PD e vendosur t’i shkojë deri në fund hetimit
Nga Luçiano BOÇI
Ortakët e incineratorëve dhe avokatët e tyre në politikë dhe media vazhdojnë përpjekjet e paligjshme për të penguar zbardhjen e plotë të vjedhjes më të madhe në 31 vite.
Pas letrës së Mirel Mërtirit drejtuar bankave, refuzimit të një pjesë të këtyre të fundit për të kthyer përgjigje duke zgjedhur bindjen ndaj mafies të incineratorëve në vend të zbatimit të ligjit, përpjekja e rradhës është publikimi i përgjigjes së një banke në një media.
“Çuditërisht” argumentet janë të ngjashme si dy pika uji me letrën e Mërtirit.
E vërteta është se kthimi i përgjigjes është në përputhje të plotë me ligjin për komisionet hetimore.
Neni 4, pika 2 e ligjit i ka njohur Komisionit Hetimor çdo të drejtë që ka organi i prokurorisë për të hetuar, me përjashtim të ngritjes së akuzës penale dhe marrjes së personave të pandehur.
Ndërsa, neni 15, pika 1 dhe neni 17, pika 1 i njohin Komisionit të drejtën për të administruar çdo dokument apo të dhënë që diktojnë nevojat e hetimit.
Ligji pra, përmban një detyrim të qartë për dhënien e çdo informacioni dhe dokumenti të kërkuar nga Komisioni.
Për sqarim, një fakt konkret për të drejtat e Komisioneve Hetimore dhe detyrimet e bankave, që vjen nga vetë PS dhe vetë bankat:
Në vitin 2016, kur Komisioni Hetimor për OSSH drejtohej nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, të gjitha bankat e nivelit të dytë i ofruan informacionin e kërkuar Komisionit Hetimor për çdo person objekt të këtij Komisioni.
Aplikimi i standardeve të dyfishta është një tregues i qartë i përpjekjes së koordinuar biznes – politikë – media për të fshehur të vërtetën.
Por, këto përpjekje nuk do të mbeten pa marrë përgjigjen e duhur.
Deputetët e PD-së janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund transparencës së plotë mbi këtë aferë korruptive.
Për këtë arsye nëse bankat do të refuzojnë sërish kthimin e përgjigjes, Komisioni do të shfrytëzojë të drejtat e tij ligjore për të thirrur dëshmitarë CEO-t e bankave dhe këqyrjen në vend të llogarive bankare të pronarëve të incineratorëve dhe çdo pushtetari të lidhur me ta.
Ndërkohë, për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e paligjshme të kryera deri më tani, përfshirë letrën e Mërtirit, refuzimin e bankave dhe publikimin e paautorizuar të përgjigjeve, Komisioni do të depozitojë kallëzim penal në SPAK.
Asnjë përpjekje e kujtdo qoftë nuk do të na stepë.
As mafia e incineratorëve, as ortakët dhe as avokatët e tyre.
Qytetarët duan të dinë si qëndron e vërteta dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo e vërtetë të zbardhet plotësisht.