Tragjedia e 9 janarit/ Familjarët kallëzojnë në SPAK policinë dhe Ministrinë

Shoqata e familjarëve të viktimave të tragjedisë së 9 janarit, bëjnë kallëzim në SPAK.

Familjarët kërkojnë zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen para përgjegjësisë së ish-zyrtarëve të Policisë së Vlorës dhe Ministrisë së Brendshme.

Ata pretendojnë se familjarët e tyre janë trafikuar nga njerëz të veshur me pushtet dhe se ish-funksionarët nuk kanë organizuar operacion kërkim-shpëtimi, ndonëse kishin dijeni për gomonen.

Më 9 janar të vitit 2004, për shkak të detit të trazuar, në gjirin e Vlorës u përmbys një gomone që transportonte disa shqiptarë që synonin të kalonin ilegalisht në Itali.

Bilanci i viktimave ishte tejet i rëndë me 21 persona të mbytur zyrtarisht, dhe 8 të tjerë që ende rezultojnë të zhdukur, pasi trupat nuk u gjetën kurrë.

Personat që do iknin për në Itali, kishin paguar nga 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se bregu tjetër do t’u rregullonte jetën, por shumica e tyre nuk e dinin se po paguanin vdekjen.

Dallgët, rreth pesë metra të larta, paralajmëruan se nuk ishte koha e duhur për të udhëtuar, por për trafikantët kjo ishte mundësia e artë për t’i shpëtuar mbikëqyrjes së dy policive, asaj shqiptare dhe asaj italiane.

Gomonia 12 metra e gjatë që u nis nga Vlora i dorëzohet stuhisë detare. Pasojat? 18 burra e tre gra gjenden të pajetë në agimin e 10 Janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane.

7 rezultojnë të zhdukur edhe pas 17 vitesh. Njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët.

Tragjedia nuk është zbardhur plotësisht. Pas shumë vitesh u arrit ekstradimi për në Shqipëri i njërit prej skafistëve, Elton Tafilit, i dënuar me 25 vite burg nga gjykata e Vlorës për trafik të qënieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin.

Artikulli paraprakGjici nuk përmbahet: “As në Gjermani nuk janë këto investime si në Kukës”
Artikulli tjetërHumbi jetën sot në aksident, kush është i riu nga Elbasani