Zakonet e të shkruarit

“Shkruaj tapë, korrigjo esëll”

Për ta nxjerrë sa më mirë në pah gjeninë e tyre, ikonat e shenjta e letërsisë botërore kishin rite dhe objekte (ose shumë alkool)

«Sapo ia nis punës, vesh talismanin, vendos në gisht këtë unazë gjatë gjithë orarit të punës. E vë në gishtin e parë e dorës së majtë, me të cilin mbaj letrën, në mënyrë që mendimi yt të më shtrëngojë, je aty me mua dhe tani, në vend që t’i kërkoj fjalët në ajër, ia kërkoj kësaj unaze të mrekullueshme». Honoré de Balzac (1799 – 1850), babai i Comédie Humaine, nuk shkruante pa unazën e tij fatsjellëse, unazë e dhuruar nga e dashura Madame Hanska (1801 – 1882), pasi nëse prapa një njeriu të madh gjendet gjithmonë një grua e madhe, prapa një shkrimtari të madh gjendet gjithmonë një mani e vogël. Një ritual, një zakon i çuditshëm pa të cilin frymëzimi për të mëdhenjtë e letërsisë botërore nuk do të ndodhte.

Eksentriku Truman Capote (1924 – 1984) ishte supersticioz deri në atë pikë se as nuk fillonte e as përfundonte ndonjëherë së shkruajturi të premten dhe shmangte çdo referim ndaj numrit 13. Punonte vetëm i shtrirë, në krevat apo në divan, duke pirë sherry në avuj tymi.

Shkrimtarja kiliane Isabel Allende (1942) e nis një libër të ri vetëm më 8 janar, datë në të cilën filloi të shkruajë “Shtëpia e shpirtërave”: «Nga ai sukses i madh, 8 janarin e çdo viti ulem, izolohem nga bota dhe nis të shkruajë një libër të ri. Është një kabalë për mua». Në këtë ditë Allende mban një ceremoni të shkurtër për të thirrut pranë vetes shpirtëra e muza dhe, pasi ka shkruar shprehjen e parë, «pjesa tjetër vjen vetë».

Spiritual ishte edhe Jack Kerouac (1922 – 1969). Autori i romanit “On the Road”, noktambul i regjur, shkruante vetëm nën dritën e qiririt, por përpara se ta vinte stilografin mbi letër, lutej. Delli i tij krijues stimulohej edhe nga hëna e plotë dhe nga magjia e numrit 3 (ka që thotë edhe 9), aq sa nëqoftëse i përsëriste disa veprime 3 herë, nuk gjente rehat.

Alexandre Dumas babai (1802 – 1870) përdorte fletë letre me ngjyra të ndryshme. Ato blu i përdorte për romane, rozët për poezi dhe të verdhat për artikujt. Ishte fuqimisht i bindur se kjo ndarje kromatike i sillte fat çdo gjëje që shkruante. Për të gjetur frymëzimin gjatë hartimit të kryeveprave të tij, e kishte zakon që çdo mëngjes të ulej nën Harkun e Triumfit për të ngrënë një mollë.

Fruti i mëkatit frymëzonte edhe Agatha Christie (1890 – 1976). Për të shkruar nuk kishte rituale, i mjaftonin vetëm një tavolinë dhe Remington Home Nr.2 portabël e saj, por për të ideuar krimet në librat e saj të verdhë zhytej në një vaskë, me një kaçile me mollë afër vetes.

Poeti gjerman Friedrich Schiller (1759 – 1805) mollët nuk i hante, por i linte të kalbeshin në sirtarin e tavolinës së tij të shkrimit. Po t’i besosh mikut të tij Johann Wolfgang Goethe (1749 – 1832), vetëm ajo kalbësirë ishte në gjendje ta shpërthente talentin e tij.

Mendime të përmbysura – Marcel Proust (1871 – 1922) e gjente frymëzimin vetëm i shtrirë në shtrat me kokën e vendosur mbi dy jastëkë.

Poetja amerikane Maya Angelou (1928 – 2014), ish mashiniste, kamariere, kuzhiniere, ndërmjetëse femrash, prostitutë, striptiste, balerinë dhe këngëtare, jo vetëm shkruante e ulur mbi krevat, por për të gjetur përqëndrimin e duhur nuk e bënte kurrë në shtëpinë e saj. E kishte zakon të prenotonte një dhomë hoteli, duke i kërkuar personelit të shërbimit që të mos ia ndërronin çarçafët dhe t’ia hiqnin të gjitha pikturat e ndodhura aty.

Përpara një muri të zbrazët shkruante edhe i errëti Somerset Maugham (1874 – 1965), por vetëm pasi të kishte bërë një vaskë të nxehtë.

Çdo mëngjes Jorge Luis Borges (1899 – 1986) futej në vaskë dhe meditonte lidhur me ëndërrat e tij, duke pyetur veten nëse ishte më mirë t’i transformonte ato në poezi apo në tregime.

E nxitur nga motra piktore që pikturonte në këmbë, gjatë viteve të fundit të karrierës Virginia Woolf (1882 – 1941) vendosi që ai pozicion do ta favorizonte frymëzimin e saj dhe se do t’i jepte një perspektivë të re në punën e saj.

Edhe Thomas Wolfe (1900 – 1938) e kishte zakon që të shkruante në këmbë, i mbështetur pas frigoriferit. E bënte këtë gjë vetëm natën dhe jo më përpara se ta kishte stimuluar kretivitetin e tij me autoerotizëm. Duket pa e arritur kurrë orgazmën.

Dan Brown (1964) ka deklaruar se e tejkalonte bllokimin e shkrimtarit duke u varur kokëposhtë në një hekur. Sa më shumë e bën, aq më shumë ndjehet i frymëzuar. Duhet thënë se Brown i imponon vetes një disiplinë ushtarake. Çdo mëngjes zgjohet në orën 4, përmbys një orë prej rëre për të matur kohën dhe çdo orë ndalet për të bërë disa pompa.

Për sa i çuditshëm, ky zakon i varjes kokëposhtë e lehtësonte edhe Saul Bellow (1915 – 2005): arrinte të shkëputej krejtësisht nga kaosi i jetës familjare.

Por heshtja ishte diçka thelbësore për Vladimir Nabokov (1899 – 1977). Për të, vendi i preferuar që të shkruante ishte automobili. Lolita lindi në sedilen e pasme të makinës së parkuar në një zonë shërbimi gjatë një udhëtimi për Shtetet e Bashkuara.

Përpara se të niste të shkruante, Mark Twain (1835 – 1910), vishej si për të dalë: kostum dhe këmishë të bardhë. John Cheever (1812 – 1882), që si i varfër që ishte në periudhën e pasluftës kishte vetëm një kostum, e shkroi pjesën më të madhe të tregimeve të tij në të mbathura.

Victor Hugo (1802 – 1885) shkruante lakuriq, ama vetëm për shmangur hutimet. Në kohën e Notre-Dame de Paris e urdhëroi shërbyesin e tij që t’ia konfiskonte të gjitha rrobat në mënyrë që të mos mund të largohej nga shtëpia. Njëlloj si njerëzit, veshjet qenë elementë hutimi, kështu që në ditët më të ftohta i lejonte vetes luksin që të mbështillej me kuvertë.

Lakuriq dilte edhe Franz Kafka (1883 – 1924), ama vetëm për të bërë gjimnastikë. Nja 10 minuta lëvizje, përpara se të hante darkë dhe t’i përkushtohej të shkruarit shpeshherë deri në mëngjes.

James Joyce, që kishte probleme me shikimin, shpesh vishte këmishë të bardhë pasi kjo e ndihmonte që të pasqyrohej drita mbi fletët, sidomos në orët e mbrëmjes.

Theodor Seuss Geisel (1904 – 1991), i njohur më mirë me pseudonimin Dr. Seuss, nuk vihej përpara fletës së bardhë pa e pasur një kapele në kokë.

Whisky dhe vese të tjera – Sipas W. H. Auden (1907 – 1973) «rutina për një njeri inteligjent është shenjë ambicieje». Çdo mëngjes zgjohej në orën 6 dhe, pasi kishte luajtur me fjalëkryqe, niste të shkruante pa ndërprerje deri në orën 18 e 30 minuta, kur i vinte e para e të shumtëve: vodka Martini.

Japonezi Haruki Murakami (1949) shkruan çdo mëngjes nga ora 6 deri në orën 10, pjesën tjetër të ditës e kalon duke vrapuar, dëgjuar muzikë dhe duke lexuar.

Një e re Toni Morrison (1931 – 2019), nënë e divrocuar e 2 fëmijëve, zgjohej çdo mëngjes në orën 5 dhe shkruante përpara se të zgjonte fëmijët dhe t’i përgatiste për shkollë.

Lev Tolstoj (1828 – 1910) në mëngjes nuk u drejtonte asnjë fjalë familjarëve dhe, pas mëngjesit me bazë 2 vezësh të rrahura, shkonte në studion e tij me një filxhan çaji, për të mos dalë prej saj përpara orës 5 pasdite.

José Saramago (1922 – 2010) shkruante 2 faqe të plota përditë, asnjë rresht më shumë. Jack London (1876 – 1916) jo më shumë se 1000 germa, Arthur Conan Doyle (1859 – 1930) 3000 fjalë, Charles Dickens (1812 – 1870) 2000 fjalë, ama vetëm nëse gjithçka rreth vetes ishte e rregulluar dhe tavolina e karrike qenë të vendosura për bukuri. Samuel Beckett (1906 – 1989) e kalonte gjithë ditën i mbyllur në dhomë duke shkruar dhe gjithë natën nëpër baret e Montparnasse duke pirë verëra të lira.

Megjithëse zgjohej mahmur, Ernest Hemingway (1899 – 1961), motoja e të cilit ishte «shkruaj tapë, korrigjo esëll», ishte shumë i disiplinuar. E hidhte dorën e parë e romaneve të tij me laps në fletë karboni. Vetëm kur ndjente se e shkruara i rridhte si në vaj, atëhere kalonte tek makina e shkrimit. Çdo ditë i shënonte përparimet e tij në më një tabelë të madhe. Shkruan George Plimpton (1927 – 2003) që e intervistoi në vitin 1958 për “Paris Review”: «Numrat në tabelën e madhe tregojnë numrin e fjalëve të shkruara çdo ditë dhe variojnë nga 450, 575, 462, 512, deri më 1250, për t’u kthyer sërish më pas në kuotën 512».

Romancieri britanik Anthony Trollope (1815 – 1882) ishte i bindur se të shkruarit duhej të bëhej në kohën e lirë dhe se shkrimtarit i duhej të punonte. Shkruante vetëm 3 orë në ditë, por ishte shumë i përqëndruar dhe kronometrohej në mënyrë që të shkruante 250 fjalë çdo çerek ore.

Jean-Paul Sartre (1905 – 1980) ishte i bindur se jeta mondane e stimulonte refleksioni filozofik. Më mirë akoma nëse shoqërohej me shumë ushqim, «dy paketa cigare, më shumë se 1 litër alkool dhe një dozë e madhe me Corydrane, një përzierje amfetamine dhe aspirine», shpjegonte sekretarja e tij.

William Faulkner (1897 – 1962) për të shkruar kishte nevojë për «letër, duhan, ushqim dhe scotch».

Për t’u identifikuar me James Bond, Ian Fleming (1908 – 1964) filloi të abuzojë me whisky, të pijë cigare njëra pas tjetrës dhe të fryhej me ushqim. Duket e pabesueshme, por tregohet se në një vakt të vetëm ka kollofitur 70 bageta dhe 6 kilogram djathë.

Charles Bukowski (1920 – 1994) i kalonte ditët e tij duke pirë pasi mendonte se nuk i duhej të sforcohej të shkruante, se kishte nevojë vetëm të priste. Frymëzimi për të nuk ishte gjë tjetër veçse një insekt në mur: «Prit që të vijë drejt teje. Kur të afrohet sa duhet, arrije, shtype dhe vrite. Ose, nëse të pëlqen pamja e tij, e bën një kafshë të zbutur shtëpijake».

(nga La Verita)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakShqipëria, kokëulur në Ditën Botërore Kundër Korrupsionit!
Artikulli tjetërEliminimi i Barcelonës nga Champions, Xavi: “Kemi prekur fundin, sot nis një epokë e re”