vendimin. Fole çerek ore the këtu të marrim mendime, të pyesim, jo mo e ke gati.

E ke gati propozimin për Vettingun e politikanëve. Dhe që mos të kesh frikë që do të jesh ti objekti i vetëm, filloje nga unë, nga të duash ti filloje. Nga pasuria ime, e familjes time, e të afërmve të mi, e çdokujt që ka lidhje me mua, filloje nga unë, çfarë meraku ke, ku e ke merakun ti? Propozimi i vettingut në politikë është propozimi i miratuar sipas të gjitha rekomandimeve të Venecias. Çfarë do t’i më shumë se komisioni i Venecias? Kush do ty të ta aprovojë këtë? Rok Gjoka me Salillarin? Toma? Kujt i druhesh ti? Merre, ja ku e ke, kaloje. Pse spërdridhesh këtu duhet ta diskutojmë, s’duhet ta diskutojmë, jo po do e diskutojmë po nuk është momenti për ta diskutuar, e ke përpara, Vetting në Politikë.

Të gjithë politikanët, nga i pari tek i fundit, pasurinë personale, të familjes, të ortakëve, lidhjet me krimin e organizuar, kontaktet e papërshtatshme, metodologjinë e ke miratuar këtu me 140 vota për gjyqtarët dhe prokuroret. Po të them ta bëjë SPAK-u, i cili të paktën sipas listës së patronazhistëve të tu, treçereku dalin që janë votues të tu. Ku e ke frikën ti? Pse të fle lepuri në barkë, pse vjen këtu e më thua mua e di ti sharrën, se di ti sharrën, nxirre pra sharrën. Nxirre sharrën, e të shohim se çfarë është bërë në Sharrë. Është bërë një vrasje e një djaloshi 16-vjeçar që përfshin Urja Hipin tënd dhe drejtësinë e kapur.

Dhe sot e kësaj dite nuk ka përgjegjës. Janë përfshirë strukturat e Partisë Socialiste që menaxhonin në mënyrë të paligjshme. Këto fakte di unë, di ti fakte të tjera? Çoi të hetohen. Po ti s’do hetim. Ti i mban dorën çdo hetimi. Ti je pengesë për reformën në drejtësi, ti do ta zgjasësh pafundësisht vettingun sepse në këtë mënyrë i kontrollon gjyqtarët dhe prokurorët. Ti e zgjat pafund integrimin europian të vendit sepse pastaj nuk vjedh dot siç vjedh këtu me 15 milionë euro të Bashkimit Europian, 22 shkolla me 681 mijë euro mesatarisht, ndërsa me 34 milion të qeverisë tënde, 45 shkolla me 760 mijë. Ndërsa me këto të Bashkisë së Tiranës arrin në rekorde të tjera, 1.3, 2.1 milionë, më je bërë edhe inxhinier konstruktiv.

S’mbushe dot një gropë, më bën ti mua inxhinierin konstruktiv, ti që dole kundër Durrës-Kukës. Shyqyr që sajove dhe çështje në prokurori të paktën, se do ishte harruar si dhe kush dhe çfarë sfidash duhej që të bëhej Durrës-Kukës. Ti që brenda ditës bredh nga jugu në veri nga rrugët që kemi ndërtuar ne dhe flet sikur je mbi gomar. Pra, këto shifrat këtu që u shkritë së qeshuri ju, që u thash unë janë shifrat e PD-së, u çliruat. Jo se e meritoni të qeshni në fakt me këtë që i keni bërë shqiptarëve, këto janë shifrat e Ëngjëll Agaçit, shefit të APP-së, Agjencisë së Prokurorimit Publik. Hë? Heshtje? Të atij janë këto. Janë të atij.

Të vijmë tek çështja më kryesore. Njerëzit rrinë në çadra thua ti se u pëlqen të rrinë në çadra e të marrin bonusin, pra qeveria i ka dalë borxhit, por njerëzit rrinë në çadra.

Ministrja jote tha para dy seancash që varfëria është çështje teknike. Po, po janë të regjistruara, janë bërë meme. Ndërkohë që me propozimin që keni sjell këtu, i cili do të diskutohet kur të mbarosh justifikime verbale, se justifikimet e vërteta të kanë mbaruar bashkë me vajin e kandilit. Me këto që keni sjell këtu, prapë se prapë keni propozuar që t’iu merrni para shqiptarëve për 7 kontrata koncensionare me vlerë 2 miliardë dollarë. PPP të klientëve tuaj dhe nga ana tjetër thoni s’kemi ku të gjejmë paratë për të zbritur TVSH-në e ushqimeve nga 20 në 6, me një kosto totale për buxhetin prej 150 milion euro.

150 milion euro për të ulur çmimin e bukës, të vajit të sheqerit, të familjeve që ti i viziton ditë për ditë por nuk e di që shumica e tyre hanë vetëm një herë në ditë dhe atë me borxh, nuk i dëgjon dot! Por ke sjell prapë 7 kontrata koncensionare me vlerë 2 miliard euro. Ky je ti. Tjetra është fasadë, tjetra është shpresa që këto fjalë të shuhen që kur të dalikm jashtë sallë, mediat e kapura aty të japin vetëm cirkun tënd, që SPAK qilimkuqi të bëj sikur s’na ka dëgjuar dhe paditë që kemi çuar të bëjë sikur si ka parë dhe ti dhe banda jote të vazhdoni të vidhni. Ky është plani jot, këtë ke bërë 8 vite ti.

Dhe natyrisht, të vjedhësh të vjedhësh shqiptarët, të vjedhësh pasuritë e shqiptarëve, pastaj t’iu vjedhësh dhe votën, nuk është virtyt, nuk është as thjesht ves, është krim, Krim që duhet ndëshkuar. Por duke qenë që se drejtësia e reformuar e 22 korrikut 2016 çdo vend i vogël që del ia thyen ti me çekiç atëherë ne për detyrim ndaj shqiptarëve dhe jo për karshillëk ndaj teje se zoti na ruajt jo mua, por më riun e më të renë në grupin parlamentar që të na shkojë mendja të bëjmë karshillëk me ty se na duhet 10 jetë të të kapim në maratonën e veseve, gjynaheve dhe borxheve më të cilat u ke hyrë shqiptarëve. Por kjo është për shqiptarët.

Që ta kuptojë se kush e merr këtë foltore për të mbrojtur të pambrojtshmen, varfërimin e shqiptarëve mbi taksimin e shqiptarëve, shpunësimin e shqiptarëve, largimin e shqiptarëve, poshtërimin e shqiptarëve, burgosjen e shqiptarëve padrejtësitë ndaj shqiptarëve, ndërkohë që një grusht njerëzish pasurohen dhe kanë pushtet më shumë se byroja politike e vaktit dhe kush e merr këtë foltore për të kërkuar diçka të thjeshtë që e kupton çdo shqiptar dhe të jesh i sigurt që e mbështet çdo shqiptar, edhe ai grusht deputetësh këtu që nuk ndihen por që nuk kanë gjë për të fshehur, vettingun e politikanëve. Çfarë do të bësh ti konsulta me komunitet ndërkombëtare?

Ti i ke miratuar vettingun e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Ti dole nga selia e PS-së nuk ka diskutime the, nuk ka negociata do të zgjatet kjo tha pikë. Pse kur bëhet fjalë për vettingun tënd dhe unë them ta fillojmë nga unë fillon dhe belbëzon e më thua diskutime, konsultime? Çfarë është kjo? Përveçse frikë. Por frika jote do ta mbajë peng vendin? Frika nga korrupsioni është edhe më e keqe se korrupsioni. Sepse frika nga korrupsioni i shtyn të korruptuarit të bëjnë gjëma të mëdha si ajo që bërë me 25 prill. Asgjësimi i pushtetit përmes sistemit të patronazhistëve shkrirjes së shtetit me partinë, abuzimet me fondet e ndërtimit, abuzimi me fondet e tërmetit dhe të pandemisë, abuzimit me burimet njerëzore, fryrjes së administratës dhe 12 mijë anonimë që i punësove gjoja në shtet, por në fakt ishin patronazhistë dhe tani i ke degdisur, shkatërrimi i rregullave elementare të konkurrencës në treg. Këto janë konstatimet e ODHI-it të cilat ta kanë vënë vulën ty si Lukoshenko i Ballkanit.

Por Shqipëria nuk mund të kthehet në Bjellorusi dhe nuk mund të pranojë as ty, askënd të qeverisë vendin si Lukashenko. Të kanë mbetur shumë pak argumente. Po kërkon dëshpërimisht aleatë. Brenda shtëpisë tënde të ka ngelur një grusht, brenda oborrit të oligarkëve edhe më pak, tek ata që dalin të zotë me kobure në xhep dhe lekët e drogës të jesh i sigurt që ka filluar t’ju rëshkas toka nën këmbë. Siç e di dhe vetë fare mirë sepse të kanë thënë që edhe aty kopaçka do të fillojë të kërcasë dhe nuk i mbron më as Ard Veliu dhe as presionet e tua ndaj cilitdo zëvendësuesi të tij. Përpjekja për të ndërtuar një aleancë të pashenjtë me trekëndëshin e Bermudës që të del nga barku sa herë që s’ke argumenta do të dështojë po kështu.

Ti ke vetëm një rrugë, të pranosh që ke tetë vite që e mban vendin peng të egos tënde të sëmurë. Të kërkosh ndjesë për jetët e humbura, për shpresën e vrarë, për të rinjtë e larguar, për ekonominë e rrënuar, të tregosh pendesë për asgjësimin e themelit të bashkëjetesës demokratike në një shoqëri, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ti heqësh duart nga fyti i SPAK, të votosh vettingun në politikë dhe të lejosh që Partia Socialiste e marrë peng në bodrumet e oligarkisë dhe krimit të organizuar, të ketë guximin të konkurrojë ndershëm në një fushë beteje të barabartë me Partinë Demokratike me një përplasje idesh, vizionesh dhe programesh dhe të paktën si fillim dhe jo sigurisht si një e përhershme konstante, të pranojë të paevitueshmen, daljen në opozitë si interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe pastrimin nga llumi i banditëve, kriminelëve, oligarkëve me të cilët ke ardhur dhe mban pushtetin.

Artikulli paraprakBasha: Merrni borxh për të larë borxhin. Punësimet elektorale, 117 milionë euro më shumë për pagat e patronazhistëve
Artikulli tjetërBardhi: 700 milionë euro për qeverinë e korruptuar të Edi Ramës dhe 70 milionë euro të tjera për OSHEE-në e vjedhur të Ardian Çelës