Pyetje: Kur është mbledhur kryesia e Partisë Demokratike për t’i propozuar LSI-së listën e përbashkët me 15 mandate të sigurta? Në cilën ditë dhe në cilën orë?
Gazment Bardhi: Nuk është mbledhur sepse nuk ka patur një dakordësi nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim për të patur mundësi që t’i propozohej kryesisë së partisë hyrja me një listë të përbashkët. Qëndrimi konstant, por edhe publik i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë që do të duhet të dilnim në dy lista të veçanta, pavarësisht qëndrimit tonë se aksioni opozitar apo vullneti opozitar të maksimalizohej, nëse do të përfshiheshim në një listë, qëndrimi krejt normal i Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas vlerësimeve të tyre ishte që ata do të maksimalizonin votën duke hyrë në dy lista të veçanta. Besoj i kujtoni deklaratat publike të zonjës Kryemadhi që me ndryshimet e njëanshme të kodit dhe të Kushtetutës nga Edi Rama përfitonte Lëvizja Socialiste për Integri, sepse nga 19 mandate që kishte marrë në 2017 do të arrinte të merrte, nëse s’gabo, ka thënë më shumë se 40 mandate me ndryshimet e njëanshme që kishte bërë Edi Rama në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në fakt, besoj se biem dakord të gjithë që ato ndryshime të njëanshme dhe ai veprim akti i paprecedent i regjimit i Edi Ramës ishte një dhunim flagrant jo vetëm i mundësisë që e gjithë opozita të garonte sipas rregullave të njohura paraprakisht, por ishte edhe një nga shkaqet që nuk u përkthye në mandate i gjithë vullneti i popullit opozitar.
Pyetje: Pas deklaratave të mbrëmshme, doni t’i ktheni një përgjigje Elona Gurit?
Gazment Bardhi: Nuk e njoh fare kush është zonja. Unë kam dhënë me dhjetëra konferenca për shtyp. Ju jeni dëshmitarë, konferencat e mia janë publike, ato që u fshehën dhe nuk erdhën një ditë në qarkun e Elbasanit edhe pse drejtuan qarkun e Elbasanit, janë arsyeja e vetme se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti dot të merrte asnjë mandat për fat të keq në qarkun e Elbasanit. Besoj ju e dini që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka zhvilluar fushatë në qarkun e Elbasanit.