Izraeli, i frikshëm!

Përballë një kundërshtari direkt në kualifikueset e Botërorit 2018 dhe që rezervon shumë të panjohura, në letër kombëtarja shqiptare duket e avantazhuar. Jo thjesht për faktin se luan në shtëpi, por edhe prej vlerës së përgjithshme të skuadrave.
Vlera e Shqipërisë në merkato përllogaritet në 43,25 milionë euro, ku mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj është lojtari më i kushtueshëm në merkato, me 13 milionë euro. Pas tij vijnë Taulant Xhaka 4 milionë euro, Etrit Berisha 3,5; Amir Abrashi e Ledian Memushaj 2,5; Arlind Ajeti e Bekim Balaj 2 dhe Mërgim Mavraj, kartoni i të cilit në merkato vlerësohet 1,75 milionë euro.
Kombëtarja kuqezi kushton afro 11 milionë e gjysmë euro më tepër se skuadra e Izraelit, vlera e së cilës në merkato përllogaritet në 31,7 milionë euro. Në skuadrën me disa emra të rinj të përzgjedhur nga trajneri Elisha Levi, elementi më i rëndësishëm është mesfushori Bibras Natcho.
Me vlerën 10 milionë euro në merkato, lojtari i CSKA-së së Moskës kushton sa 1/3-ta e të gjithë ekipit, ndërsa pas tij ndodhet Eran Zahavi, me një të kaluar te Palermo në Serinë A, që tashmë luan në Kinë me milionerët e Guangzhou.
Shifrat e merkatos favorizojnë Shqipërinë, por për të marrë tri pikët, të besuarit e De Biasit kanë detyrën të tregojnë supremacinë edhe më 12 nëntor në “Elbasan Arena”.
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar dje e plotë stërvitjen e paradites në Durrës, duke përgatitur ndeshjen kundër Izraelit. Trajneri Xhani de Biazi kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, pasi grupit iu bashkuan edhe dy të fundit, Odise Roshi dhe Bekim Balaj.
Megjithatë, të dy lojtarët që udhëtonin nga Rusia u stërvitën të diferencuar, duke kryer vrapime, bashkë me Mërgim Mavrajn dhe Armando Sadikun. Ky i fundit vazhdon planin e përgatitjes individuale duke shpresuar që të riaftësohet në kohë dhe stafi mjekësor i kombëtares po e monitoron nga afër gjendjen e tij, në tentativën për të bërë gati lojtarin për ndeshjen e të shtunës.
Sadiku ka qenë prej disa javësh nën mbikëqyrjen e Xhanluka Stesinës, mjekut të kombëtares, i cili punon në qendrën J-Medical ku po riaftësohej sulmuesi. Stesina i ka konfirmuar De Biazit se lojtari mund të bëhet gati për këtë sfidë dhe kjo është arsyeja pse Sadiku u grumbullua ndonëse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje që nga momenti i dëmtimit.
Sakaq, pjesa tjetër e grupit vazhdoi të punonte taktikisht me ekipin me ushtrime që kishin si qëllim daljen nga mbrojtja në sulm si repart. Pjesë e grupit ishte edhe Arlind Ajeti, një tjetër lojtar i rëndësishëm i riaftësuar pas një fillimsezoni problematik për shkak të dëmtimeve.

Artikulli paraprakTurko-gjermani Aytekin, arbitri i Shqipëri-Izrael
Artikulli tjetërReali pa Toni Kros deri më 2017