Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, zhvilloi dëgjesën me ish-Drejtoreshën e Informacionit në Televizionin “A1Neës”, Alida Tota, e cila u shkarkua nga puna menjëherë pas publikimit të investigimit në landfillin e Sharrës, ndërrmarrje në administrimin e Bashkisë së Tiranës, ku u denoncua fshehja e krimit në landfill dhe shfrytëzimi për punë të rënda i dhjetëra fëmijëve si dhe kushtet çnjerëzore ku punonin mbi 300 gra dhe burra, të gjithë pa kontrata pune. Dëgjesa me gazetaren Tota dhe përfaqësuesin e Shoqatës së Gazetarëvë Profesionistë, Aulon Kalaja, u bojkotua nga deputetët e Partisë Socialiste, ndërsa u ndoq nga afër nga përfaqësia e Delegacionit të Bashkimit Europian, Zyra e Këshillit të Europës, Prezenca e OSBE-së dhe ambasada italiane. Gazetarja Alida Tota denoncoi influencën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj në shkarkimin e saj nga puna, pak kohë pas sms së dërguar, ku i kërkohej prononcim zyrtar për gjetjet e investigimit. Gazetarja Tota deklaroi se shantazhet dhe kërcënimet në adresë të saj dhe të ekipit editorial vazhduan për disa orë, deri në shkarkimin e menjëhershëm të saj nga puna. Ndërkohë që u censurua denoncimi i saj në media, deklaratat e organizatave të gazetarëve, protestat e tyre dhe së fundmi dhe mbyllja e emisionit “Publicus”, që vazhdoi investigimin e censuruar në landfill dhe që denonconte edhe presionet mbi gazetarët dhe mediat të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Gazetarët Tota dhe Kalaja shprehën shqetësimin për përshkallëzimin e censurës në media dhe kërkuan nga Komisioni i Medias të adresojë problemet e mprehta që përballet sot gazetaria në Shqipëri e sidomos ajo investigative, ku denoncohen krimet e rënda, korrupsioni politik, abuzimet e pushtetit dhe lidhjet e tij të dyshimta me koorporata, përfshi edhe ato me profil politik. Kryetari i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, zoti Genc Pollo shprehu shqetësimin e përsëritjes së bllokimit të seancës dëgjimore nga ana e mazhorancës, duke e cilësuar urdhër politik të kryeministrit për të shtuar presionin mbi lirinë e shtypit. Komisioni miratoi në seancën e radhës, dëgjesën me gazetarët e emisionit investigativ “Publicus”.
Parlamenti shqiptar dhe ai Europian shprehën shqetësim për censurën e medias në deklaratën e djeshme në Bruksel.