Në fjalimin e saj të parë që pas publikimit të disa dokumenta dëmtues në lidhje me funksionimin e brendshëm të Facebookut, sinjalizuesja Frances Haugen i kërkoi ish-shefit të saj, Mark Zuckerberg, të jepte dorëheqjen dhe të lejonte ndryshimin, në vend që të harxhonte burime të tjera për të bërë riemërtimin e kompanisë.
Ish-menaxherja e produkteve të Facebookut iu përgjigj kështu pyetjes nëse zoti Zuckerberg duhet të japë dorëheqjen.
“Nuk ka gjasa që kompania të ndryshojë nëse Mark Zuckerberg mbetet drejtues ekzekutiv. Ka kaq shumë gjëra të mira që ai mund të bëjë në botë dhe ndoshta është një shans që dikush tjetër të marrë drejtimin e kompanisë”, tha Frances Haugen në natën e hapjes së Samitit të Uebit, një festival teknologjik që tërheq me dhjetëra mijëra njerëz në kryeqytetin portugez, Lisbonë.
Rrjeti social, me afro 3 miliardë përdorues, e ndryshoi emrin e tij në Meta javën e kaluar, një riemërtim që përqëndrohet në ndërtimin e një mjedisi virtual të përbashkët që synon të jetë pasardhësi i internetit në celular.
Por zhvilluesit e hershëm të botës virtuale e kritikuan riemërtimin e Facebookut si një përpjekje për të përfituar nga zhurma në rritje mbi një koncepti që ai nuk e krijoi, por që po e përdor për të shmangur vëmendjen negative nga publikimi i dokumentave. Zonja Haugen tha se riemërtimi i Facebookut nuk kishte kuptim duke pasur parasysh çështjet e sigurisë që ende duhet të trajtohen.
Njoftimi i Facebookut erdhi mes kritikave të forta nga ligjvënësit dhe rregullatorët mbi praktikat e biznesit të korporatës – veçanërisht fuqinë e saj të madhe në treg, vendimet algoritmike dhe kontrollin e abuzimeve në shërbimet e saj.
Rrjeti i mediave sociale është kundërpërgjigjur duke thënë se dokumentet e zbuluara nga zonja Haugen paraqesin një “pamje të rreme”.
Frances Haugen u tha ligjvënësve britanikë dhe amerikanë muajin e kaluar se Facebook do të nxiste trazira më të dhunshme në mbarë botën nëse nuk frenonte algoritmet e tij që nxisin përmbajtjen ekstreme dhe përçarëse duke shfrytëzuar grupmosha vunerabël si përdorues të vazhdueshëm.