“Delegatët nuk votojnë, por japin pëlqimin me firmë” – Jemin Gjana i përgjigjet Ramës e Berishës: Ata që e hartuan e sulmojnë statutin

Në një intervistë për gazetën “Panorama”,  Jemin Gjana nis historinë e mënyrës së funksionimit të Kuvendit të PD-së që në 2013, kur në atë kohë Berisha u tërhoq dhe shpalli garën për kryetarin e PD-së në vazhdim me skemën një anëtar një votë. Një veprim antistatusor sipas Gjanës. Më pas u bënë ndryshimet statutore dhe u caktua që kuvendi i PD-së të ishte sa 10% e anëtarësisë së PD-së.

”Megjithë insistimin e shumë mediave e gazetarëve, prej muajsh, u jam shmangur komenteve e deklaratave publike lidhur me zallamahinë trishtuese dhe përplasjet në PD. Arsyeja e parë: Për të mos i shtuar benzinë zjarrit. Po, nga ana tjetër, e kam çmuar si mungesë dinjiteti dhe prosnjakllëk që për ngjarje, vendime, qëndrime apo individë, me të cilët kam ecur bashkë për disa vite, për një apo për tri dekada, të dal sot dhe të them krejt të kundërtat. Lë më pastaj t’i shaj, poshtëroj e akuzoj pa gjë të keqe. Modelin lëpij e pështyj dhe pastaj serish lëpij e jargavitu, nën ethet e pushtetit, nuk ma pranon as vetja, as dera e as krahina prej kah vij. Gjithë qëndrimet e mia i kam shprehur, pa fyerje dhe sharje, pa mllefe e mallkime, brenda institucioneve partiake ku jam i zgjedhur me votën edhe të atyre që sot janë rreshtuar ndryshe.Meqë së fundi Lart Gjatësia Kryeministër, si tjerët më parë, e lidhi proamerikanizmin e tij me 5004-ën, po jap një qartësim të së gjithës se si është e vërteta. Më shumë se për ata që kanë gjetur te 5004-a argument për sulmin ndaj PD, po e bëj për demokratët, për qytetarët, për publikun.

Historia nisi para 9 vitesh. Me humbjen e zgjedhjeve të vitit 2013, lideri i tërhequr urdhëroi në vetë të parë zgjedhjet për kryetarin e PD-së, sipas parimit një anëtar një vote. Vendimi ishte personal, i pambështetur në statut dhe në asnjë rregullore dhe i pa kaluar minimalisht në një vendimmarrje të Këshillit Kombëtar të asaj kohe. Për fat të keq, në kujtesën kolektive po dhe në vetë të parë ne i harrojmë vendimet personale të së shkuarës. Pas zgjedhjes së kryetarit u hartua dhe u miratua statuti i ri, i cili me fare pak ndryshime është i njëjti që prej 2014-s. Ata që e hartuan e sulmojnë statutin, produkt i tyre, kaq shumë në ditët e sotme, për interesat e sotme.

Që aherë, me të drejtë, hartuesit, në kushtet kur kryetari zgjidhet me një anëtar një votë, propozuan formatin e një Kuvendi Kombëtar që nuk mund të ishte sa një për qind e anëtarësisë me diku më pak se 1000 delegatë. U propozua një përfaqshim më i gjerë, diku te rreth 10 për qind e anëtarësisë, pra, një Kuvend me 7-8 mijë anëtarë vartësisht me strukturën e organizative të partisë. Delegatët nuk do zgjidheshin më nga konferencat e degëve, por do ishin pjesëmarrës bazuar nga funksionet në parti. Ky përfaqshim i zgjeruar argumentohet plotësisht. Në kushtet kur kryetarin e zgjedh anëtarësia, miratimi i statutit, Kushtetutës së organizatës politike dhe zgjedhja e Këshillit Kombëtar, organit më të lartë vendimmarrës, nuk mund t’u liheshin vendimeve të më pak se 1 për qind të anëtarëve

Që kur këto ndryshime janë miratuar, të gjithë e kemi ditur se salla e Pallatit të Kongreseve merr diku te 2000 veta. Dhe ata që sulmojnë nuk po thonë asgjë të re, thjesht manipulojnë opinionin. Kështu janë zhvilluar që prej 2013 të gjitha kuvendet e PD-së. Në trupa kaq të mëdha vendimmarrëse, pretendimi për numërimin e votuesve është i pamundur, është thjesht një mashtrim. Ose votohet, me votë të fshehur, siç ndodh kur zgjidhet nga Kuvendi Këshilli Kombëtar, ose trupa e Kuvendit jep një “Consent” (pranim, pëlqim) gjithsesi të dokumentuar.

Si ndodhi në “Foltoren e Madhe” që organizatorët e quajtën kuvendi i 11 dhjetorit? Askush nuk mund të vërtetojë se si u numëruan votat e delegatëve të pretenduar në stadium. Atje kishte pjesëmarrje, po nuk kishte asnjë lloj numërimi vote. Sepse është tërësisht e pamundur të numërohen. Mund të thotë dikush si i numëruan. Pra, me trupën e delegatëve u përdor dhe aty miratimi me “consent”. Deri këtu nuk ka asgjë të paqartë. Problemi është se ndryshe nga kuvendi i 18 dhjetorit, në 11 dhjetor nuk u dokumentua dhe nuk u bë publike lista e delegatëve prezent. Zero transparencë për të ditur sa delegatë ishin brenda realisht. Kush ishin ata që dhanë pëlqimin për ndryshimet. Emrat e delegatëve aty u bënë numra që organizatorët pretendojnë se ua numëruan votën.

Si u procedua në kuvendin e 18 dhjetorit? Përveç Komisionit për drejtimin e punimeve të miratuar nga Kuvendi, Kryesia e PD-së, një ditë më parë, miratoi 14 komisione të regjistrimit të pjesëmarrjes në Kuvend. Miratoi edhe sekretarinë e hartimit të dokumentacionit përmbledhës të procesverbaleve të këtyre 14 komisioneve. Të gjitha këto komisione, tri orë para se të hapeshin punimet e Kuvendit, u vendosën në hollin e Pallatit të Kongreseve. Në këto komisione, të gjithë delegatët pjesëmarrës janë regjistruar kundrejt dokumenteve të identifikimit dhe kanë hedhur firmat e tyre duke deklaruar pjesëmarrjen. Me fillimin e punimeve të kuvendit, është bërë publike lista emërore e gjithë komisioneve të ngarkuara me këtë detyrë dhe po publikisht u është kërkuar strukturave organizative të partisë, publikimi i listës se plotë të 5004 delegatëve që me firmën e tyre të 18 dhjetorit kanë deklaruar pjesëmarrjen e njëkohshme, në pamundësi të një praktike numërimi të votës së pesëmijë vetave, është dhënë përmes firmës se tyre “consent” (pranimi, pëlqimi) për vendimet që ishin bërë të ditura kohë më parë.

Delegatët u thirrën në Kuvend të miratonin vendimet e bëra të njohura. Vendime të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së. Ato vendime i njihnin jo vetëm delegatët, po gjithë opinioni publik. Të gjithë ata delegatë që pranuan Kuvendin e 18 dhjetorit dhe vendimet e tij erdhën në Pallat të Kongreseve dhe me firmën e tyre shprehen “consent” (dakordësinë, pranimin), të cilin askush nuk mund t’ua përbalte si jodemokratike. Çfarë bëri tjetër ndryshe PD për 18 dhjetorin? Dy ditë pas kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm dhe ndihmësit e tij respektuan vendimin publik të mbajtur në çelje të punimeve të Kuvendit, publikuan listën e plotë me firmat e 5004 delegatëve që pranuan dhe mbështetën Kuvendin e 18 dhjetorit. Listat janë aty në protokollin e partisë, për fat të mirë as 8 janari nuk i zhduku dot. Kaq është e gjitha.

Pjesa tjetër është lojë fjalësh për të manipuluar opinionin. Kjo mënyrë miratimi nuk është shpikja jonë. Sa për ilustrim, po them një shembull të vetëm. Për të kuptuar se kalimi konsensual i vendimeve është po aq demokratik. Parlamenti anglez ka një sallë me vetëm 200 vende për 650 deputetë. Në shumicën e rasteve, me modelin dhe parimet e “English Votes for English Laws (EVEL)”, miratohet një shumicë e akteve kur ka konsensus.

Nuk ka në Parlamentin anglez as kartonë votimi, as kuti votimi elektronik. Për rastet kur s’ka “consent”, dhe kur kryetari dhe ndihmësit e tij konstatojnë se nuk ka pranim, parlamentarët anglezë rreshtohen në dy korridore gjatësore, anash sallës me poltrona jeshile, dhe me kalimin në këto “korridore votimi” si sot e më shumë se 200 vjet më parë, numërohen për të nxjerrë rezultatin e votimit. Trupa e delegateve të 18 dhjetorit e kishte konsensusin brenda vetes. Me firmat e tyre, ata e kanë deklaruar praninë dhe “consent”-in për 18 dhjetorin para 14 komisioneve të votimit. Deklarimi publik i kësaj liste, për ata që duan të kuptojnë, e mbyll këtu debatin pa asnjë vlerë reale.

Ata që sulmojnë e përgojojnë, nuk thonë asnjë gjë të re për numrin e karrigeve në sallë. Ne e dimë njësoj si ata, kot shtërzojnë duke menduar se na kanë zënë mat. Ne e dimë se i gjithë uji i burimit nuk futet në një shishe. Dhe kur ata pinë “ujin x” apo dhe kur e zëvendësojnë me “ujin Y”, nuk na thonë ndonjë gjë të re kur turren të na bindin se është futur gjithë burimi ne një shishe. Gurra e demokratëve të 18 dhjetorit është deklaruar publikisht. Është aty e dokumentuar me praninë dhe mbështetjen. Kush ka sy, e sheh, e dëgjon dhe e lexon.”

Artikulli paraprakTashmë lojtar i Granadës, Uzuni debuton ndaj Realit të Madridit
Artikulli tjetërUdhëtimi luksoz i Ramës, Pampuri: Kush e pagoi karburantin 120 mijë euro të charterit? Po në Suedi ka shkuar?