Basha-Berishës: Nuk i kishe firmat dhe nuk i dorëzove te organet statutore

KOMUNIKIMI ME MEDIAN I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

Lulzim Basha: Zoti Berisha ka qenë për një kohë shumë të gjatë kryetar i Partisë Demokratike, e di shumë mirë statutin, rregullat e partisë. E di se si vihen në lëvizje mekanizmat për thirrjen e Kuvendit. Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që ka bërë me demokratët dje duke fshehur blofin e tij dhe mungesën e firmave për ¼ e anëtarëve të Kuvendit që do të vinin në lëvizje mekanizmin për thirrjen e Kuvendit. Nëse do ti kishte mbledhur do kishte dorëzuar sipas statutit që të nisnin procedurën statutore që ai e njeh shumë mirë. Dhe fakti që ai se ka bërë, çdo demokrat e kupton pse s’e ka bërë sepse e gjitha ka qenë një blof. Dhe atë që e nisi si betejë gjoja për demokratizimin e Partisë Demokratike përfundoi si betejë për hallet e tij personale dhe për pushtetin e tij personal.

Pyetje: Nëse firmat do dorëzohen do shkoni në Kuvend?

Lulzim Basha: Përgjigja e statutit është fare e qartë, ka një proces shumë të qartë. Ju a ka shpjeguar në detaje Sekretari i Përgjithshëm. Ndaj ju ftoj t’i referoheni që të mos bëhemi përsëritës, çdo gjë që Sekretari i Përgjithshëm ka përsëritur dje. Ndërsa qëndrimin tim si kryetar besoj e keni të qartë është i paekuivok.

Pyetje: Pse nuk thërrisni ju një Kuvend Kombëtar?

Lulzim Basha: Kuvend Kombëtar sa herë të jetë i nevojshëm jam i gatshëm ta thërras unë, sa herë të jetë i nevojshëm jam i gatshëm të thërras Kuvend për demokratët dhe Kuvend të demokratëve. Dua ta hedh poshtë gënjeshtrën se PD dhe kryetari i saj nuk duan Kuvend. Jo. Ajo që kam thënë këtu dhe kudo tjetër është se Kuvend dhe institucion i PD nuk do të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane dhe Partia Demokratike nuk do të kthehet në bunker për hallet as të Sali Berishës të dhe askujt tjetër. Por do të mbetet shpresa e demokratëve, sakrifica e tyre nuk do të shkelet me këmbë, por ne do ecim përpara sepse kemi një armik jo kundërshtar, që është një regjim.

Kemi një regjim përballë dhe po shikoni se regjimi mbështetet në një trekendësh. Kemi të dhëna që regjimi është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda Partisë Demokratike. Kam vetëm një thirrje dhe një ftesë Sali Berishës.Nuk i kishe firmat dhe nuk i dorëzove te organet statutore ashtu siç i di fare mirë rregullat e kësaj partie se ke qenë kryetar i kësaj partie. Boll harxhove kohën dhe energjitë e demokratëve, boll ndihmove Edi Ramën! Partia Demokratike do bëjë gjithçka nën lidershipin e zgjedhur që kundërshtarin e vetëm të Shqipërisë dhe armikun e vërtetë të përditshmërisë së shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij ta çojë një orë e më parë përpara fundit të merituar politik. Ne jemi në atë parlament që ky fund të vijë një orë e më parë për të rikthyer demokracinë dhe legjitimitetin në shina. Siç e dini fare mirë kemi çuar iniciativa dhe do ndërmarrim çdo aksion politik edhe me ndihmën e partnerëve tanë që jo vetëm demokratëve por gjithë shqiptarëve tu kthehet vota e vjedhur dhe shpresa e vrarë.

Artikulli paraprakPo lëvizte me motor, aksidentohet rëndë aktori i “Portokallisë”
Artikulli tjetërJa çfarë vendosi KQZ për Tom Doshin