Nga Kastriot ISLAMI
- Vuçiç përmes një qeverisjeje autoritare e të korruptuar mendon të qëndrojë gjatë në pushtet duke bindur qytetarët serbë se është i vetmi që mund të plotësojë dëshirat e vjetra përmes realizimit të Serbisë së Madhe…
- Një nga faktorët e rëndësishëm në BP janë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, MV dhe Malin e Zi, të cilët deri tani kanë pranuar të aplikojnë (lexoni programet partiake e qeveritare të partive të tyre kryesore) dy objektiva a) demokratizimin e vendeve të tyre ku jetojnë e punojnë dhe b) integrimin e vendeve të tyre në NATO e BE… Dallim bën vetëm Albin Kurti që drejton partinë kosovare Vetëvendosjen edhe është deklaruar përmes programit politik të partisë së tij se është për bashkimin e trojeve shqiptare…
- Rama për interesa të pushtetit të tij personal dhe pa asnjë mandat kushtetues e ligjor është bashkuar me Vuçiç në mbështetje të projektit të Serbisë e Madhe sepse ëndërron që ky projekt i siguron jetëgjatësi në pushtet, madje duke lënë të nënkuptohet (se nuk ka guxim ta artikulojë marrëzinë e tij publikisht nga frika e kundërshtimeve nga SHBA e BE) se ka marrë leje nga Vuçiç për “prishjen e kufirit Kosovë-Shqipëri” (që është një budallallëk i madh se për këtë akt edhe nëse do të realizohej me mbështetjen e SHBA e BE nuk ka asnjë arsye përse të merret leje të Vuçiç). Për këtë arsye është gati të bëjë gjithçka në ndihmë të Vuçiç për projektin e Serbisë së Madhe.
- Rama po përpiqet të japë mbështetjen e tij maksimale për realizimin e projektit të Serbisë së Madhe. Si në mënyrë paqësore përmes tre nismave të përbashkëta me Vuçiç, a) për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, b) nismës për Minishengenin ballkanik dhe c) së fundmi nismës për Ballkanin e Hapur. Si dhe përmes kërcënimeve për “konflikte ballkanike” përmes hedhjes në erë të BiH apo shpërbërjes së MV. Natyrisht këto llogari Rama duket se i ka bërë gabimisht me Vuçiç, por ndoshta edhe me disa të tjerë që janë armiq të çeshtjes shqiptare…
- Rama preferon rrugën paqësore për realizimin e projektit të Serbisë së Madhe sepse qytetarët, sidomos të rinjtë ballkanas janë kategorikisht kundër rrugës së konflikteve, për më tepër që rruga e konflikteve nuk ka asnjë garanci për jetëgjatësinë e pushtetit të tyre personal sepse mund të çojë në një luftë ballkanike e ndoshta edhe përtej… shumë te rrezikshme për pushtetin e tyre e madje deri edhe jetën e tyre. Por Rama e Vuçiç e përdorin rrugën e konflikteve, sidomos hedhjen në erë të BiH e zbërthimin e MV, për të detyruar faktorët e brendshëm e të jashtëm të BP që të rreshtohen e mbështesin projektin e tyre paqësor të Serbisë së Madhe…
- Madje Rama e Vuçiç “rrëshqasin” tinëzisht në mjedisin mediatik e qytetar ballkanik, rajonal e përtej tyre, informacionet e sajuara prej tyre se për realizimin e projektit të Serbisë së Madhe, qoftë në rrugë paqësore qoftë konfliktuale, kanë mbështetjen e disa prej qendrave të rëndësishme e vendimmarrëse globale..
- Natyrisht që lojërat tinzare në Ballkan për pushtet personal gjithnjë nuk kanë përfunduar mirë… Faktorët e rëndësishëm globale që prej 30 vjetësh kanë dhënë kontribut për qetësimin e kësaj “fuçie baruti” janë në dijeni dhe koshient për rreziqet që mbart loja për karrigen e tyre të dy drejtuesve autoritarë e të korruptuar Rama-Vuçiç përmes projektit të Serbisë së Madhe. Me siguri ata kanë bërë analizat e tyre e madje kanë filluar të ndërhyjnë për ta shmangur një “luftë ballkanike” që historikisht ka qenë shkëndija e “luftërave globale”… Shenjat e para janë dhënë, dorëheqja e Zaev duket të jetë një nga lëvizjet e para, shpresoj që në javët e muajt në vijim të ketë zhvillime të reja në drejtim të çmontimit të këtyre lëvizjeve në krye të së cilës qëndron dyshja Rama-Vuçiç. Për të rivendosur rajonin në shinat e normalitetit, stabilitetit e bashkëjetesës multietnike në të gjithë vendet e BP që synojnë të bëhen pjesë e familjeve të zhvilluara.