Pranimi i padisë së ish-kryeministrit Sali Berisha nga Gjykata Korrektuese e Parisit, ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.
Ishte vetë ish-kryeministri Sali Berisha që e deklaroi këtë gjë, gjatë ‘Foltores’ në Kavajë.
Sot gazeta Washington Times shkruan pikërisht për këtë lajm.
Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha ka bërë të ditur se një gjyqtar në Paris ka pranuar paditën e tij për shpifje kundër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.
Berisha e depozitoi padinë në maj, pasi Blinken sanksionoi ish-liderin e vendit ballkanik për ‘korrupsion serioz’ dhe e shpalli atë e familjen e tij persona non grata në SHBA.
Ai tha se pretendimet e zotit Blinken për ‘korrupsion serioz’ ishin pa baza dhe ‘të paraqitura pa ndonjë evidencë, fakt apo dokument’ që do të mbështetnin vendimin për vendosjen e sanksioneve.
‘Ky vendim erdhi tetë vjet pasi dhashë dorëheqjen nga çdo pozitë drejtuese dhe çdo funksion publik ekzekutiv dhe tri javë pasi kandidati që unë mbështesja humbi zgjedhjet’, Berisha tha për Washington Times.
‘Përveç kësaj, gjatë 30 vjetëve karrierë, nuk jam akuzuar apo hetuar kurrë për ndonjë formë korrupsioni. Askush nuk ka ngritur ndonjëherë padi apo të ketë provuar ndonjë akuzë për korrupsion në gjykatë kundër meje apo anëtarëve të familjes sime’.
Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së Washington Times sot për të komentuar.
Në deklaratën që shoqëroi njoftimin për sanksione, Blinken tha se Berisha ‘ishte përfshirë në akte korruptive, të tilla si përvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në procese publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime dhe për të pasuar aleatët politikë dhe familjarët e tij’, gjatë kohës që ishte kryeministër në periudhën 2005-2013. Blinken shtoi se ‘vetë retorika e Berishës demonstron’ që ai do t’i shmangte hetimet e pavarura për korrupsion kundër tij dhe familjarëve të tij.
Por sanksionet ishin të papritura për shumë në Washington.
‘Kjo duket si gjë e dalë nga hiçi’, tha kongresmeni republikan Lee Zeldin në qershor, duke pyetur Blinken se pse Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë ende fakte për të mbështetur akuzat për korrupsion kundër zotit Berisha.
Berisha bëri bujë në botë me pretendimin se vendimi i Sekretarit të Shtetit ishte bazuar në informacion të rremë të ofruar nga organe nën kontrollin e aktivistit liberal miliarder George Soros.
Përfaqësues të zotit Soros nuk iu përgjigjën kërkesës së Washington Times për të komentuar mbi pretendimet e Berishës.
Blinken tha në qershor edhe se akuzat për korrupsion ishin bërë duke ndjekur protokollet normalë të Departamentit të Shtetit, përfshirë shqyrtimin nga juristët.
Një ish-zyrtar i lartë amerikan, i cili ruajti anonimitetin, tha se akuzat ishin befasuese edhe për shumë në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euro-Aziatike në Departamentin e Shtetit.
Berisha tha se pret me padurim paraqitjen e çështjes në gjykatën franceze dhe shprehu ‘besim te gjykata’.
‘E ftoj Sekretarin e Shtetit t’i paraqesë gjykatës çdo evidencë, fakt, apo dokument që provon akuzat mbi të cilat bazoi vendimin e tij të pabazuar për të më shpallur non grata’, tha ai.