Rama, një fyçkë, pse e marrin me qera

Ben BLUSHI

Nuk do ishte e udhës të merresha me çdo paudhësi të Kryeministrit, nëse kjo e fundit, që lidhet me zgjedhjet në Amerikë do të ishte vetëm një akt mendjelehtësie prej një njeriu të cilin prej vitesh e njoh mirë si një amator profesionist.
Amatorit, pra do t’ia kisha falur faktin që u rreshtua personalisht gabim dhe pa asnjë arsye në një garë demokratike zgjedhjesh të brendshme, në Shtetet e Bashkuara të Amerikes.
Në fund të fundit, amatorët këtë detyrë kanë: të bëjnë gabime, të cilat mund të tolerohen, pasi nuk shkaktojnë dëm.
Që Edi Rama është një amator, për këtë nuk kam më asnjë dyshim dhe shpresoj se nuk jam i vetmi. Qeverisja e tij trevjeçare është një provë e përditshme se ai nuk ka asnjë koncept për ekonominë, asnjë ide për modernizimin e vendit dhe, sigurisht asnjë doktrinë të besueshme sa i takon politikës së jashtme.
Gjatë zgjedhjeve në SHBA, Edi Rama nuk u rreshtua vetë. Ai shkoi më larg: rreshtoi Shqipërinë në garë dhe kjo është çështja.
Pyetja është: ç’pati ky njeri dhe pse është kaq mendjelehtë? Unë jam i bindur se Edi Ramën në këtë fushatë nuk e çoi as mendjelehtësia, as arsyeja, as simpatia për njërin nga kandidatët, çka do të ishte e arsyeshme dhe e kuptueshme, por e çoi interesi banal dhe meskin.
Interesi i vogël për të hapur një derë, apo një deriçkë, për të bërë një selfie, apo për të kapur një buzëqeshje e detyroi ta rreshtonte Shqipërinë në një palë zgjedhje, në të cilat ajo nuk kishte asnjë punë. Edi Rama, si piktor i pavarur, mund të zgjidhte kë të donte nga dy kandidatët, por si Kryeministër i Shqipërisë ai nuk kishte të drejtë të zgjidhte asnjërin.
Megjithatë, ai jo vetëm zgjodhi, por bëri edhe më shumë se kaq dhe sigurisht edhe më shumë se ç’ju kërkua: ofendoi njërin nga kandidatët, duke e quajtur atë fatkeqësi për Amerikën.
Sot ky njeri është President i Shteteve te Bashkuara.
As vetë zonja Klinton nuk e ka quajtur zgjedhjen e Donald Trump një fatkeqësi. Këtë guxim e pati Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, vendit më të varfër dhe më proamerikan në Evropë. Edi Rama pra nuk preferoi, por ofendoi. Nuk zgjodhi lavdinë e njërit, por hodhi baltë mbi tjetrin.
Sikur hileja të ishte një dekoratë, me siguri Edi Rama do të kishte mundësi të bënte një ekspozitë me dekoratat e fituara në karrierën e vet. Ato do të ishin me mijëra dhe kjo që mori në Amerikë do të ishte njëra nga më të shndritshmet në këtë galeri mashtrimi.
Kam parë këto ditë deklaratat që kryetarë të tjerë shtetesh apo personalitete politike kanë bërë për presidentin e zgjedhur të Sheteve te Bashkuara. Askush nuk ka folur si Edi Rama.
Ka njerëz që nuk janë dakort me pikëpamjet e tij, çka është normale, por askush nuk ka fyer, duke thënë si Edi Rama: do zoti që Trump të mos zgjidhet, sepse kjo do të ishte një kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Ku është pra rreziku sot? Kush e dëmton më shumë Shqipërinë, ai që u zgjodh nga populli amerikan apo një servil që u servir për të folur në CNN kundër një kandidati?
Prandaj them se, për fat të keq, Edi Rama nuk tha atë që mendonte, por atë që iu kërkua të mendonte. Në garën e zgjedhjeve amerikane, Kryeministri i Shqipërisë ishte një trompist i përdorur për të bërë zhurmë nga orkestra e njërit kamp.
Duhej të shurdhonte kampin tjetër. Kjo ishte detyra e tij. Ky zgjodhi të ishte trompisti kundër Trumpit. Shikoni sa i rëndomtë.
Unë jam i bindur se ai u morr me qira për të mashtruar se gjoja, ai që sot është President i Shteteve të Bashkuara është një lider i refuzuar në Evropë, në Ballkan dhe në një vend me popullsi myslimane dhe njëkohësisht shumë proamerikane, ndoshta vendi më proamerikan në Evropë pa dyshim.
Pikërisht këtë tha Edi Rama. Presidenti Trump është fatkeqësi sepse është kundër emigrantëve, kundër Kosovës dhe kundër myslimanëve. Kjo u provua si e pavërtetë, duke i hequr themelin mashtrimit të tij prej amatori.
Presidenti i Sheteteve të Bashkuara ka folur për trupa tokësore në Kosovë dhe jo vetëm për bombardime nga ajri, çka në atë kohë ishte një opsion real mbi të cilin palët ndaheshin. Pram në çdo rast ai ka qenë për ndërhyrje ushtarake në Serbi, çka ishte në favor të Kosovës, siç u provua.
Megjithatë, nëse shumë prej nesh mund të kemi gjykimet tona për kandidatët në garë, çështja nuk është kjo.
Çështja është më e thellë se kaq. Pse merret me qira Kryeministri i Shqipërisë?
Pse përdoret kaq lehtë nga interesat dhe ambiciet jashtë Shqipërisë dhe siç e kemi parë edhe në Shqipëri?
Si ka mundësi që pa asnjë sens maturie dhe respekti, ai e rreshton vendin kaq kollaj në çështje që nuk kanë asnjë lidhje direkte me të?
Si ka mundësi që KM i Shqipërisë të jetë kaq i lehtë dhe i papërgjegjshëm sa të mos kuptojë se, Shqipëria është me Amerikën, sepse ajo është demokratike dhe, për sa kohë që është një demokraci që na mbron, shteti shqiptar nuk mund të jetë palë në asnjë garë të brendshme.
Si mund ta përdorë Kryeministri i Shqipërisë, Shqipërinë kaq keq? Për një foto, për një dorë dhe për një lëmoshë?
Kjo është çështja. Unë besoj se ne të gjithë e dimë pse e kemi Kyeministrin kaq mendjelehtë dhe kaq lehtësisht të sponsorizueshëm dhe të përdorshëm.
Ky njeri nuk ka asnjë parim. Ky ka vetëm interes. Parimi i tij i vetëm është pushteti dhe pushteti është i vetmi interes.
Thënë këto, mendoj se ky Parlament duhet t’ia zbardhë faqen vendit, duke denoncuar zyrtarisht qëndrimin e Kryeministrit, papërgjeshmëria e të cilit cenoi marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara, duke na rreshtuar gabim në një garë, në të cilën ne duhet të ishim me demokracinë dhe jo me kandidatët.
Unë besoj se, Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë.
Jo vetëm Presidentit të Shteteve të Bashkuara, të cilin e quajti fatkeqësi për Amerikën. Në radhë të parë, duhet t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve, të cilëve për herë të parë në historinë postdiktatoriale u mbolli në kokë frikën nga Amerika, duke dëmtuar sentimentin e fortë dhe të arsyeshëm proamerikan që shqiptarët e mbajnë gjallë prej disa dekadash. T’i kërkosh përgjegjësi një Kryeministri të papërgjegjeshëm, nuk do të thotë se je me Trump, nuk do të thotë se je me Clinton, do të thotë se je me Shqipërinë.

Artikulli paraprakShteti shqiptar ju kërkon ndjesë përunjësisht
Artikulli tjetërSi po bien fasonët