Kreu i PD Lulzim Basha ka vizituar Dibrën në kuadër të turit në të gjitha rrethet për të takuar strukturat.
Kryedemokrati Basha i është rezervuar një pritje entuziaste. Në shenjë mirëseardhjeje për të ishte vendosur një pankartë “Kryetar Basha, ju mirëpret Dibra juaj”.
Gjatë fjalës së tij falenderoi dibranët për mikpritjen si dhe theksoi se arsyeja e mbledhjes nuk është thjeshtë takimi me njëri tjetrin, por që së bashku me të gjithë dibranët demokrat, votues të demokratëve, si dhe socialistë të zhgënjyer nga regjimi i Edi Ramës, të shqyrtohet rruga e daljes nga kjo gjendje.
‘’Ky takim zhvillohet në kushte shumë të vështira, kudo anembanë Shqipërisë e në veçanti në treva të varfëruara me qëllim nga ky regjim, siç është Dibra, siç është Bulqiza, siç është Mati, siç është Verilindja dhe Veriu në tërësi, por anembanë Shqipërisë edhe në Tiranë, 40% e familjeve nuk arrijnë dot të ngrohin shtëpitë e tyre. Ndërkohë që dimri jo vetëm ka trokitur, por po fillon me temperaturat nën 0.
50% e familjeve shqiptare, 1 në 2 familje shqiptare nuk arrijnë të paguajnë dot më shumë se një vakt të plotë për familjet dhe fëmijët e tyre. 90% e familjeve shqiptare, e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre, pavarësisht se nga vjen, të ardhura për ata pak njerëz që janë në punë, apo fermerë, pensionist plus ndihmën që mund të marrin nga fëmijët në emigracion, punonjës të administratës apo të sektorit privat, s’ka rëndësi se nga i vijnë të ardhurat, 90% e të ardhurave shkojnë për nevojat bazë. Jo sikur të ishim në zemër të Europës, po sikur të ishim në një cep të harruar të Afrikës. Standardi i jetës ka rënë kokëposhtë, fuqia blerëse është më e ulëta krahasuar me të ardhurat në të paktën 2 dekada. Bashkë me konsumin që bie ditë për ditë, mbyllen qepenat e bizneseve, shkatërrohet tregu i punës, shtohet numri i të papunëve, e bashkë me ta edhe numri i atyre që duan të largohen dhe që largohen nga vendi i tyre.
Të gjitha këto halle, probleme, dhimbje të përditshme të shqiptarëve, janë bërë edhe më të rënda nga pandemia, e cila na ka marrë nga gjiri familjeve tona dhjetëra, mijëra prindër dhe të afërm. Shumë më shumë sesa vendet fqinje. Ka goditur dhe ka futur në borxh qindra, mijëra familje shqiptare. Sepse ky vend nuk ka qeveri. Sepse ky vend nuk qeveriset. Ky vend nuk ka qeveri sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve. Nuk qeveriset sepse anembanë vendit, nuk ka shtet. Nuk është një shtet i korruptuar dhe i kapur, por është një shtet i kapur nga të korruptuarit. Një shtet që siç e pamë javët e fundit është rrënuar deri në tullën e fundit. Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve. Por tregon po kështu pabarazitë e thella që janë krijuar midis njerëzve të punës dhe atyre që përmes marrëdhënies së tyre me pushtetin, vetëm vjedhin, marrin, pinë nga djersa, sakrifica e nënave dhe baballarëve shqiptarë’’