Synohet vendi i dytë

Nuk ka më dyshime, objektivi i vetëm për sfidën ndaj Izraelit është 3 pikëshi. Kundërshtari i ditës së shtunës është dhe rivali direkt në objektivin minimal për kombëtaren shqiptare, pasi vendi i 3 në grup nuk duhet diskutuar. Këtë konkluzion e vëren nga fjalët e futbollistëve në daljet e tyre për shtyp. Kësaj radhe ka qenë mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, që shpall hapur objektivin e skuadrës në këto eleminatore, pavarësisht profilit të ulët që kërkon të mbajë trajneri Giani de Biasi dhe stafi i tij. “Është një ndeshje e vështirë. Izraeli është një skuadër e fortë, por ne po përgatitemi, të gjithë duam të fitojmë. E dimë që një skuadër shkon në Play Off dhe objektivi ynë është të shkojmë në Rusi. E dimë që është e vështirë, por do të mundohemi të bëjmë të pamundurën, diçka që e kemi treguar edhe me arritjen në europian”, u shpreh Hysaj.
Spostimi i ndeshjes nga “Loro Boriçi” drejt “Elbasan Arenës” për arsye sigurie nuk është një problem për skuadrën, që 90 minutëshin e shtëpisë me Izraelin po e përgatit me përqendrimin e duhur. “Nuk është problem që jemi spostuar nga Shkodra në Elbasan. Duhet të përqendrohemi tek këshillat e trajnerit dhe të japim maksimumin. Ne duhet të fitojmë këtë sfidë, sepse duhet të luftojmë me Italinë dhe Spanjën për kualifikimin”, tha ai.
Periudha e fundit në kampionatin italian e ka parë Elseid Hysajn jo në formën e tij më të mirë. Pavarësisht se emri i tij lakohet që tani nga gjigantët e Bayernit të Mynihut, shkodrani qartëson situatën e tij të kohëve të fundit. “Nuk kam patur një periudhë të mirë fizike dhe për këtë arsye nuk kam luajtur në disa ndeshje. Megjithatë gjithçka ka kaluar dhe tashmë jam gati për klubin dhe kombëtaren”, përfundoi Hysaj.
Pas debutimit në sfidën ndaj Lichtenshteinit, sulmuesi Azdren Llullaku pret një tjetër mundësi për të treguar vlerat e tij me fanellën kuqezi. 28-vjeçari nga Istogu që po kalon një periudhë të mirë tek Gaz Metan në kampionatin rumun, ndjehet gati për të dhënë kontributin e tij në sfidën e rëndësishme ndaj Izraelit, aty ku golat janë shumë të nevojshme. Në konferencën për shtyp të kombëtares shqiptare, goleadori i  ligës së parë rumune shpreson të japë ndihmën e tij me fanellën kuqezi. “Jam i përgatitur fizikisht, por nëse do të luaj atë e di vetëm trajneri. Unë jam këtu të ndihmoj skuadrën. Në Rumani po kaloj një moment të mirë, por kur hyj në fushë nuk mendoj për golin, por për fitoren e ekipit. Nëse shënoj, atëherë është diçka më mirë”, u shpreh Llukaku.
I afruar së fundmi në kombëtaren shqiptare, Llullaku është injektuar me frymën e grupit, që ndaj Izraelit ka vetëm një mision, fitoren. “Kemi lojtarë të vlefshëm që luajnë në skuadra të mira, kjo na ndihmon për të synuar vendin e 3 pse jo dhe të dytin. Duhet të fitojmë këtë ndeshje dhe të synojmë vendin e dytë, më pas të mendojmë për ndeshjet e ardhshme”, tha ai.
Dilemat janë të mëdha për pozicionin në të cilin 28-vjeçari duhet aktivizuar, por vetë Llullaku tregon preferencën e tij në fushë edhe pse mund të mbulojë disa role. “Preferoj të luaj si sulmues i dytë, por gjithashtu mund të luaj si në të djathtë ashtu edhe në të majtë të sulmit”, përfundoi Llukaku.

Artikulli paraprakTë ardhurat faraonike të Cristiano Ronaldos
Artikulli tjetërBrazil-Argentinë, sfida e “përjetshme”