Rendi jashtë kontrollit të policisë! Ekzekutohet biznesmeni me breshëri plumbash brenda makinës së tij

Një biznesmen u ekzekutua sot me breshëri plumbash në një atentat në Laç. Sipas burimeve të policisë, 55-vjeçari Rakip (Pilot) Roli, është qëlluar për vdekje brenda makinës së tij mëngjesin e sotëm në Sanxhak të Laçit. Disa persona, me një mjet, e kanë pritur biznesmenin e materialeve të ndërtimit sapo doli nga shtëpia dhe u fut në mjetin e tij. Pikërisht në këtë moment, ata i janë afruar mjetit luksoz tip ‘Audi Q7’ dhe kanë shtënë me breshëri ndaj 55-vjeçarit.

Paraprakisht raportohet se 7 plumba kanë kapur në trup biznesmenin duke i kushtuar edhe jetën.

Policia ka nisur nga puna për kapjen e autorëve të ngjarjes, duke krehur zonën në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Paraprakisht Dosja.al ka mësuar se pistat e hetimit janë disa, të cilat kanë lidhje me vetë biznesmenin por edhe djemtë e tij. Djemtë e biznesmenit, Emiljano dhe Isuf Roli janë hetuar për trafik droge në vitin 2017.

Rakip Roli u qëllua me breshëri kallashnikovi sapo doli me makinë nga banesa e tij. Ndërsa edhe vetë i ndjeri rezulton emër i njohur për policinë. Në vitin 2011 ai u arrestua pasi u përfshi në plagosjen e një 22-vjeçari, ku së bashku me një person tjetër, Petrit Sana rrahën me sende të forta të riun, duke e plagosur rëndë, pas një sherri për motive banale.

Artikulli paraprakPërmbytje dhe ndërprerje energjie elektrike në Librazhd
Artikulli tjetërPas vrasjes së biznesmenit, djali i tij përfshihet në aksident