Mesazhi i banorëve për Ramën dhe Veliajn: Nuk harrojmë!
Nënkryetari i PD Alfred Rushaj deklaroi në një takim me banorët e zonës “5 maji”, në Tiranë se qeveria ka shkelur ligjin dhe kushtetutën, duke u prishur shtëpitë pa shpërblim paraprak. Ai tha se qeveria po tallët me rreth 5 mijë banorë të zonës me kontratat e qerasë. “Kontrata është një turp. Aty thuhet po ta prish shtëpinë dhe të premtoj se pak më vonë do të të them, nëse do të marrësh apo jo shtepi, kur, ku dhe si do ta marrësh. Duhet lexuar kontrata për të parë sesi qeveria tallet me njerëzit.”- tha zoti Rushaj.
Banorët e zonës “5 Maji” vunë në dukje se aty jo vetëm nuk ka shkuar asnjë deputet i PS, por asnjë nga institucionet, përfshirë bashkinë dhe kryeminstrinë nuk përgjigjen për t’u dhënë shpjegime. ”Këta i kanë bllokuar legalizimet, se kanë interesat e veta me vjedhë pronat tona”. “Erion Veliaj dhe Edi Rama të vijnë të japin llogari. Çfarë duhet të na bëjnë tjetër, veçse të na vrasin.“
Banorët hodhën poshtë deklaratat e rreme të bashkisë se shumica e tyre kanë firmosur për prishjen e shtëpive, duke e konsideruar qendrimin si përçarës dhe kundër interesit të tyre. “Mendojini mirë kur të prishni shtëpitë tona, se do ta lini një ditë atë karrige.”- tha njëri prej banorëve, të cilit në janar para zgjedhjeve, Edi Rama i kishte premtuar t’i shtrojë rrugën, ndërsa tani po u prish shtëpinë pa asnjë shpërblim. “Të gjithë banorët janë pajisur me mandatpagesë deri më qershor 2013, që do të thotë se u ka lindur e drejta e legalizimit, e cila nuk humbet, edhe nëse pagesa nuk kryhet. Nuk na japin certifikatat e pronësisë, që të mos na paguajnë sipas ligjit.” – tha një banor.
Banorët shohim si përgjegjës kryesorë të padrejtësisë shtetërore ndaj tyre kryeministrin dhe kryebashkiakun. “Të prishim shtëpitë e Erion Veliaj, Edi Ramës dhe të gjithëve që bëjnë biznes me pronat tona.“ “Kjo nuk është qeveri, është sadizëm. Dalin pleq e plaka e kalamaj në mëshirë të fatit duke patur shtëpitë e veta. Kjo është katastrofë”.- u shprehën banorët.