Pas dështimit për t’u dhënë mbështetësve të tij trofeun e premtuar, selinë dhe, simbolikisht pra, partinë më 8 janar, revolucioni-nuk-ndalet (në vijim r-n-d) po përpiqet që në rrokullimën e tij të pandalshme të marrë me vete ç’të mundet. Objektivi nuk ka ndryshuar, sepse asgjë nuk ka ndryshuar për ta që kur r-n-d nisi më 10 shtator: t’i presë rrugën Lulzim Bashës nga ardhja në pushtet si kryeministër. Për këtë arsye, në një dëshirim të përflakur të llojit ‘o Zot bëje ëndërr!’, po përpiqen të projektojnë me magjinë e dëshpëruar të retorikës një skenar të bashkëqeverisjes.
Nuk është bashkëqeverisja ajo që ata nuk e durojnë, përkundrazi e dëshirojnë dhe e urojnë ditë e natë. Nuk është as qeverisja e Edi Ramës prej 2 mandatesh e kusur, sepse nuk kanë parë të keqe prej saj. Pasuritë u janë shtuar, ata nuk janë hetuar as trazuar sepse kështu garantohet mosprekja e korrupsionit dramatik të Ramës. Është qeverisja e Lulzim Bashës ajo që ata nuk durojnë sepse ajo shënon edhe fundin pa lavdi të revolucionit fillimin e dhimbshëm të llogaridhënies.
Në këtë përpjekje të dëshpëruar, r-n-d po përdor një truk jashtë-organizativ, që janë zgjedhjet e pjesshme lokale, për të përcaktuar përmes tyre raportet e brendshme në Partinë Demokratike. Është e mjaftueshme kjo si provë e dëshpërimit të r-n-d-së pas dështimit për të përmbushur premtimin ndaj mbështetësve se do ta largonte Lulzim Bashën më 8 janar dhe do ta bënte këtë me lehtësinë e padurueshme të pekuleve.
Një tjetër truk jashtë-organizativ duket se është në axhendë të përdorët nga RND, që është koalicioni me Ilir Metën apo me këdo tjetër jashtë PD-së për të maksimizuar numrin e votave që në një mundësi të zbehtë, r-n-d të marrë më shumë vota se PD. Mjafton kjo si shenjë se raportet brenda PD-së nuk janë fare ashtu siç u thuhet demokratëve, që Berisha ka bazën dhe Basha ka vulën e selinë. Po na rezulton se Berisha ka Ilir Metën dhe partnerë të tjerë rajonalë nga bota e nëndheshme e mafias dhe krimit të organizuar, dmth Edi Ramën, shefin e madh.
Në këto zgjedhje, r-n-d po përpiqet që të hyjë me objektivin e mposhtjes së Bashës, jo Ramës, duke u lënë demokratëve të nënkuptojnë dhe, në një farë mënyrë, edhe të pranojnë se Rama do t’i fitojë të gjashtë bashkitë por ne do të fitojmë PD-në që me PD-në të mundim Ramën. Aha, pra, nuk qenka Berisha që e mund Ramën, por PD! Dhe t’i japësh hua PD-së edhe bllokimin amerikan, mund të imagjinohet se sa do ta mundë Berisha Ramën.
Nëse t’i japësh Ramës fitoren në tavolinë në 6 bashki, prej të cilave të paktën 3 bastione të djathta, nuk na qenkërka bashkëpunim, qoftë edhe i heshtur apo i momentit, me Ramën çfarë tjetër është bashkëpunimi. Por kjo falet se lëvizje taktike është. Po nijeti është i mirë: të bashkëpunojmë pak me Ramën për të larguar Bashën që bashkëpunon shumë me Ramën. Po sa pak? Sa shumë? Këtë e di r-n-d. Demokratët të shkundin votën, atë të bëjnë. Punët e mëdha i di udhëheqja.
Për t’i shtuar dhimbjes turp, demokratët po thirren në të parat primare non-grata në historinë politike të botës, ku një lëvizje anti-amerikane, e fshehur pas markës amerikane të primareve, po përpiqet të zgjedhë kandidatë që nuk dihet se kush do t’i kandidojë. Paralajmërimi i Escobar përpara disa ditësh se asnjë person non-grata nuk mund të jetë fytyra e PD apo e ndonjë partie tjetër, nuk u drejtohej, pra, vetëm demokratëve dhe PD-së. U drejtohej edhe LSI-së e partive të koalicionit opozitar të 25 prillit po aq sa demokratëve. Cila prej këtyre partive është e gatshme të marrë mbi shpinë markën e kundërshtares së SHBA-ve apo damkën e anti-amerikanizmit? Me gjasë, asnjëra syresh.
Atëherë, si do të kandidojnë në zgjedhje këta kandidatë? R-n-d nuk e ka bërë të qartë këtë dhe e ka lënë me një përgjigje të vagullt se po merren ekspertët e çështjeve zgjedhore me të. Po një herë për një herë, eksperti i çështjeve propagandistike le të përdorë si mish për top aq demokratë sa mund të përdorë dhe pastaj shohim si do t’i vejë halli kësaj pune. Po organizohet dasma, janë shpërndarë ftesat dhe nusja ka veshur vellon por dhëndrri nuk dihet akoma kush është. Madje nuk dihet akoma nëse ka dhëndërr dhe me gjasë nusja do të presë gjatë në kalë e do të përmbushet profecia jo dhe aq me nder e urtësisë popullore për raste të tilla.