Kryetari dhe anëtari i shoqatës së KF Erzenit, janë vendosur nën hetim me akuzë për shpërdorim detyre.
Sipas policisë, janë proceduar penalisht shtetasit Marius Shahini me detyrë kryetar i shoqatës së Erzenit, si dhe Fundim Dollaku, anëtar i së njëjtës shoqatë. Procedimi i tyre ka nisur për akuzën e mashtrimit, shpërdorimit të kompetencave dhe të detyrës.
Njoftimi i policisë Durrës:
Shpërdoruan detyrën dhe kompetencat, procedohen penalisht kryetari dhe anëtari i shoqatës KF Erzeni.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar Durrës proceduan penalisht shtetasit M. Sh., me detyrë kryetari i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni dhe F. D., anëtar i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni, për veprat penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Për këta shtetas është bërë kallëzim nga ana e Drejtorisë së Shumë Sporteve në Bashkinë Shijak, se dyshohet që shtetasit M. Sh. dhe F. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kompetencat, duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.