“Asnjë konsultim me gurpet e interesit”/ Basha: Ky nuk është buxheti i qytetarëve, por i klientëve të qeverisë!

“Asnjë konsultim me gurpet e interesit”/ Basha: Ky nuk është buxheti i qytetarëve, por i klientëve të qeverisë. Model ekonomik putinist, të ngritur mbi klientelizmin dhe korrupsionin

Dhe paradoksalisht, qeveria që nuk dëgjon fermerët, që nuk dëgjon asnjë grup interesi, pasi ka arritur të lërë të pakënaqur të gjitha grupet e interesit, shoqata prodhuesish vendas, eksportuesish, investitoresh, tregtaresh, rekord historik ky në fakt që tregon shumë për cilësinë e politikave tuaja, është e njëjta qeveri që ka votuar në këtë sallë ligjin për bashkëqeverisjen.

Pra, keni bërë ligj parullën propagandistike që kujtoni me nostalgji, ç’thotë populli bën partia, por kur vjen nevoja për të pyetur ata që qeverisini, me të cilët medemek bashkëqeverisni, ju ktheheni në bunkerë të interesave të një pakice mikroskopike njerëzish.

Sepse ky nuk është buxheti i qytetarëve, por buxheti i klientëve tuaj, me të cilët keni ndërtuar një model ekonomik putinist, të ngritur mbi klientelizmin dhe korrupsionin të kudondodhur, siç tregon çdo raport dhe çdo studim ndërkombëtar.

Një model putinist që bazohet mbi kontrollin asfiksues të ekonomisë, që nuk prodhon mirëqenie për qytetarët. Sepse pavarësisht se keni rritur taksat dhe tarifat më shumë se çdo qeveri tjetër, që nga koha e Tanzimatit, pavarësisht se keni marrë borxh më shumë se të gjitha qeveritë bashkë nga viti 1991 deri në vitin 2013, rezultati i vetëm që prodhoni është varfërimi, që kërcënon 50% të bashkëqytetarëve tanë, dhe shpopullimi, që është plaga më kërcënuese e shoqërisë tonë, e cila po mpaket dhe po plaket me shpejtësi marramendëse, ndërkohë që prioriteti i vetëm që ju keni janë PPP-të dhe koncesionet klienteliste, të shoqëruara nga poshtërsitë hileqare si ato që vuri në dukje Kontrolli i Lartë i Shtetit, me tendera rrugësh pa pasur fonde, me prokurime të paparashikuara në buxhet dhe të pamiratuara nga parlamenti.

Artikulli paraprakBasha: Fermerët protestojnë me të drejtë, buxheti për bujqësinë do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar
Artikulli tjetër“Agjesia për fondet e donatorëve”/ Basha: Po e valëvisni me krenari Ilir Beqaj si flamur të pandëshkueshmërisë