Pas lumturimit, Presidenti Bujar Nishani dekoroi dje me urdhrin shtetëror të “Flamurit Kombëtar”, 38 martirët e Kishës Katolike, viktima të diktaturës komuniste. Në një ceremoni të mbajtur në Pallatin e Brigadave në prani të klerikëve, ambasadorëve dhe zyrtarëve në vend, Presidenti Nishani tha se ndërgjegjja jonë ka nevojë të kërkojë falje për vrasjet e kryera në emër të shtetit diktatorial dhe si kryetar shteti ai mori të gjitha përgjegjësitë.
“Më lejoni t’u kërkoj falje të sinqertë në emër të shtetit, familjarëve dhe paraardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që nuk u janë gjetur eshtrat. I kërkoj falje Kishës Katolike, por dhe kujto që u prek deri në palcë, që u vra pafajësisht, që u përndoq, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e tij njerëzor. Shteti shqiptar ju kërkon përulësisht dhe sinqerisht ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë”, u shpreh kreu i shtetit.
Kreu i shtetit i bëri një thirrje Parlamentit shqiptar për të shfajësuar ligjërisht të gjithë të dënuarit politikë në kohën e regjimit komunist, duke nisur nga 38 martirët.
“Shteti shqiptar ende nuk ka marrë të gjitha aktet e shfajësime së tyre, e shfajësime politike që t’i shpallte ata të pafajshëm. Parlamenti të hartojë ligj për Gjykatën Speciale duke ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë të japë pafajësinë duke filluar nga 38 martirët si shenjë e dallimit të lirisë nga tirania, si ndarjen e saj me të kaluarën”, tha Nishani.