Pranvera SHEHAJ
Kur fort të ashurit e kombit shqiptar, të kanë reduktuar nga një komb autokton i Ballkanit, në një mëhallë që zbrazet edhe më shumë se sa historia deshi, e ke të vështirë të marrësh këmbët e t`i thuash bashkëkombësve të tu se nuk janë jetimë. Po kaq të vështirë e ke të besosh se logjika politike e shtetit tënd jep rezultat vetëm kur lihet e lirë të gabojë, të kacavirret, të rrëzohët, të vritet, të ngjallet e ringjallet, e në fund të gabojë sërish.
Amerika, kjo tokë e premtuar si për mjeranët, ashtu edhe për ata që kanë kapacitetin intelektual, kulturor dhe ekonomik të jetojnë denjësisht në vendet e lindjes, është në fakt e përshfirë prej vitesh e vitesh në një krizë ideologjike e politiko-ekonomike që përplas fort politikën e këtyre dekadave me parimet e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Barry Goldwater, politikan republikan, senator, biznesman dhe i nominuari për Shtëpinë e Bardhë i Partisë Republikane në vitin 1964, në një nga manualet më të rëndësishme të ideve të pastra e të qarta konservatore, i.e., The Conscience of a Conservative (Ndërgjegjia e një Konservatori), thotë: “Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përcakton një vijë ndarëse të qartë mes juridiksionit federal dhe juridiksionit të shteteve.
Dështimi i qeverisë federale për ta njohur këtë vijë ndarëse shkatërroi dhe po shkatërron parimin e qeverisë së kufizuar (the principle of limited government). Kjo vijë ndarëse, nuk shërben vetëm për të shmangur centralizimin e pushtetit, por i shërben më së shumti parimit sipas të cilit problemet lokale esenciale mund të zgjidhen vetëm nga njerëzit që i prekin ato realisht dhe drejtpërsëdrejti.” Ajo që thotë Goldwater thelbësisht, ka të bëjë me minimin e Kushtetutës amerikane dhe parimeve të saj prej momentit kur Shtëpia e Bardhë u kontaminua nga politikanë me qasje ndaj parimeve socialiste. Një shembull i shpjeguar prej tij i referohet “federal grants-in-aid” që qeveria federale iu adreson shteteve në disa fusha në të cilat Kushtetuta amerikane specifikon qartë se vendimarrja i përket ekskluzivisht juridiksionit të Shteteve. Për vetëm mënyrën e financimit të këtyre granteve prej taksave të qytetarëve amerikanë, ekzaktësisht si në një rreth vicioz, Goldwater thotë: “Është e kuptueshme se do të ishte vetëvrasje politike të refuzosh grants-in-aid.”
E përkthyer në anglishten e shqipëruar të ambasdarovë në Shqipëri, në kontekstin aktual, “vetëvrasje politike” është sinonim i “Do të hani bar”! Me mungesë të theksuar modestie (sepse modestia e tepërt, aq më tepër në diskurse politike, është ligësi), po ju them se paralelizmi është mëse i gjetur. Në paragrafin më sipër, jam e bindur se arritët të shihni të paktën dy Amerika: Amerika që si pasojë e influencave ideologjike shkel parimin baze të Kushtetutës së vet, dhe Amerika e Goldwater që bën thirrje për rikthimin në Kushtetutë. Pyes retorikisht veten, e më pas pyes idhtarët e dashuruar me Amerikën në këto muaj, edhe pse shumica të shkolluar ndër breza në ish-Bashkimin Sovjetik: Sot për sot, cila Amerikë të shpall Non-Grata? Cila Amerikë të jep leksion demokracie? Cila Amerikë të ushqen me bar?
Në radhë të parë, barin ta premton Amerika që në rast unik në historinë e saj merr mbi supe barrën e shkeljes së sovranitetit të së vetmes forcë demokratike në një vend ish-komunist. Në radhë të dytë barin ta premton Amerika që dëshmon masakra elektorale të njëpasnjëshme duke mos kursyer ultimatumin e njohjes së zghjedhjeve. Në radhë të tretë, barin ta premton Amerika që beson se demokracia mund të konsolidohet përmes liderëve që këmbejnë dosjet ligjore me premtimet për një të ardhme politike, të cilën, gjasat janë të mëdha, se as vetë nuk e besojnë. Është e njëjta Amerikë që atakon një figurë politike mbi bazën e lobizmit, që mbështet besnikërisht një lider opozite të cilit mbi 70% e demokratëve refuzojnë t`i besojnë një tjetër betejë elektorale. Mbështetja publike përmes përdorimit të kërcënimeve diplomatike të një lideri që ka dëshmuar paaftësinë për të sjellë në pushtet të djathtën, hedh dritë mbi axhendën që sot prevalon më së shumti në vendet e Evropës Juglindore. Për këtë Amerikë, e cila nuk përpiqet të kamuflojë injeksionet lobiste të ideologjive që kanë për mision relativizimin deri në zhdukje të ideologjive të djathta në Europë e jo vetëm, cdo reagim demokratik është Non-Grata.
Amerika e Kushtetutës së SHBA, ajo që lirinë e individit e konsideron si kushtin themelor të prosperitetit në shoqëri, nuk të premton bar. Aq më pak sfidon ajo, pushtetin gjyqësor, duke ndërmarrë gjyqe politike përtej kufijve nën mungesësn absolute të provave. Amerika e Kushtetutes së saj, në emër të instalimit të demokracisë në vendet në zhvillim, konsideron zërin e shumicës si kushtetutë të lëvizjeve dhe sipërmarrjeve politike. Kjo Amerikë, kërkon të mbrojë dokumentin e themelit të shtetit të vet prej ideologjive që shkretojnë parimet e shtetit amerikan. Sovraniteti, liria dhe e drejta e një shteti, e aq më tepër e një force politike për t`u rimëkëmbur politikisht, nuk mundet kurrsesi të kushtëzohet përmes kërcënimeve diplomatike, veprimtarive lobiste dhe ultimatumeve. “Nuk mundet” nuk nënkupton domosdoshmërisht se nuk ndodh, e përsa kohë ndodh, kjo legjitimon cdo iniciativë, reagim, sipërmarrje apo ambicie politike si revoltë kundrejt shkeljes së parimeve bazë të demokracisë. Kushdo që bëhet pjesë e beson në legjitimitetin demokratik të kësaj iniciative, është në sinkron të plotë me parimin bazë të sipër-përmendur të vetë Kushtetutës së SHBA. Si e tillë, për këtë Amerikë, JE SUIS GRATA.
Si përfundim, për këdo i cili në përcartjen sa të fajshme aq edhe të pafajshme, beson se është turp politik të nisësh levizje politike prej interesave personale, ka sigurisht një përgjigje, të cilën studiot e kontaminuara nga vrulli i opinioneve nuk e kanë artikuluar. Me pak vështirësi ndjenjash, por me lehtësi mendimi, duhet të kuptoni se për fatkeqësinë e kohëve kur po jetojmë, shumica vuan nga sindroma e vegjetimit masiv, pasivitetit të reagimit dhe vigjilenca për të kuptuar tronditjet politiko- sociale-ekonomike, apo veprimet e rrezikshme vecanërisht politike. Të tilla instikte, aftësinë e mendimit analitik, reflektimit dhe reagimit, për definicion intelektual, mund ta ketë vetëm pakica. E për llogari të thjeshtë, pakica më ekstreme është individi. Si rrjedhojë, instiktet më të forta, ato që alarmojnë ndërgjegjen dhe vegjetimin e shumicës mund të vijnë vetëm prej individit. Sigurisht, invidividi ka vetëm interesa personalë. Për mua kjo është krejt e natyrshme. Besoj fort se filantropia sociale është koncept që ushqen ideologjitë që po forcojnë gjithmonë e më shumë invidividin pasiv. Nëse 11 dhjetori ushqehet nga interesa personalë, ka domethënie se si interesi personal në fakt ndez dritë jeshile për interesa publike që arrijnë deri në interpretime kushtetuese.
Pranvera Shehaj, Politologe, Ekonomiste