Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka bërë thirrje kryeministrit që të lerë shfaqjet, por të dalë në terren dhe t’u gjendet afër personave në nevojë. Përgjatë fjalës së tij Basha u shpreh se, opozita do të japë mbështetjen maksimale autoriteteve qendrore dhe lokale për përballimin e situatës. “Dua t’i bëj thirrje kryeministrit të ndërpresë menjëherë shfaqjen televizive me Shtabin e Emergjencave “live” para kamerave, të marrë vendimet që nuk i ka marrë deri tani, e t’i bëjë ato transparente; vetë të niset së bashku me kryetarët dhe drejtuesit e institucioneve në krye të detyrës, aty ku qytetarët përballen me izolimin nga uji, me rrezikimin e jetëve dhe të nisin menjëherë masat lehtësuese.
Humbja e një jete njerëzore është një lajm shumë i trishtë. Çfarë kërkojmë është që qeveria dhe Edi Rama të lënë shfaqjet dhe të zbresë në terren. Në këtë moment të gjitha autoritetet do të kenë mbështetjen e plotë të opozitës me gjithçka që mund të ofrojmë, me burime njerëzore dhe gjithçka tjetër që kemi në dispozicion”, tha Basha.
Kreu i opozitës shtoi më tej, se duhen marrë të gjitha masat për evakuimin e popullsisë, që gjenden në zonat ku priten përmbytje të tjera si pasojë e hapjes së dyerve nga hidrocentralet. Sipas tij, nga ana e qeverisë megjithëse është lajmëruar prej ditësh se do të ketë përmbytje, sërish është vënë re neglizhenca nga ana e institucioneve që përgjigjen për rastet e emergjencave. “Padyshim që gjendja klimaterike ka qenë e rëndë, është paralajmëruar si e tillë nga qeveria, nga Ministria e Brendshme prej disa ditësh, por për fat të keq nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar efektet e tmerrshme siç është izolimi i familjeve, kërcënimi i jetëve njerëzore. Po kështu kërkojmë të merren masa urgjente për njoftimin e popullsisë. Kemi marrë lajme, jemi njoftuar nga mediat për hapjen e portave të hidrocentraleve.
Nuk mund të ndodhë orë përpara se sa të jepet lajmërimi, për qytetarët. Duhet të kishin qenë në gjendje të njoftonin popullsinë më përpara kur e dinin se do të kishte reshje, nëse do të merrnin masa për hapjen e dyerve të hidrocentraleve. Pra, hapja e dyerve të hidrocentraleve, e cila do të sjellë përmbytje edhe më të mëdha duhet të ishte bërë e ditur përpara popullsisë lokale. Por kjo nuk është koha që të merremi me këtë problem që qartësisht tregon që qeveria është tërësisht e papërgatitur për këtë situatë. Është koha për t’i bërë thirrje qeverisë të dislokojë të gjitha mjetet ushtarake dhe civile në ndihmë dhe mbrojtje të jetës së qytetarëve, në ndihmë dhe mbrojtje të sigurisë së qytetarëve”.
Kreu i PD nga ana e tij siguroi se opozita do të mbajë nën vëzhgim situatën, me anë të të zgjedhurve të saj lokalë dhe deputetët, dhe do t’u vijë në ndihmë aty ku është nevoja e banorëve në zonat e përmbytura. “Opozita në të gjitha planet këtu në qendër nga ku po e ndjekim situatën, me të zgjedhurit tanë lokalë, me këshilltarët tanë lokalë aty ku nuk kemi të zgjedhurit tanë, me deputetët tanë është dhe do të jetë në krah të përpjekjes për të ndihmuar të dilet nga kjo gjendje.
Gjej rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të mbrojnë mbi gjithçka jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, sepse ajo është e parikuperueshme, gjithçka tjetër edhe në mos nesër, pasnesër do të rikuperohet, e kam fjalën për vlerat pronësore. Jeta e tyre është prioriteti numër një, të mbrojnë jetën e tyre, të familjeve të tyre dhe të fëmijëve të tyre. Dhe të përsëris thirrjen ndaj deputetëve të Partisë Demokratike dhe të pushtetit vendor aty ku kemi të zgjedhurit tanë, të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, siç kanë qenë orët e para të mëngjesit. Unë do të vazhdoj të mbaj kontakt dhe lidhje me ta”, tha Basha.