Tre të vdekur, situata nga përmbytjet jashtë kontrollit

Përmbytjet kanë shkaktuar tre viktima dje në Tiranë, Klos dhe Këlcyrë. Rasti i parë është shënuar në vendin e quajtur Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit, ku 42-vjeçari Xhevahir Ndoi është rrëmbyer nga uji së bashku me makinën e tij. Burimet bënë të ditur se, Ndoi është mbytur si pasojë e fryrjes së lumit të Matit. Banorë të fshatit Plan i Bardhë të Klosit bënë të ditur se, kanë parë një fuoristradë që është rrëmbyer nga rrjedha e ujit të një përroi të tejfryrë si pasojë e reshjeve të rëna. Ata thonë se, kanë parë automjetin të rrotullohej brenda rrjedhës së ujit, por nuk kanë parë drejtuesin e mjetit të dilte prej tij.
Në vendngjarje kanë shkuar polumbarët për të nxjerrë trupin e viktimës nga lumi.
Rasti i dytë është shënuar në fshatin Sukë të Këlcyrës, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën, pasi është rrëzuar nga çatia e shtëpisë si pasojë e erës së fortë. Mësohet se viktima e dytë nga moti i keq është Kastriot Spahiu, 53 vjeç, i cili kishte hipur në çati për të bërë disa riparime. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij, 53-vjeçari kishte hipur lart për të rregulluar llamarinat, të cilat kishin lëvizur gjatë natës. Ajo shtoi se për shkak të stuhisë, erës së fortë dhe një guri që mbante llamarinat që i ka rënë në trup, ai është rrëzuar dhe ka rënë në tokë, duke marrë plagë të rënda në kokë që i shkaktuan dhe vdekjen.
Ndërsa rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, është gjetur trupi i një personi të pajetë buzë lumit të Tiranës në Babrru. Burime nga policia bënë të ditur se, një trup i pajetë i një personi rreth 60 vjeç është nxjerrë nga uji në zonën e Babrrusë në Tiranë. Dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e ujit, duke humbur jetën. Viktima u gjet te ura e Lumit të Tiranës, dhe është dërguar në morg. Mësohet se viktima ishte veshur me pantallona jeshile, bluzë dhe xhaketë dhe kanë qenë disa fëmijë që e kanë tërhequr nga këmba për ta nxjerrë në breg të lumit. Policia e Tiranës ka mundur ta identifikojë pas gati 7 orësh. Ai është Bajram Lala, 80-vjeç banues në zonën e njohur si Nish Tulla. Kufoma e tij u gjet në Lumin e Tiranës pranë zonës së njohur si Frutikultura. Bëhet e ditur se viktima kishte dalë të kulloste delet që në mëngjes. I moshuari është identifikuar nga i biri në morgun e Tiranës.

Situata në Tiranë jashtë kontrollit
Situata e krijuar nga përmbytjet në Tiranë ka dalë jashtë kontrollit. Rrugë dhe lagje të tëra janë të përmbytura nga qendra në periferi. Një grua rrezikoi jetën mëngjesin e djeshëm tek “9-katëshet” pasi u rrëzua dhe ra në pusetë teksa shiu binte me furi. Situata ka qenë e rëndë, dhe është dashur ndërhyrja e kalimtarëve dhe më pas e policisë për shpëtimin e saj.
Edhe pse prej dy ditësh kishte paralajmërime për përfshirjen e kryeqytetit nga reshje të dendura, Bashkia është gjendur e papërgatitur. Janë përmbytur rrugë, shkolla, banesa e biznese në mjaft zona. Shumë rrugë janë të pakalueshme për këmbësorët, përfshirë edhe kryqëzimin e “9-katësheve” në qendër. Bashkia i ka nxjerrë vetëm në mëngjes punonjësit, por pa mundur të mbulojë të gjitha zonat problematike. Në disa prej tyre, qytetarët i pastruan vetë pusetat e bllokuara. Rrugët të mbushura plot me ujë dhe asnjë ndërhyrje. Vetëm uji që rrëshqet nëpër rrugë dhe pronarë biznesesh e banesash që përpiqen të shpëtojnë pasurinë tyre.
Për herë të parë në Tiranë përmbytet edhe qendra e qytetit. Uji ka vërshuar si asnjëherë tjetër në Sheshin “Skënderbej”, duke e bërë të kalueshëm me vështirësi pjesën, ku kalojnë këmbësorët. Shkak është bllokimi i rrjetit të kanalizimeve dhe punimet që po kryhen nga Bashkia për kthimin e sheshit në pedonale. Veliaj është i vendosur të zbatojë urdhërat e Ramës, duke varrosur plot 17 miliardë lekë në betonizimin e Sheshit “Skënderbej” dhe parkingun nën të. Klientët e pushtetit përfitojnë shuma marramendëse, ndërkohë që viktimat e pafajshme akuzojnë dhimbshëm pushtetarët.
Ura e vetme që lidh dy anët e bregut të Lumit në Laprakë, në pjesën e pasme të Universitetit Bujqësor u shemb. Strukturat e shtetit si në nivel qendror ashtu edhe lokal ishin inekzistente. Jeta e qytetarëve ka qenë në rrezik.

Lana del nga shtrati, përmbyten disa zona
Si pasojë e shiut të dendur, Lana doli nga shtrati në vendin e quajtur Ura e Shkozës, duke përmbytur banesa e biznese. Qytetarë të shumtë kanë bërë apel për ndihmë pasi kanë mbetur të bllokuar në rrugën e Shkozës. Ata thonë se kanë qenë duke lëvizur në këmbë apo me mjetet e tyre, kur uji ka vërshuar papritur, duke i zënë në befasi.
Përmbytje ka pasur edhe në rrugën “Budi”, ku uji ka arritur deri në 5 cm. Ndërkohë që zonën e Shkozës, niveli i ujit ka shkuar nga 20 deri në 30 cm. Rrjedha e ujit ka shkaktuar dëme të mëdha në banesa, por edhe në makinat e parkuara, duke i përmbytur ato. E gjithë lagjja është pa energji elektrike.
Sakaq, lumi Lana ka dalë nga shtrati edhe tek Unaza e Re. Në afërsi të Pallatit me Shigjeta niveli i ujit ka arritur deri 30 cm, në rrugë, ndërsa rrezikohet të përmbytet një karburant e disa biznese. Prezenca e ujit ka sjellë edhe bllokimin e mjeteve në rrugë, duke paralizuar kështu trafikun.
Uji në zonën e “Bregut të Lumit” në kryeqytet kaloi nivelin mbi 2 metra. Disa banorë kanë mbetur të izoluar tërësisht nga uji. Pas apelit të qytetarëve, është bërë e mundur evakuimi i rreth 40 banorëve. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve që të ngjiten në tarracat e banesave si dhe të ndërpresin energjinë elektrike për arsye sigurie.
Tek “Don Bosko” janë përmbytur edhe disa biznese, përveç rrugës. Ndërkohë që prezencë uji ka në shumicën e rrugëve kryesore të Tiranës. Të shumtë janë qytetarët që kanë ngecur në trafik, ndërsa të tjerë e kanë të pamundur kalimin në këmbë.

Familja e bllokuar: Kemi 4 orë që presim
Një familje ka mbetur për më shumë se 4 orë e bllokuar te kthesa e Rinasit dhe ndonëse kanë kërkuar ndihmë askush nuk është kujtuar. “Kemi 4 orë që presim. I kemi telefonuar edhe numrit 112 dhe nuk na del. Nuk dimë si të kthehemi në shtëpi, në Tiranë. Askush nuk na jep një përgjigje. Kemi parë tmerr me sy, uji vërshonte nga të gjitha anët”, janë shprehur qytetarët e bllokuar.

R.POLISI

Artikulli paraprakDrafti i BE: Zgjedhje të lira e dekriminalizim
Artikulli tjetërPollo: Vendimi përfundimtar për hapjen e negociatave pas zgjedhjeve