Kriminel apo manjat, sportist apo spiun. Shoriki Matsutaro nuk qe vetëm botues. E bëri “Yomiuri Shimbun” gazetën më të lexuar të botës.
8 milion kopje çdo ditë dhe një televizion komercial pa rivalë, akoma sot në epokën e internetit: një ëndërr që përkëdhel netët e Silvio Berlusconi, Urbano Cairo, John Elkann, Michael Bloomberg apo çdo padroni tjetër të shtypit dhe të masmediave. Megjithatë kësaj radhe realiteti është vërtet i përbërë nga e njëjta lëndë si e ëndërrave. Po flasim për “Yomiuri Shimbun”, të përditshmen më të madhe botërore, dhe për Ntv, Nippon Television Network, kryeveprat që Shoriki Matsutaro (mbiemri përpara emrit, siç e do tradita) u ka lënë trashëgimtarëve të tij. I lindur më 1885 dhe vdekur më 1969, ai ka qenë një prej mjeshtërave më të mëdhenj të xhudos të të gjitha kohërave, duke arritur nivelin e rrallë e danit të 10-të; në vitet ’30 ka futur për herë të parë bejsbollin, i bërë një prej sporteve më të përhapur në Japoni, edhe pse nuk ka mjaftuar që amerikanët fitimtarë ta akuzonin për kolaboracionizëm me regjimin nacional – militarist. Nga ana tjetër, ka pasur një rol politik të dorës së parë në shumë vitet kur ka pasur karrigen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe më pas në atë të parëve. Një influencë e ushtruar edhe mbi Japoninë demokratike, duke lançuar një fushatë për bërthamoren civile, i bindur se vetëm energjia atomike do të mund të mbështeste ambiciet e një vendi të varfër nga gjithçka përveçse me aftësi dhe vullnet. Një tycoon, një manjat i të njëjtës natyrë si ata amerikanë apo anglezë të marrë si model në vendet aziatike të dala nga izolimi shekullor. Një njeri që ka kuptuar natyrën ambige e mjeteve të komunikimit masiv dhe ka ditur t’ia përdorë të dyja fytyrat, atë që përballon një nevojë të pashmangshme (komunikojë, njohë, informojë dhe të jesh i informuar) dhe atë që manipulon opinionin publik të ndryshueshëm, kapriçoz dhe vulnerabël siç e quajnë sociologët amerikanë. Midis masave dhe pushtetit, por të cituar Elias Canetti, ndodhen mjetet e komunikimit. Në Japoni edhe e përditshmja e dytë më e madhe, “Asahi Shimbun”, siç do ta shohim, ka ndjekur një parabolë shumë të ngjashme. Në Korenë e Jugut është edhe më e fortë ndërthurja jo vetëm me politikën, por edhe me biznesin dhe kongolomeratet e mëdha industriale, si në rastin e Hong Jin-ki, politikanit dhe botuesit që ka lidhje të ngushta familjare në stilin e përkryer monarkik me Lee Byungchul, babain pardon të Samsung.
Shoriki u lind në Daimon të Prefekturës Toyama, një gji i madh në Detin e Japonisë; diplomohet në Tokyo University dhe debuton si xhudist, ndërsa ishte në rangjet e larta e policisë metropolitane. Është në gjithçka dhe për gjithçka një frut i revolucionit Meiji, atij që hapi për botën dyert e Japonisë dhe lançoi konkurrencën e hapur me gaijin, ata të huaj, barbarët. “Teknikë perëndimore, shpirt japonez” bëhet formula e suksesit. Karriera e tij si ruajtës i ligjit ndërpritet papritmas më 1923, kur shkarkohet ghatë spastrimit në radhët e politikës e të forcave të sigurisë, të paafta që të parandalonin vrasjen në tentativë e princit regjent Hirohito nga dora e studentit komunist Namba Daisuke (episod i quajtur rëndom incidenti Toranomon, “porta e tigrit”, nga emri i hyrjes jugore në pallatin perandorak Edo). Njëë vit më pas, me ndihmën e një investitori të pasur, Shoriki vendos të blejë “Yomiuri Shimbun” (që mund të përkthehet si gazeta e gazetashitësit) e themeluar më 1874 nga Takashi Koyasu. E përditshmja e zgjeron rrezen e saj të veprimit, duke zgjeruar mbulimin gazetaresk dhe shpenzimet; më 1941, përpara sulmit ndaj Pearl Harbor që e fut Japoninë në luftë me Shtetet e Bashkuara dhe në pragun e vetëshkatërrimit, “Yomiuri Shimbun” është tashmë numri një në Tokio. Në vitet ku e djatha nacionaliste fiton me mënyra të mira e të këqija opinionin publik, Shoriki mbetet mbështetës i hapjes ndaj Perëndimit, aq sa të bëhet idhtar i një fushate për shumë aspekte paradoksale, por që bëhet popullore: të fusë besjbollin dhe të sfidojë Shtetet e Bashkuara në terrenin e tyre sportivo – kulturor. Më 1934 ekipi All Star japonez zbret në fushë përballë All Star e Shteteve të Bashkuara. Një kompeticion i pabarabartë, për i impresionin të gjithë prej mjeshtërisë së lëshuesve dhe gjuajtësve japonezë. Amerikanët fillojnë të zbulojnë se xhapët, siç i quajnë ata, janë kockë e fortë në të gjitha fushat. Ekipi bëhet profesionist dhe pagëzohet Yomiuri Giants. Që nuk bëhet fjalë vetëm për kalimin e kohës e një pasaniku të ri, as për një variant midis sportit, spektaklit dhe informacionit, e demonstron zemërimi i ksenofobëve. Një grup ultranacionalistësh provon ta vrasë Shoriki: ka bërë të luajnë të huajt në Jingu, stadiumin e parkut të madh që mban emrin e perandorit Meiji, për këtë meriton vdekjen prej shpatës. Botuesi ja kalon me një plagosje të keqe. Shumë vite më pas, më 1949, me luftën e përfunduar dhe të humbur, do të bëhet presidenti i ligës profesioniste që debuton me një kamapion me seri A e me seri B: tashmë bejsbolli është sporti i gjeneratave të reja.
Politika e konfrontimit paqësor përplaset me valën në rritje e nacionalizmit militarist. Më 1936 disa reparte të divizionit të parë Gemma rebelohen, sulmojnë godinat qeveritare, vrasin disa personalitete politike, kërkojnë një rinovim të thellë dhe një politikë të jashtme agresive. Puçi dështon, ekzekutuesit materialë të tij pushkatohen, por hierarkitë ushtarake që e kanë mbuluar, në mos favorizuar, e rrisin influencën dhe pushtetin shantazhues të tyre. Nis gara e riarmatimit dhe angazhimi pasues me Italinë fashiste dhe Gjermaninë naziste që do të çojë në boshtin Romë – Berlin – Tokio dhe në sulmin e dhjetorit 1941 ndaj bazës amerikane të Pearl Harbour. Pas humbjes më 1945, Shoriki gjykohet si kriminel lufte i klasit A dhe dënohet me burg. Do të qëndrojë në qelinë 21 për 21 muaj dhe do të lëshohet më 1947 pasi aktakuzat kundër tij konsiderohen me natyrë ideologjike e politike, jo të mbështetura nga prova materiale krimesh konkrete. Është fillimi i Planit Marshall dhe i një kthese në politikën kundër të mundurve, duke filluar pikërisht nga Japonia, e cila me avancimin e Luftës së Ftohtë do të konsiderohet gjithnjë e më shumë nga Shtetet e Bashkuara si një baluard kundër komunizmit fitimtar në Kinë e në Korenë e Veriut, si edhe gardian i ekulibrave strategjikë në Paqësor.
Kapelja e bejsbollit duket si e bërë kinse për ta transformuar Shoriki në idhtarin e epokës së re. Më pas vjen televizioni: Ntv afirmohet si rrjeti privat numër një, haptazi proamerikan. Pak më vonë edhe fushata për bërthamoren civile, ndërkohë që tmerret e Hiroshimës e Nagasakit trazojnë ëndërrat e çdo japonezi. Më 1956 krijohet Komisioni për Energjinë Atomike i kryesuar nga Shoriki, që vitin tjetër do të shkojë të drejtojë edhe Agjencinë për Shkencën dhe Teknologjinë e sapokrijuar: aspak bejsboll, Japonia futet në Ligën A e zhvillimit. Më 2006 Arima Tetsuo, profesor në Waseda University, rrëmon dokumentat e deklasfikuara nga CIA dhe zbulon e prapa këtyre zgjedhjeve ishte edhe dora e agjencisë dhe manjati i botimeve vepronte si longa manus dhe idhtar; kishte edhe dy emra të koduara: Podam dhe Pojackpot-1. Teknologjia ishte amerikane, e kotë ta thuash, por Shoriki Matsutaro nuk mund të damkoset si spiun banal, ka qenë një agjent aspak sekret i Japonisë bashkëkohore dhe trashëgimia e tij nuk është ndërprerë: në momentin e vdekjes Matsutaro ja ka lënë të gjitha postet e tij (përfshi bejsbollin) të birit Toru, i vdekur më 2011 në moshën 92 vjeçare. “The Economist” e ka krahasuar me Citizen Kane, personazhin e “Pushtetit të Katërt” e Orson Wells, por ndoshta kanë të drejtë Edward Uhlan dhe Dana L. Thomas që e quajnë njeriun e mrekullisë japoneze, me të gjitha kontradiktat e tij. Janë pikërisht këto që e prezantojnë me ndodhitë e kundërshtarëve më të egër të tij, trashëgimtarët e Murayama Ryohei, që me Ueno Riichi kishte themeluar “Asahi Shimbun” (“gazetën e diellit të mëngjesit”) më 1874. Numri dy në shitje është numri një midis elitës së kulturuar, nëse Yomiuri është gazeta e konservatorëve, Asahi është ajo e progresistëve, edhe pse gjatë historisë së saj ka qenë liberale dhe reaksionare, e hapur ndaj botës dhe e mbyllur për të huajt.
Fillimet janë tradicionalë. Asahi debuton në Osaka si një fletushkë me 4 faqe, por më 1881 fillon të zgjerohet falë ardhjes së Ueno, ndihmave të qeverisë dhe financimeve të grupit Mitsui, një prej zaibatsu (kongolomerateve të mëdhenj industrialë të integruar vetikalisht që do të merren si model në Azi, duke filluar nga Koreja dhe nga Kina) të mëdhenj. Kështu që edhe Asahi është pjellë e drejtpërdrejtë e revolucionit Meiji. Është nën drejtimin e Ueno që gazeta zbarkon në Tokio, fiton përhapje kombëtare dhe hapet ndaj penave të shkrimtarëve më të njohur: shërben si hapës rruge Soseki Natsume, një prej tregimtarëve më të mëdhenj japonezë e botërorë që më 1907, i pajisur me suksesin e romanit të tij “Unë jam mace”, lë mësimdhënien universitare për të qenë pjesë e “Tokyo Asahi”. Revoltat e orizit e 1918 shërbejnë si vijë ndarëse politike: kryeministri Masatake Terauchi jep dorëheqjen dhe gazeta sulmon qeverinë e mbështet arësyet e manifestuesve të goditur nga rritja e çmimeve. Qysh atëhere bëhet shënjestër e së djathtës nacionaliste, derikur në mesin e viteve ’30 Asahi rreshtohet në favor të princit Konoe Fumimaro, që me t’u bërë kryeministër më 1937 shpërthen kundër Kinës. Është një kthesë imperialiste jashtë dhe totalitare brenda, e mbështetur nga ushtria. Një kontribut i rëndësishëm vjen nga një institut kërkimor që përmbledh disa prej opinionistëve më influentë: quhet Shoqata Kërkimore Showa (emri i dinastisë sunduese të drejtuar Hirohito) e lindur më 1930 për të reformuar kushtetutën Meiji, mbështet teorinë panaziatike që e donte Japoninë në krye të një rendit të ri në Juglindjen aziatike të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjitha vendet e tjera, duke filluar nga Kina. Në planin e brendshëm grupi proklamon një aset socialist dhe shikon me interes nga të gjitha përvojat anti apo postkapitaliste, nga Bashkimi Sovjetik tek fashizmi dhe nazizmi.
Një kontribut me mendim të rëndësishëm vjen nga editorialistët e Asahi: ekonomisti me formm marksist Ryu Shintaro dhe Ozaki Hotsumi, informator i Richard Sorge, spiuni i famshëm gjerman që punonte për Tokion për llogari të Stalinit. Nga ana e tij Ogata Taketora, drejtori i gazetës, ishte anëtar i Genyosha, grupit më të famshëm ultranacionalist i lindur më 1881. Pozicionet e Ogata bëhen të sikletshme qysh gjatë luftës, aq sa më 1943 Murayama Nagataka, kunat i themeluesit dhe president i “Asahi Shimbun”, detyrohet që ta shkarkojë. Një vit më pas gazetari influent bëhet ministër pa portofol dhe shef i spiunazhit japonez. Kompromentimi me regjimin, lufta dhe humbja është totale dhe në nëntorin e 1945 drejtuesit dorëhiqen masivisht. Por edhe për “Asahi Shimbun”, ashtu si për “Yomiuri Shimbun” vjen koha e pajtimit. Gazeta shkon sërish në pozicionet fillestare progresiste, bën një fushatë në favor të Nenit 9 të kushtetutës që ndalon luftën (më 2014 i kundërvihet edhe forcave të vetëmbrojtjes japoneze që i hapin rrugën një rishikimi të pozicionit fillestar pacifist), rreshtohet në betejën e grave për barazi dhe emancipim të plotë, gjatë katastrofës bërthamore të Fukushima më 2011 zbret në fushë kundër qeverisë.
Gazeta boton dëshminë e parë e mbajtur sekrete e Yoshida Masao, menaxherit të impiantit që thekson se punonjësit ja kishin mbathur pavarësisht se kishin marrë urdhërin e prerë që të qëndronin. Gazetat e djathta kalojnë majtas dhe e dënojnë gazetën pse ka demonizuar punëtorët. Në realitet është një perde tymi, pasi pak kohë më pas “Yomiuri Shimbun” ka botuar të njëjtën dëshmi të marrë nga burim tjetër. Por sulmi ecën përpara dhe i shtohet edhe kryeministri Abe Shinzo, aq sa drejtori kërkon falje dhe dorëhiqet, ndërsa gazetarët autorë të scoop ndëshkohen. Punonjësit e reaktorit janë heronj, shpirti japonez gjithësesi duhet të mbizotërojë ndaj teknologjisë perëndimore. Yoshida do të ndërrojë jetë më 2013 prej një kanceri në ezofag. Edhe grupi Asahi është tashmë një konglomerat i madh mediatik me shumë televizione, dimension internet, sponsorizime sportive, në vite ka zhvilluar një raport me “New York Times” dhe me Harvard University që e bën markën vërtet ndërkombëtare. Megjithatë gazeta mbetet zemra pulsuese me 5 milion e më shumë kopjet e shitura. Drejtimi është menaxherial, por pronësia ende transmetohet nga gjenerata në gjeneratë: familja Murayama ka kuotën kryesore, pasuar nga familja Ueno. Edhe falë një fete të mirë aksionesh të riblera nga i njëjti holding, kontrolli është i siguruar, nga ana tjetër nuk shikohet se kush mund të penetrojë në kështjellat japoneze e informacionit, të mbrojtura nga barriera e pronësisë jo vetëm nga gjuha. Deri fondet e investimit, aktivë dhe të vendosur, lëvizin me hapa të plumbtë, në respektim të ceremonialit.
Prej kohësh stërflitet për krizën e modelit japonez, mbi stanjacionin e vendit, plakjen, borxhin publik, mungesën e ndërrimit politik, kërcënimit kinez që ka aromën e hakmarrjes. Në çdo kalim epokal Japonia është ballafaquar me spektrat e saj. Të vjen në mendje një pjesë nga romani “Shpirt” i Soseki: “Atëbotë në kulmin e verës perandori Meiji e la jetën… Ishte i kaplluar nga ndjesia se unë dhe të tjerët e rritur në atë epokë qemë lënë pas për të jetuar si anakronizma. Ja thashë sime shoqeje. Nisi të qeshë. Pastaj më tha thuajse për shaka: “Mirë, atëhere junshi është zgjidhja e problemit tënd, do të ndjekësh zotërinjë në varr”. Mjeshtëri, figurë kyçe e historisë, e merr seriozisht dhe vetëvritet “prej besnikërisë ndaj shpirtit të epokës Meiji”. E megjithatë dielli lind ende në lindje.
(nga Il Foglio)
Përgatiti
ARMIN TIRANA