Protesta e fermerëve/ Basha poston videon: Zëri i tyre duhet të dëgjohet, buxheti të përdoret për të mbështetur prodhimin vendas, jo për obortarrët e kësaj qeverie të korruptuar
Bujqësia, që jep gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, merr në këmbim mbështetjen më të ulët në krahasim me çdo vend tjetër të Ballkanit, të pa krahasueshëm me Republikën e Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut. Dhe kjo padiskutim që i bën jokonkurruese produketet e fermerëve tanë. I shkatërron ata, ndërkohë që fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigja e vetme që vjen është dhuna policore mbi ta. Është dhuna për të shuar zërin e tyre. Është dhuna për të shuar protestën e tyre të drejtë.
Dhe tani që flasim, tani që flasim në këtë moment, fermerët janë në rrugë, janë në shesh për të drejtat e tyre, për mbijetesën e tyre dhe të familjeve të tyre, për të marrë atë që kolegët e tyre në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk po shkoj më tej, e gëzojnë çdo ditë, por jo këtu në Shqipëri. E gëzojnë ata nga qeveri që mbështesin bujqësinë, që u shpërblejnë mundin dhe sakrificën me të cilën kontribuojnë në ekonomi. Por jo fermerët tanë.
Brenga, dëshpërimi dhe zemërata e tyre janë të përligjura, sepse detyron të flakin djersën, produket e tyre, detyrohen të emigrojnë, detyrohen të punojnë tokat e vendeve fqinjë, të vjelin produktet e vendeve fqinj, sepse paratë e taksave që ky dhe qeveria e tij shpërdorojnë, nuk shkojnë për ta.