E pabesueshme! Dyshja e sulmit të kombëtares shqiptare Bekim Balaj dhe Azdren Llullaku janë golashënuesit më të mirë në botë. Diçka të tillë e thonë shifrat dhe golat që ata kanë arritur të shënojnë me ekipet e tyre respektive, Terek Grozni dhe Gaz Metan. Të dy së bashku kanë arritur të shënojnë një total prej 20 golash: tetë mbajnë firmën e bomberit Balaj dhe 12 të tjerë janë shënuar nga Llullaku. Me këtë ecuri fantastike, dy futbollistët e grumbulluar nga Xhani de Biazi për ndeshjen me Izraelin lënë pas edhe dyshet që në letër janë shumë herë më të forta dhe aktivizohen në kampionate si Seria A, La Liga, Bundesliga apo Premier Liga.
Azdren Llullaku dhe Bekim Balaj po kalojnë një moment fantastik në ekipet e tyre aktuale. I pari është golashënuesi i kampionatit rumun dhe ka tërhequr vëmendjen për instinktin vrasës përpara portës kundërshtare duke arritur ta ndalë topin në rrjetë 12 herë në 15 ndeshje të luajtura. E njëjta ecuri edhe për “bomberin” Balaj apo siç u pagëzua ndryshe “mbreti” i ajrit.
Në javët e fundit tregoi se di shumë mirë të shënojë edhe me këmbë. Me dy golat e realizuar ndaj Zenitit, arriti kuotën e 8 golave në kampionat, duke udhëhequr listën e golashënuesve bashkë me Smolovin e Krasnodarit. Xhani de Biazi dhe kombëtarja shqiptare mund të krenohen me këtë fakt. Dyshja Llullaku-Balaj lë pas shumë emra të njohur në botë.
Italia është e dyta dhe krenohet me dyshen e sulmit Imobile-Beloti. Të dy bashkë kanë arritur të shënojnë 17 gola duke lënë pas yjet argjentinas. Serxho Aguero dhe Gonzalo Higuain janë “bomberat” e ekipit bardhekaltër, por të dy së bashku kanë shënuar vetëm 15 gola. Në rastin më të mirë ku në vend të Higuainit mund të përfshihet Mesi, kanë 16 gola.
Jashtë podiumit, por me një shifër të njëjtë me golat e shënuar nga argjentinasit, janë brazilianët. Gabriel Zhezus bashkë me Nejmarin kanë 15 gola, ku sulmuesi i Barcelonës ka shënuar vetëm 4 herë në këtë sezon.
Vendi i pestë mbahet nga Franca me 11 gola të shënuar, 6 nga Grizman dhe 5 nga Gameiro. Pas francezëve renditen spanjollët me 10 gola, ku 9 prej të cilëve mbajnë firmën e Diego Kostës. Vend surprizues për Gjermaninë dhe Anglinë që mbyllin renditjen me nga 3 gola. Gëce-Myler dhe Kejn-Starrixh nuk kanë shkëlqyer në këtë sezon.