Kalorësit e punësimit dhe të eksporteve në vend duket se po punojnë me një marzh të ulët fitimi, teksa shihet se vlera e eksporteve të sektorit ka një diferencë shumë të vogël me importin e lëndës së parë.
Sipas të dhënave nga doganat për nëntëmujorin e 2016-s, shihet se importi i lëndëve të para me regjim të përpunimit aktiv (lënda e parë për industrinë e fasonit) ishte 77.1 miliardë lekë. Importet e lëndëve të para janë treguesi më i hershëm për ecurinë e eksporteve të fasonit të paktën në katër-pesë muaj në avancë.
Por për të njëjtën periudhë (janar-qershor), sipas të dhënave të INSTAT, vlera e eksportit nga industria fasone ka qenë jo më shumë se 83 miliardë lekë të përbëra nga tekstilet dhe këpucët.
Siç shihet nga të dhënat, vlera e mbetur në ekonominë shqiptare nuk është më shumë se 3 miliardë lekë. Duke krahasuar aritmetikisht vlerën e lëndës së parë dhe atë të rieksportit, vlera e shtuar në ekonominë shqiptare është 4%.
Industria e tekstileve dhe këpucëve, pjesën dërrmuese të saj është e varur nga materiali porositës, çka nënkupton faktin që kompanitë shqiptare të fasonit bëjnë vetëm disa procese pune për nënkontraktorët italianë kryesisht.
Kjo varësi nga tregu italian ka lënë të pazhvilluar ciklin e mbyllur, i cili është garancia e vetme për rritjen e vlerës së sektorit. Disa biznese, sidomos në sektorin e këpucës që kanë mbyllur ciklin e prodhimit dhe të shitjes në mënyrë të pavarur, pohojnë se normat e fitimit janë deri në 30 për qind më të larta se të bizneseve që punojnë si nënkontraktorë të kompanive të huaja.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, të cilat u referohen tatimeve, industria e tekstil-konfeksioneve dhe lëkurë-këpucëve, ka të deklaruar si të siguruar në fund të 2015-s rreth 26 mijë veta.
Ndër vendet për prosperitet më të keq në Europë
Shqipëria vazhdon të renditet në vend të 74-t në Indeksin e Prosperitetit 2016, publikuar në fillim të nëntorit nga instituti i njohur britanik, Legatum. Raporti thekson se vendi ka mbetur prapa si rrjedhojë e cilësisë së dobët ekonomike, shëndetësisë, mjedisit dhe nënindekset arsimit.
Sipas raportit, Shqipëria është përmirësuar paksa gjatë dekadës së fundit në shpërndarjen e saj të prosperitetit, por mbetet një nga vendet me ecurinë më të keqe në Europë, duke u renditur më lart vetëm se Moldavia dhe Ukraina. Cilësia ekonomike pengohet nga nivelet e larta të papunësisë dhe mungesës së investimeve të huaja, për shkak të infrastrukturës dhe shqetësimeve rreth korrupsionit të lartë. Megjithatë, përpjekjet për të rritur liberalizimin e mëtejshëm të tregut kanë rezultuar në një mjedis të përmirësuar për bizneset dhe zgjedhjet e fundit kanë pasur një efekt pozitiv në qeverisje, thotë raporti.
Renditjen më të përkeqësuar, Shqipëria e ka në cilësinë e ekonomisë, ku është e 107-a nga 149 vende; kapitalin social e 106 dhe sidomos mjedisin, ku renditet e 121.
Në renditjen totale, Kroacia është në vendin e 43, Greqia e 44, Rumania e 50, Maqedonia e 53-a, Bullgaria dhe Mali i Zi, përkatësisht e 57 dhe 58, Serbia e 66. Bosnja dhe Kosova nuk janë të përfshira në këtë renditje.
Vendi me prosperitet më të lartë është Zelanda e Re, e ndjekur nga Norvegjia, Finlanda, Zvicra dhe Kanadaja.